Kategoria ngre siparin, sytë nga Tirana

Pas një pritjeje të gjatë Kategoria e Parë ngre siparin këtë të shtunë me javën e parë të kampionatit në grupet A dhe B. 20 ekipe do të nisin rrugëtimin e tyre drejt një sezoni të gjatë dhe të vështirë. Do të jetë një sezon i ri me risi të shumta dhe që pritet me interes të madh. Sytë e të gjithëve do të jenë nga Tirana, me skuadrën më të titulluar në vend që luan për herë të parë në një kategori inferiore, me një objektiv të vetëm, të rikthehet menjëherë në elitën e futbollit shqiptar aty ku i takon të jetë. Nuk do të ketë një derbi kryeqyteti mes bardhebluve dhe Dinamos pasi skuadra e Ze Maria-s është vendosur në grupin e Jugut, ndërsa ajo e Dinamos në grupin A pikërisht në atë të veriut.
Por Tirana nuk është risia e vetme, pasi për herë të parë në Kategorinë e Parë do të luajë edhe një skuadër B. Ekipi i dytë i Vllaznisë arriti të siguronte ngjitjen pasi mposhti në play out, Sopotin e Librazhdit dhe tashmë do të masë forcat në grupin A, me skuadra të rëndësishme si Besa e Kavajës, Dinamo, Kastrioti e Korabi. Në këtë grup dueli i rëndësishëm i javës së parë luhet në Kavajë, ku Besa pretendente pret Dinamon që edhe në këtë sezon synon thjesht të qëndrojë në këtë kategori.
Janë pikërisht kavajasit favoritët e mëdhenj për t’u ngjitur në Superiore në grupin e Veriut, por Besa duhet t’i masë forcat me Besëlidhjen dhe Kastriotin që gjithashtu synojnë kreun. Në grupin B ndeshjet e javës së parë luhen të gjithë këtë të shtunë, me Tiranën që pret në orën 18.00 në “Selman Stërmasi”, Ilirinë e Fushë Krujës. 24 herë kampionët do të kërkojnë të konfirmojnë momentin pozitiv që po kalojnë pas fitoreve në Superkupë ndaj Kukësit dhe Kupën e Shqipërisë ndaj Besës. Një sfidë shumë interesante është edhe ajo mes Tomorit dhe Pogradecit që do të luhet në fushën asnjanëse të Kuçovës. Për Bylisin që ka pësuar shumë ndryshime në skuadër gjatë kësaj vere sezoni nis me transfertën peqinase ndaj Shkumbinit.

Exit mobile version