Që Leicester City do ta kishte shumë të vështirë për të përsëritur suksesin e pabesueshëm të një sezoni më parë, ky ishte një bast shumë i mirë, por që skuadra kampione vetëm disa muaj pas ngritjes në qiell të titullit do të luftonte për mbijetesën, shumë pak mund të rrezikonin për ta parashikuar. Gjithsesi, me baste të çmendura Leiçesteri i ka mësuar tashmë tifozët e tij, disa prej të cilëve u bënë milionerë pas suksesit të pamenduar në Premier League. Avujt e alkoolit duket se janë larguar nga “King Power Stadium” dhe tashmë të gjithë kanë nisur të bëjnë llogaritë me zonën e ftohtë, aq sa edhe Claudio Ranieri mund t’i japë lamtumirën skuadrës me të cilën shkruajti emrin në histori dhe në një prej rrugëve të qytetit. Në vitrinat e dyqaneve rrallë shikon parulla inkurajuese për skuadrën, por muralet vazhdojnë të mbeten si një kujtim i largët i asaj çfarë ndodhi gjatë sezonit të kaluar.
Pas 9 muajsh, ëndrrat e lavdisë janë shuar, ndërsa ndeshja e fundit me Manchester United shërbeu si një gur i rëndë për të zhytur edhe më shumë anijen e Ranierit drejt ujërave të paqarta dhe të ftohta. Nga skuadra e vitit të shkuar nuk ka asnjë gjurmë, ndërsa shumë prej lojtarëve janë rikthyer normalë me Mahrez dhe Vardy në krye të listës. Mediat e quajnë të papranueshme paraqitjen e Leicester City, ndërsa disa të tjera e konsiderojnë Vardy-n një meteor që shkëlqeu në qiellin e futbollit anglez vetëm për disa muaj, sepse ai nuk e gjen rrugën e rrjetës që prej 24 takimesh. Në krahun tjetër edhe trajneri italian po e ndien të ftohtin e madh, sepse Leicester City është e vetmja skuadër mes 88 ekipeve të 4 kategorive të para në Angli, që nuk ka arritur ende të gjejë rrugën e rrjetës në vitin 2017 në kampionat. Në këtë mënyrë, bookmeakersat e kanë ngjitur Ranierin në krye të listës së trajnerëve që rrezikon i pari shkarkimin nga detyra. Kohë të vështira për njeriun simbol të skuadrës, që në futboll bëri arritjen e pabesueshme, por brenda një sezoni mund të shkatërrojë me duart e veta atë mrekulli.
Manchester United gjen buzëqeshjen. “Djajtë e Kuq” arrijnë një sukses shumë të rëndësishëm në fushën e kampionëve të Leicester City me rezultatin 3-0. Në “King Power Stadium” nuk kishte histori, sepse skuadra e Jose Mourinhos dominoi në çdo aspekt “Dhelprat”. Armeni Henrikh Mkhitarian i dhuroi avantazhin Manchesterit 3 minuta nga fundi i pjesës së parë, duke shtruar rrugën e suksesit për “Djajtë e Kuq”. Ky fraksion nuk u mbyll këtu, pasi kishte kohë për një tjetër gol që erdhi nga këmbët e Zlatan Ibrahimoviç. Suedezi shfrytëzoi maksimalisht asistin e ekuadorianit Antonio Valencia për ta mbyllur pjesën e parë të ndeshjes me avantazhin e dyfishtë të miqve. Nuk ndryshoi tabloja as në pjesën e dytë, ku Manchester United nuk e lëshoi kontrollin e lojës. Me rikthimin e skuadrave në fushën e lojës ishte radha e spanjollit Juan Manuel Mata, i cili hipotekoi fitoren e Manchester United në transfertën e Leicester me rezultatin 3-0. Një sukses që e afron skuadrën e Mourinhos me vetëm 1 pikë nga Liverpooli i vendit të pestë. Tashmë “Djajtë e Kuq” ngjiten në kuotën e 45 pikëve, ndërsa Leicester City rrezikon seriozisht qëndrimin në Premier League, pasi mbetet në vendin e 16 me 21 pikë. Në sfidën tjetër, Manchester City kaloi 2-1 Swansean.