Kasmi: Jo më koha e deleve dhe gjunjëzimit, por e reagimit

Mirënjohje të gjithë atyre që kanë dënuar gjatë këtyre ditëve dhunën shtetërore ndaj meje të kryer përpara kamerave dhe mijëra dëshmitarëve.
Mirënjohje organizatës së “Reporterëve pa Kufij” që kërkoi nga kreu i kësaj qeverie të distancohej nga dhuna dhe të dënonte dhunën dhe po ashtu Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë që treguan solidaritet në ato momente të vështira.
Dhe natyrisht një falënderim shkon edhe për mjekët e Spitalit të Traumës që ndonëse në kushte mjaft të vështira pune kryen një ndërhyrje profesionale dhe mjaft efiçente për të parandaluar pasojat që mund të kishte ajo plagë e rëndë.
Kurrë në jetën time nuk kam pasur ndonjëherë probleme me ligjin. E kam vlerësuar dhe vlerësoj punën e policisë sa herë ajo gjendet në anën e rendit dhe të sigurisë së qytetarëve dhe jo të krimit dhe kam besuar se të jesh pjesë e kësaj armate sot është një mision mjaft i vështirë. Kur protestohej në rrëzimin e bunkerit, kam qenë po si gazetar dhe në një moment kur kam parë protestuesit nisën të qëllonin me gurë një kordon të Forcave Speciale që vinte nga Drejtoria e Burgjeve, atëhere bashkë me disa persona të tjerë u kemi dalë përpara protestuesve, duke i kërkuar të mos qëllonin policinë, sepse nuk ishte faji i tyre që bunkeri ishte ndërtuar me urdhër të shefit të qeverisë. Dhe atëherë për fat u evitua ajo përplasje. Kjo mund të provohet lehtësisht edhe nga pamjet e shumta filmike të atyre ditëve. Si shpërblim të kësaj ndërhyrje në mbrojtje të policisë në protestën e bunkerit mora goditjet me hanxhar hekuri në kokë më 26 Maj.

Çfarë ndodhi?
Kam qëndruar përpara Ministrisë së Brendshme ku bëja fotografi të protestës përmes telefonit dhe i kaloja ato për gazetën. Përgjatë gjithë kohës kam qenë në protestë, duke fotografuar dhe filmuar si para Kryeministrisë ashtu edhe para Ministrisë së Brendshme. Aty pati konfrontimet e para me Policinë për shkak të bandierave që pengonin rrugën e protestuesve. Ndaj u zhvendosën herë pas here. Nuk kishte një kufi të qartë ku qëndronte Policia dhe ku protestuesit. Kishte një podium, ku mund të ngjiteshe dhe të filmoje. Madje kam ndihmuar edhe kolegët e tjerë dhe pas një kërkese nga një koleg me kamera, jam ulur dhe i kam liruar vendin atij.
Në këtë moment kisha gazetarët nga njëra anë dhe nga ana tjetër protestuesit.
Protesta nuk kishte pamje të qarta në të gjitha këndet, nuk kemi filmim të të gjithës për të kuptuar dinamikën e asaj që ndodhi. Shpeshherë kordoni i Policisë shtynte me forcë protestuesit dhe ata rezistonin. Gjithçka ishte e qetë deri në momentin kur forcat e policisë nuk kishin ndërhyrë.
Një protestues u godit me shkop gome në qafë dhe pas shpine dhe ka rënë pa ndjenja. Emri i tij është Kastriot Hasko. Ai ka shkuar pa ndjenja në spital dhe atje është përmendur, kjo mund të verifikohet. Pas këtij incidenti të dhunshëm kemi qenë në kushtet e vetëmbrojtjes. Nuk kishte shumë zgjidhje veçse të vetëmbroheshe dhe një nga ato zgjedhje ishte të bëja dhe unë, duke vendosur duart tek bandiera e hekurt dhe duke mos lejuar preceptimin.

Në atë moment nuk e di pse shkopi i gomës më zgjodhi mua. Pas shoqërimit të z. Hasko në drejtim të Spitalit Ushtarak, situata është tensionuar dhe ka pasur edhe incidente të tjera. Në këto momente, pasi kam vendosur duart tek bandiera e hekurt, kam tentuar që të mbaj të njëjtat pozicione që kisha për të mos e ndryshuar rrjedhën e situatës.
Policia siç duket kishte marrë urdhër që do të vazhdonte të shtynte bandierat, përtej atij gardhi që ndodhej në atë moment dhe filloi goditja me shkopat e hekurt që mbante në duar Policia. Më kanë goditur – mua më kanë goditur 3 ose 4-5 herë, nuk më kujtohet tani mirë. Disa goditje i mora në krahun e majtë të shpatullës, disa në krahun e djathtë dhe ajo që ishte goditja më e rëndë dhe për mendimin, do të ishte goditje vdekjeprurëse në qoftë se do të lëvizte vetëm disa cm mbi plagën që kam aktualisht apo nëse do të prekte shikimin apo syrin nëse do të ishte më poshtë plagës që është dhe nuk e kam kuptuar për momentin si ndodhi goditja.
Kur kam parë pamjet filmike më pas në media të ndryshme, kam arritur të kuptoj se kishim të bënim me një skemë të qartë nga ana e këtyre forcave për të më goditur. Policia apo ai anëtar i Forcave Speciale që lëshoi shkopin e hekurt mbi kokën time erdhi nga radha e dytë e forcave të Policisë dhe iu krijua një korridor nga pjesa e policëve që ishin në rreshtin e parë.

Erdhi nga pjesa e prapme dhe jo nga pjesa ballore e radhëve të Policisë dhe pasi goditi me shkopin e hekurt mbi kokë dhe korridori që ishte vendosur i Policëve sërish e mbylli atë për të mbuluar aktin për mendimim tim, të dënueshëm dhe barbar nga ana e atij efektivi të Forcave Speciale. Pas këtij momenti, kam pasur një hemoragji shumë të madhe të gjakut…”
Protestuesit ishin paqësorë dhe unë në radhët e medias nuk kisha asgjë tjetër. Nëse do të isha i dhunshëm dhe mjetet që do të kisha në dorë do të ishin të dhunshme. Ndaj, dënimi i dhunës do të ishte hapi i parë që duhej dënuar.
Se kush e ushtroi, këtë duhet ta ndjekë drejtësia, megjithëse nuk kam shpresë tek kjo drejtësi.
Drejtori i Policisë, Veliu më ka vizituar dhe është mirëpritur nga unë dhe njerëzit e mi. E kam konsideruar si një ndërhyrje.
Ai më ka thënë se shkopi i gomës nuk shkakton çarje në kokë. Aty kuptova se vizita e zotërisë nuk kishte për qëllim të dënonte dhunën, por manipulimin e së vërtetës dhe në këtë moment pati një acarim mes njerëzve të mi dhe Drejtorit të Policisë dhe qe ndërhyrja e mjekut aty që i shpjegoi atij të vërtetën. Sipas mjekut, plaga ishte shkaktuar nga një mjek i rrumbullakët shumë i fortë dhe nuk kishim të bënim me një plagë me cepa, por nga një mjet i fortë.
Pse qe i rëndësishëm ky sqarim? Sepse kishin dalë disa versione për goditjen time, nga disa media pranë qeverisë sikur isha goditur me gurë. Por nuk isha goditur me gurë dhe këtë sqarim e bënë mjekët. Pas kësaj kanë dalë versionet që kisha dalë si gazetar apo si protestues.
Unë vërtet jam kryeredaktor i “RD”, por nuk i ngatërroj në asnjë moment detyrat si gazetar dhe detyrat partiake dhe kam qenë, jam dhe mbetem, para se të jem anëtar i një partie, jam një gazetar.

Jo më koha e deleve
Kush u dhunua dhe kush qahet. Nëse përtokë shtrihen pa ndjenja protestues paqësorë që goditen me hanxhar hekuri nga Forcat Speciale apo edhe gazetarë atëhere çfarë duhet bërë? Duhet të gjunjëzohemi dhe të presim të na shkelin me këmbë apo të reagojmë për vetëmbrojtje? Mendojnë se mund të na konsiderojnë si dele duke na shtypur dhe të mos reagojmë, por koha e deleve ka mbaruar dhe nuk mund ta kthejë askush.
Çfarë kam kuptuar me 26 Maj
Ndërsa gjendesha në spital, një kolege gazetare më pyeti se çfarë do t’i kërkoja publikisht ministrit të Brendshëm? I kërkova të dënonte dhunën dhe të kërkonte ndjesë publike për sulmin barbar ndaj meje. Vetëm pak minuta më pas në Spitalin e Traumës mbërriti Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Mendova se do të kishte një mirëkuptim dhe një distancim të policisë nga dhuna. Në të vërtetë isha gabuar, zotëria i dërguar nga ministri nuk kishte ardhur me një mesazh njerëzor, por me një mesazh policor dhe shantazhues ndaj mjekëve. Ai deklaroi se, shkopi i gomës që në fakt nuk është shkop gome, por hanxhar hekuri me të cilin isha goditur nuk të sillte dëme si ato që unë kisha pësuar.
Po përse Drejtori e bëri një deklaratë të tillë? Miqtë e mi më kishin informuar se mediat e qeverisë mohonin që ndaj meje kishte pasur goditje me hanxharin e hekurt, por me gur. Ky ishte mesazhi që Drejtori i Policisë po jepte për mjekët që në ato momente ishin prezent. Me kurajon profesionale dhe qytetare, mjeku kirurg që ishte prezent ndërhyri dhe i shpjegoi nga ana profesionale se, goditja ndaj meje ishte kryer pikërisht nga një mjet i fortë i rrumbullaktë dhe i hekurt dhe treguesi i kësaj ishte plaga, që kurrsesi nuk mund të shkaktohej nga një gur.
Po përse Drejtori i Policisë kërkonte të manipulonte të vërtetën edhe përpara meje? Përgjigjja e kësaj pyetje është e thjeshtë, sepse sot kemi një polici politike. Të kesh një polici politike do të thotë të kesh një shtet policor dhe qenia e një shteti policor nënkupton një diktaturë të pakicës ndaj shumicës.
Kujtdo mund t’i lejohet të manipulojë të vërtetën, por kurrsesi titullarit të policisë.
Kur kjo ndodh me një gazetar atëhere është e kuptueshme se çfarë mund të ndodhë me qytetarët e thjeshtë.

Përse Kryeministri dhe ministri nuk mund të dënonte dhunën?
Ministri falënderoi punën e forcave të policisë dhe në asnjë moment nuk dënoi dhunën ndaj meje në protestë. Nuk e bëri këtë distancim dhe nuk pranoi që të ishte ushtruar dhunë ndaj një gazetari dhe as ndaj një qytetari. Nuk kisha asnjë dilemë se ky ministër do të mbante këtë qendrim. E njoh shumë mirë Fatmir Xhafën dhe çfarë përfaqëson ai. Ai është ish-hetuesi i diktaturës që sot mohon krimet që ka kryer gjatë kohës që ka qenë në Krujë.
Si mund të pranojë ky njeri dhunën ndaj një gazetari në një kohë që mohon torturat që ai ka kryer personalisht ndaj qytetarëve të Krujës vetëm, sepse ato po gëzonin për vdekjen e diktatorit.
Si mund të distancohet nga goditja me levë hekuri ndaj meje Fatmir Xhafa në një kohë, që ende sot nuk ka dëshmuar një akt pendese ndaj torturave deri në shkulje të dhëmbëve me darë të të riut Arben Duka dhe torturat ndaj Xhavit Konit dhe Adem Sulës?
Kur Kryeministri u pyet nga gazetarja e “Franc24” për plagosjen e gazetarit, ai u shpreh me arrogancë se ky nuk është lajm për faqet e para të mediave ndërkombëtare. Në fakt, kështu ka qenë edhe në gusht të vitit 1988, kur poeti Avzi Nela varej në litar me firmën e Kristaq Ramës. Edhe atëhere varja e poetit nuk ishte lajm për faqet e para të mediave ndërkombëtare.

Gazetarët në vijën e parë të frontit jo në prapanicën e qeverisë
Sot gazetaria dhe opinioni në Shqipëri ka nevojë për gazetarinë opozitare me qeverinë. I duhen gazetarët të jenë në vijën e parë të frontit dhe jo ata që qëndrojnë në prapanicën e qeverisë.
Kushdo duhet të kuptojë se, pushteti në demokraci as nuk merret me gjak dhe as nuk mbahet me gjak. Këtë duhet ta dinë mirë ata që më gjakosën më 26 Maj. Ai gjak nuk do të falet derisa drejtësia të bëhet dhe urdhëruesit dhe ekzekutuesit e dhunës të ndëshkohen.

Exit mobile version