Katastrofike situata me drogën, policia pjesë e mbjelljeve

Kryetari i Grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka e konsideroi si katastrofike mbulimin e vendit nga veriu në jug me plantancione droge ku policia është e përfshirë në procesin e mbjelljes dhe garantimit të transportimit të drogës jashtë vendit. Paloka iu referua një raporti që pritet të publikohet në ditët në vijim. “Sipas, informacioneve të ardhura jo nga ministria e Saimir Tahirit, por nga persona që po merren specifikisht me fotografimin e fushave të mbjella me kanabis, dhe brenda pak ditëve do të paraqitet raporti mbi sipërfaqet dhe sasitë e mbjellja me kanabis në territorin e Republikës së Shqipërisë, e nga këto informacione del se gjendja është më shumë se katastrofike. Përmasat janë të tilla që rrezikojnë ta fusin Shqipërinë në listat më të zeza që kanë ekzistuar ndonjëherë dhe kjo, edhe një herë e përsëris, sipas informacioneve që na vijnë nga shërbimet që po merren me këtë çështje” tha Paloka.
Kreu i grupit parlamentar demokrat denoncoi përfshirjen direkte të Policisë së Shtetit dhe lidhjet e kupolës së policisë me trafikantët. “Fakti është edhe më i rëndë kur po nga këto informacione rezulton se nuk janë vetëm trafikantët që e kryejnë këtë aktivitet, por është vetë Policia e Shtetit e implikuar direkt, pothuajse zyrtarisht në këtë aktivitet. Rezultojnë pothuajse të gjithë drejtuesit e policisë të implikuar drejtpërdrejt, të cilët ngarkojnë punonjës policie të ruajnë arat e mbjella me kanabis. Para pak ditësh, u ndaluan disa prej këtyre policëve, por si duket ata ishin nga ajo pjesë që nuk çonin pjesën tek shefat. Është direkt policia që merret me ruajtjen e arave me kanabis. Këtë informacion, po e përsëris, e sjellin të huajt dhe pas pak ditësh do ta keni në raport zyrtar. Prandaj këtu në këtë vend ndodhin këto që ndodhin; hyjnë bandat mes aeroportit dhe grabisin ditën për diell miliona euro sepse policët e Saimir Tahirit ndërkohë po ruajnë arat me kanabis. Është mbjellë Shqipëria me drogë nga cepi në cep. Na përmendnit Lazaratin. Lazarati… Lazarati… Lazarati… në atë kohë mbillej në Lazarat. Por sot, rezulton se vetëm në Lazarat nuk është mbjellë dhe është mbjellë në të gjithë Shqipërinë dhe kjo me urdhër dhe me porosi të Policisë së Shtetit ose më mirë të atyre që drejtojnë rendin, sigurinë dhe policinë në këtë vend. Janë fakte që vijnë dhe pas pak ditësh do t’i keni në raport ndërkombëtarësh” tha Paloka .  Ai tha se me këto para blihet gjithçka duke vënë theksin edhe tek  blerja e votave. “Vazhdojnë të bëjnë propagandë për gjëra pa vlerë, ndërkohë që bëhet nami nga cepi në cep. Janë miliarda që mbillen nga pushtetarët. 30 për qind kërkojnë shefat, ua numërojnë policët rrënjë për rrënjë, e në fund ua bëjnë edhe llogaritë aritmetike, kaq do të më sjellësh mua. Është bërë zyrtare dhe kjo do të pasqyrohet në raportet ndërkombëtare. Është shumë e rëndë, sigurisht për ata që janë normalë. Janë miliarda se ku, për çfarë i mbledhin, ku duan t’i hedhin, ne provat i kemi. Me paratë e trafikantëve dhe të drogës, blihen vota. Blihen edhe media. Ka dalë që tentohen, të blihen takime me Presidentin e SHBA-së. Për këtë i duan paratë dhe për këtë heshtin. Sepse, gjithë paratë shkojnë në xhepat e atyre që drejtojnë, duke filluar që nga Kryeministri tek ministri i Brendshëm. Ndaj zonja kryetare, si kërkesë minimale është që raporti që do të bëhet publik brenda pak ditësh, minimalisht t’i vihet në dispozicion në mënyrë urgjente Komisionit të Sigurisë dhe t’i dërgohet edhe Presidentit të Republikës. Po ju paralajmëroj, është një gjendje, pasojat e të cilës do t’i ndjeni shumë shpejt” u shpreh ndër të tjera Paloka.

Exit mobile version