Katër javë për të rrëzuar të vjetrën

Opozita e Bashkuar hapi dje fushatën elektorale në Tiranë, në një tubim të mbajtur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pikërisht aty ku për 90 ditë u zhvillua rezistenca për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në prani të kandidatëve të 12 qarqeve, mitingu i djeshëm ishte një prezantim me figurat që kreu i PD Lulzim Basha, ka përzgjedhur për të garuar në zgjedhjet e 25 qershorit, ose lista fituese e Republikës së Re siç do e cilësonte vetë Basha. Personalitett të shqura nga profesione të ndryshme, kryesisht akademikë dhe intelektualë, por edhe sipërmarrës të suksesshëm janë pjesë e listës së Partisë Demokratike. Ata ishin dje aty, të thirrur dhe të grumbulluar me një qëllim të vetëm, fillimin e një epoke të re pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Për të realizur qëllimet e asaj rezistence historike, 90 ditore të opozitës që kanë të bëjnë me një të ardhme ndryshe nga ajo çka afron Edi Rama. Si për të mbështetur këtë inkursion drejt fitores, në mitingun e djeshëm ishin dhe ata që për 90 ditë zhvilluan betejën e madhe. Kryefjala e gjithçkaje në këto 30 ditë të fushatës elektorale do të jetë “Republika e Re, ekonomi e fortë e ardhme e sigurt”. Republika e Re, pikërisht ajo që u bë motoja e ditëve të rezistencës që nga shkurti i këtij viti. “Ja ku janë ata që do të ndërtojnë Republikën e Re”, tha Basha, duke u drejtuar nga kandidatët e përzgjedhur të listës. “Mbi të gjitha, Republika e Re është dhe do të jetë republika e vlerave. Vendimet që kam marrë mbrëmë, padyshim i kanë ngritur pritshmëritë e çdo shqiptari. Çfarë i shtyu këto zonja e zotërinj t’i bashkohen projektit tonë të madh që themeluam bashkë në këtë shesh? Ça ka vendosur kështu Lulzim Basha? Po po, kjo është Republika e Re, dy profesorë në krye të dy qarqeve, në Shkodër dhe në Korçë”, tha ndër të tjera Basha. Sipas tij, kandidatët e propozuar janë mundësia që u jepet të rinjve, e cila qëndron në qendër të  filozofisë së PD. “Katër javë ju kërkoj ta bëni natën ditë dhe ju premtoj se në krye të katër javëve Republika e re do të jetë realitet për çdo shqiptar. Falënderoj nga zemra gjithsecilin prej jush. Jemi bërë një familje e madhe tani, shumë prej jush, gjithsecilin prej jush e njoh me emër. Pothuajse në një pjesë të madhe jemi parë në 90 ditë të qëndresës tonë dhe të hapit tonë të parë drejt fitores vendimtare të Republikës së re mw datë 25 qershor. Aleatët tanë politikë që sot janë bashkuar nën siglën e Partisë Demokratike të Shqipërisë dua t’i falënderoj nga zemra për qëndresën dhe luajitetin e tyre” tha Basha. Duke iu referuar vetes së tij lideri i PD-së u shpreh se dhe ai është një nga ata që ka përfituar dy herë nga mundësitë që ju dhanë, për shkak të lirisë. E para, ishte ajo mundësi që iu dha në vitin 1992, dhe e dyta, ajo e vitit 2005, kur u thirr nga PD e drejtuar në atë kohë nga Sali Berisha për t’u bërë pjesë e qeverisjes së PD-së dhe më pas kryetar i saj.  Mitingu i hapjes së fushatës zgjati për rreth një orë. Sot fillon një rrugë tjetër, ku kryetari i PD-së në krye të ekipit të tij do të udhëheqë PD-në drejt fitores. Nga 25 qershori, shqiptarët do të kenë një Shqipëri me më shumë investime e më pak varfëri, me çmime energjie më të ulura, me rroga e pensione më të larta, me shanse të barabarta për të gjithë. Ky është objektivi i Republikës së Re dhe opozitës për shtetin. Një Shqipëri ku rinia i drejtohet auditoreve të universiteteve dhe jo emigrimit dhe trafikut të drogës. Sot, nis rrugëtimi drejt një Shqipërie tjetër dhe kjo ishte fryma që u përcoll në mitingun e djeshëm, që ky vend ka shpresë, dhe ky vend mund të bëhet. Më 25 qershor, i madh e vogël duhet të votojë  për Republikën e Re, për një ekonomi më të fortë dhe për një të ardhme më të sigurt, siç është dhe slogani që do e shoqërojë këtë fushatë.

Luljeta Sejko: Paga e pensione të larta, taksa të ulëta me programin e PD

Luljeta Sejko, eksperte nga fusha e financave, në listën demokrate për Qarkun e Fierit u shpreh mirënjohëse dje teksa rrëfeu se është përzgjedhur mes qytetarëve fierakë si një njeri i thjeshtë mes shumë të tjerëve për të përfaqësuar dhe mbështetur bashkëqytetarët e saj. “Përditë unë shikoj probleme të ndryshme të çmimeve, të taksave, minimumin jetik të jetesës së qytetarëve. Por gjërat mund të ndryshojnë dhe gjërat bëhen më mirë, do të bëhen më mirë, tregu do të jetë i lirë dhe konkurrenca e ndershme. Pagat do të rriten, pensionet do të rriten, taksat do të ulen. Këto mund të bëhen realitet me programin ekonomik të Lulzim Bashës, këto mund të bëhen realitet ashtu siç u bë realitet edhe ëndrra e një gruaje që nuk është marrë me politikë, por që do të zgjidhet deputete dhe do të përfaqësojë qytetarët e Fierit”.

Endri Hasa: Bashkë për një shoqëri ku u jepet mundësia të gjithëve

I listuar në kandidatët demokratë për Qarkun e Elbasanit, Endri Hasa shprehu ëndrrën e tij për të nxitur zhvillimin e teknologjisë në vend dhe përhapjen e përdorimit të saj në shoqëri. “Kur isha vetëm 14 vjeç, u largova në Itali. Më pas u ktheva në Shqipëri, ku m’u dhanë mundësi si inxhinier elektronik, por jo të gjithëve u jepen këto mundësi. Prandaj jam sot këtu. Jam këtu për të punuar për një shoqëri që u jepet mundësia të gjithëve. Sidomos të rinjve. Ëndrra ime është e thjeshtë, të fusim teknologjinë kudo, në çdo shtëpi, në çdo shkollë, në çdo spital, në jetën e të gjithë njerëzve, për fëmijët tanë. Teknologjia duhet të jetë pjesë e përditshme e jetës së tyre. Teknologjia është mundësi, teknologjia është liri dhe përparim. Jam krenar që zoti Basha më ka bërë pjesë të ekipit të Republikës së re”.

Valentina Duka: PD do fitojë si e vetmja alternativë për të ardhmen europiane

Valentina Duka, pedagogia e nderuar e Universitetit të Tiranës, njëkohësisht kryesuesja e listës së kandidatëve demokratë për Korçën hapi dje fushatën elektorale të PD, ndërsa shprehu bindjen në fitoren e thellë të PD si e vetmja forcë ku shqiptarët shpresojnë të ardhmen e tyre. “Më bënë pjesë të ekipit fitues në zgjedhjet e qershorit të 2017. Në fakt kam qenë para një dileme të madhe, të vazhdoja të isha pedagoge e Universitetit të Tiranës, të vazhdoja të merresha me studime akademike apo t’i futesha politikës. Triumfoi kjo e dyta, sepse një ditë të bukur, udhëheqësi i PD, miku im jo politik, por miku im universitar, një student i shkëlqyer i Universitetit të Utrehtit, më ftoi të jem pjesë e ekipit të tij dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe, unë pranova ofertën e këtij udhëheqësi vizionar për ta çuar PD në fitore në zgjedhjet e qershorit. Arsyeja e dytë e rëndësishme ishte Korça, qyteti ku unë jam lindur, jam rritur, një nga qytetet më të bukura, më të emancipuara të Shqipërisë. Por jashtë fasadës urbane, po të shkosh në atë qytet, sheh që ka një varfëri të madhe, ka një papunësi kronike, ka një mungesë të madhe të rinisë dhe të shtresave të tjera korçare për të jetuar në atë qytet të bukur dhe duan ta lënë qytetin dhe të ikin jashtë. Demokratë dhe shqiptarë votoni Partinë Demokratike për të luftuar varfërinë, për të luftuar korrupsionin, kanabisin, për të rritur shpresat e shqiptarëve, për të jetuar në një Shqipëri më të mirë dhe më të prosperuar. Falënderoj djalin tim të dashur dhe bashkëshortin që pranuan që unë të merrem me politikë, falënderoj nënën time të shtrenjtë, e cila është një demokrate jashtëmase e madhe e Korçës, që më tha: m’u rritën 10 vjet jetë që ti pranove të jesh deputete e PD në qytetin e Korçës. Ne do të fitojmë në qershor se jemi e vetmja parti që do të çojmë Shqipërinë në radhën e kombeve të emancipuara të Europës me një djalë vizionar siç është Lulzim Basha”.

Izmira Ulqinaku: Do jem pranë bashkëqytetarëve të mi në çdo moment

Arkitektja Izmira Ulqinaku, pjesë e listës së kandidatëve demokratë për Qarkun e Shkodrës iu drejtua dje bashkëqytetarëve të saj shkodranë duke iu garantuar se do t’u qëndrojë në çdo moment për të ndarë shqetësimet e tyre dhe për t’u përpjekur për t’i zgjidhur ato. “Unë përfaqësoj Shkodrën e artit dhe të kulturës. Falënderoj zotin Basha për mbështetjen dhe besimin. Do të jem pranë bashkëqytetarëve të mi në çdo moment, në çdo kohë. Jam arkitekte, jam specialiste fasadash. Në profesionin tim të ndërtimit, fasadat renditen të fundit, janë thjesht estetikë. Kryesore kemi funksionin dhe ndërtimin e volumit. Rilindja ishte fasadë pa godinë, pa funksion, pa volum. Pas fasadës së Rilindjes fshihet krimi, droga, varfëria, papunësia dhe eksodi i të rinjve. U bëj thirrje të gjithëve, të hedhim themelet e forta të një godine, në funksion të popullit. Më 25 qershor të hedhim themelet e Republikës së re”.

Orjola Pampuri: Më 25 qershor të tundim themelet për Republikën e re

Orjola Pampuri, pedagoge e psikologe e mirënjohur në listën e kandidatëve demokratë në Tiranë shprehu bindjen se më 25 qershor shqiptarët do të festojnë së bashku nisjen e Republikës së re. “Krenare që jam këtu sot, krenare që do t’iu përfaqësoj. Të gjithë jemi një, të gjithë jemi të bashkuar që më 25 qershor të tundim themelet dhe të ndërtojmë Republikën e re. Në fakt, në punën time si psikologe, u bë vite që punoj me fëmijë dhe adoleshentë. Janë pjesa më e rëndësishme e kësaj shoqërie, janë ajo pjesë, e cila është cenuar fort. Është cenuar, sepse është cenuar fort sistemi arsimor, sistemi shëndetësor, është cenuar fort gjithçka që ka të bëjë me ta. Gjithçka që u ofron të mirë dhe jetën e qetë. E pra, të rrisësh fëmijë me kaq shumë probleme, do të thotë që të kesh themele jo të forta për një shoqëri. Çfarë Shqipërie do të ndërtojmë pa një fëmijëri të shëndetshme? Jo, fëmijërinë e shëndetshme mund ta ndërtojmë vetëm me Republikën e re, me kryeministrin tonë të ardhshëm, zotin Lulzim Basha. Vërtet do të largohem nga auditorët, por zërin e studentëve dhe të të rinjve do ta përfaqësoj denjësisht në Parlamentin shqiptar”.

Flamur Hoxha: Do jemi në dyert e çdo shqiptari për të ofruar të ardhmen

Sipërmarrës i suksesshëm prej 25 vitesh, Flamur Hoxha i listuar në kandidatët demokratë për Qarkun e Tiranës, shprehu angazhimin dje për të shërbyer me përulje ndaj qytetarëve në zbatim të programit ambicioz të PD në zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen e vendit. “Jam krenar që sot mbështes skuadrën e demokratëve me përgjegjësinë e madhe dhe angazhimin tim për të qenë me përgjegjësi ndaj vlerave, idealeve të Partisë Dmeokratike. Në emër të sipërmarrësve të gjithë Shqipërisë mbështes Lulzim Bashën dhe programin ekonomik të Partisë Demokratike. Programin e shqiptarëve të lirë, të taksave të ulëta, të pagave dinjitoze, të investimeve të përgjithshme të punësimit dhe jo të pallavrave, kjo është Shqipëria, ky është modeli ekonomik, unë do të jem mbështetës i këtij modeli. Ndoshta për të fituar është paksa e lehtë, mjafton të premtosh, por është më e vështirë të mbash fitoren. Për të fituar ju ftoj të gjithë shqiptarëve të trokasim në çdo derë të çdo shqiptari, në çdo familje të nxjerrim shpresën për të ardhmen kudo dhe njëkohësisht të mos harrojmë se pas fitores duhet të punojmë shumë, të përulemi, të shërbejmë, sepse është shumë e vështirë për ta ruajtur fitoren dhe për ta çuar Shqipërinë përpara. Kjo është Republika e re, republika nën vizionin e liderit Basha”.

Fatbardha Kadiu: Bashkë për një ekonomi të fortë dhe një të ardhme të sigurtë

Fatbardha Kadiu, një tjetër personalitet i shquar nga fusha akademike, doktore shkencash në fushën e politikave fiskale, në listën e kandidatëve demokratë për Qarkun e Durrësit. “Është nder, krenari të jem këtu, por më besoni mbi të gjitha është përgjegjësi. E ndjen më shumë se kurrë që sot duhet të jap kontributin tim direkt për zhvillimin e këtij vendi. Nuk mundet dot më të suportoj se si njerëzit, se si pak njerëz të këtij vendi pasurohen në mënyrë korruptive dhe abuzive, ndërkohë që gjithë populli shqiptar taksohet në mënyrë të padrejtë. Republika e re do t’i japë frymë sistemit proporcional, ky sistem do t’i japë të gjithë efektet pozitive agjentëve ekonomikë të këtij vendi për të pasur një ekonomi të fortë dhe një të ardhme të sigurtë”.

Agron Shehaj: Çdo gjë për ndryshimin e jetës së qytetarëve

Një nga sipërmarrësit shqiptarë më të suksesshëm, Agron Shehaj, në krye të listës demokrate për Vlorën shprehu angazhimin për të bërë çdo gjë për të përmirësuar jetën e qytetarëve vlonjatë e gjithë shqiptarëve. “Jam larguar nga qyteti im kur isha 13 vjeç drejt Italisë, drejt të panjohurës. Sot jam këtu, si një njeri që është shkolluar, ka punuar dhe ka shfrytëzuar mundësinë dhe lirinë e Perëndimit, me këmbënguljen e një shqiptari dhe me guximin e një vlonjati. Ai gjak shqiptari më ka kthyer në vendin tim, ajo zemër vlonjate më kthen në qytetin tim të lindjes. Kthehem sepse njeriu kthehet gjithmonë te vetja. U ktheva në Shqipëri me përvojën perëndimore dhe krijova një kompani që më dha mua dhe bashkëpunëtorëve të mi sukses dhe punë. Nëse jeni duke bërë pyetjen pse iu fute politikës kur punët i kishe në rregull, sepse jam i bindur që mund të bëj më shumë, shumë më shumë. Nuk jam sot këtu për politikën dhe as për Parlamentin. Jam këtu sepse mendoj se në biznes mund të bëj shumë, por vetëm përmes politikës mund të bësh ndryshimin e jetës së njerëzve, kam arritur aty ku jam falë hapjes së perdes, së lirisë të vitit ‘91, hapjes së Shqipërisë përmes futjes në NATO dhe liberalizimit të vizave, jam këtu edhe si një shenjë e një tjetër hapjeje, ftesës që kryetari i opozitës së bashkuar, zoti Lulzim Basha bëri drejt shoqërisë, akademikëve, të rinjve dhe sipërmarrësve si unë. Me këtë hapje në sy dhe në mendje të shohim përpara drejt fitores së 25 qershorit, për Republikën e re me Lulzim Bashën”.

Romeo Gurakuqi: Kjo është Republika e re ku shqiptarët do ecin të sigurtë

Romeo Gurakuqi, profesori dhe akademiku i mirënjohur, në krye të listës demokrate për Qarkun e Shkodrës premtoi se do të mbajë lart dinjitetin e shkodranëve, ndërsa ftoi gjithë shqiptarët të bashkohen në projektin e madh të Republikës së re. “Ky është një moment shumë i rëndësishëm i procesit të ndërtimit të Republikës së re, e cila nuk do të jetë vetëm me fjalë, por do të jetë një Republikë e njerëzve të ndershëm, një Republikë e një Shqipërie europiane, e cila do të ecë e sigurtë, në paqe, në përparim, në proceset integruese për t’u bërë një vend i nderuar në Europë. Jam veçanërisht i respektuar që vij të përfaqësoj Shkodrën, një përfaqësi tradicionale, të djeshme dhe të sotme shumë të nderuar. Përgjegjësia ime dhe e gjithsecilit që do të përfaqësojë Shkodrën dhe krahinën e saj është e një rëndësie të veçantë, kjo sepse objektivat tona kanë të bëjnë me risistemimin e të gjithë sistemit të investimeve në këtë krahinë për të vazhduar ritmin e proceseve zhvillimore në një hapësirë që shkon paralelisht si nga periferia drejt qendrës dhe anasjelltas. Së dyti, proces shumë i rëndësishëm për Shkodrën, krahinën, por edhe për gjithë Shqipërinë është bërja e Shqipërisë një vend ku bashkëqytetarët tanë që jetojnë prej vitesh dhe dekadash jashtë vendit të mund të kthehen dhe të gjejnë një strehë ku të jetojnë të lumtur në paqe dhe harmoni. Ne shqiptarinë do ta bëjmë jo vetëm me shqiptarët që jetojnë këtu, por me gjithë shqiptarët e tjerë si një bashkësi kompakte që shikon me largpamësi proceset integruese në një vend të lirë. I premtoj Shkodrës teme dhe gjithë krahinës së saj që do të ruajmë lart emrin e një vendi, i cili ka ditur të jetë i orientuar në mënyrë të përhershme në Shqipëri dhe të jetë pjesë e pandarë e Shqipërisë. Premtoj se do të jem jo vetëm përfaqësues i Shkodrës, por edhe mbrojtës i të gjithë proceseve integruese ashtu siç kam bërë edhe me punën time”.

PD e Vlorës: Me këtë listë i  rrezikojmë mandatin Ramës

Kryeministri Rama edhe mund ta cilësojë listën e PD si bashkim humbësish, mirëpo dega e demokratëve në Vlorë paralajmëron se me emrat e përzgjedhur do të rrezikojë edhe mandatin e vetë Ramës. Paralajmërimi vjen pas zyrtarizimit të listës së Vlorës, në të cilën janë përfshirë emrat e aleatëve, ku bie në sy edhe ish-deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri. Pas zyrtarizimit të listës së kandidatëve për deputetë në Vlorë, demokratët duken plot besim se do të rrezikojnë edhe mandatin e kryeministrit Edi Rama, i gjashti në listën e socialistëve. Nazeraj: Ne kërkojmë të maksimalizojmë votat, rreshtimit ironik të PS-së ku i gjashti është kryetari i PS apo Kryeministri i vendit. Ne i kemi vënë një listë serioze për ta injoruar këtë ironi. Ne objektivin e kemi të nxjerrim jashtë loje pikërisht kryetarin e PS-së. Lista e kandidatëve të Partisë Demokratike për Vlorën, duket se nuk ka hasur në kundërshtime, edhe pse në të janë përfshirë emrat e aleatëve, ku i treti renditet kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ndërsa Dashamir Tahiri, ish-deputeti i PDIU tashmë në radhët e Partisë Republikane listohet i pesti. Edhe Balli Kombëtar përfaqësohet në listën e Vlorës me Adriatik Alimadhin në vendin e gjashtë. Për kryedemokratin, Gramoz Nazeraj, lista përpiqet të unifikojë forcat. Nazeraj: Është një listë që më së shumti bie në sy për përfaqësimin gjeografik, pse jo edhe të marrëdhënieve me partitë aleate, ku Partia Demokratike demonstroi qartë besnikëri dhe qëndrueshmëri në marrëdhëniet me to. Pas publikimit të listave, tashmë demokratët e Vlorës janë gati të ndezin motorët e fushatës elektorale të 25 qershorit.

40 mijë komisionerët zgjedhorë që angazhohen për zgjedhjet për Kuvend

Rreth 40 mijë shtetas në mbarë vendin do të angazhohen si komisionerë dhe numërues për zgjedhjet e 25 qershorit. Zëdhënësja e KQZ, paralajmëroi administratën zgjedhore se pavarësisht se emrat e tyre propozohen nga partitë politike secili do të mbajë përgjegjësi ligjore nëse nuk i përmbahet respektimit të Kodit Zgjedhor. Hoxhaj nënvizoi se çdo lloj funksioni për administrimin zgjedhor nuk konsiderohet veprimtari për qëllime partiake. Hoxhaj: Për administrimin e procesit zgjedhor të 25 qershorit 2017 në të tre nivelet e administratës zgjedhore të përkohshme, komisionet e zonës së administrimit zgjedhor, komisionet e qendrave të votimit, grupet e numërimit, do të angazhohen rreth 40 mijë shtetas si komisionerë apo numërues. Pavarësisht se administrata zgjedhore propozohet nga partitë politike, emërimi i tyre në detyrën e komisionerit apo numëruesit ngarkon secilin prej tyre me përgjegjësi ligjore për të administruar procesin zgjedhor sipas rregullave të Kodit Zgjedhor në mënyrë të paanshme dhe transparente. Marr shkas nga disa shqetësime të shprehura nga komisionerët, trajnuesit dhe inspektorët rajonalë zgjedhorë pas ndryshimeve të fundit ligjore të miratuara nga Kuvendi, KQZ informon se çdo lloj funksioni për administrimin zgjedhor nuk konsiderohet veprimtari për qëllime partiake. KQZ rithekson se angazhimi i komisionerëve si anëtarë të KZAZ, KQV, GNV, nuk bie ndesh as me asnjë nga aktet e fundit ligjore dhe nënligjore. Hoxhaj: Ndalimi i vënies në përdorim të subjekteve zgjedhore, i adminsitratës publike të çdo niveli, është një nga parimet kryesore të Kodit Zgjedhor që nga momenti i krijimit të tij. Me gjithë ndryshimet e bëra ndër vite të Kodit Zgjedhor, ky parim është ruajtur dhe angazhimet si komisionerë të burimeve njerëzore që vinin dhe vijnë nga administrata publike, nuk janë konsideruar si angazhim në veprimtari fushate dhe politike, as nga faktorët vendas e të huaj dhe as nuk është cituar në raportet e OSBE/ODIHR. 40 mijë komisionerët zgjedhorë që angazhohen për zgjedhjet për Kuvend, të datës 25 qershor, kanë përgjegjësinë për të kryer detyrën sipas Kodit Zgjedhor dhe akteve të KQZ-së, të cilat garantojnë ushtrimin e detyrës në mënyrë të paanshme dhe të pandikuar. Gjithashtu, kanë edhe përgjegjësinë morale ndaj shoqërisë shqiptare, ndaj 3.452.260 votuesve, për të administruar dhe lexuar me korrektësi çdo vullnet të tyre, të shprehur me votë.

Exit mobile version