Katër organizata ndërkombëtare paralajmërojnë Ramën për ligjin e shpifjes

Katër organizatat e dërguan letrën e hapur për Kryeministrin Edi Rama dhe Ministren e Drejtësisë Etilda Gjoni të mërkurën dhe kërkuan tërheqjen e tyre nga iniciativa për të ndryshuar dy ligje të cilat parashikojnë regjistrim, mbikëqyrje, gjobitje dhe mbyllje të medias në internet dhe që janë prezantuar pak javë më parë në kuadër të asaj që kryeministri e quan “paketë antishpifje”.
“Iniciativa juaj bie ndesh praktikave më të mira dhe është kundër rekomandimeve të OSBE-së dhe shkakton shqetësime të mëdha për ne,” shkruhet në letër.
“Nëse projektligjet e propozuara miratohen nga parlamenti, ato do të dëmtojnë rëndë qarkullimin e lirë të informacionit dhe do të kenë efekt pengues për median në internet e do të kufizojnë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për akses në informim,” vijon më tej letra.
“Ne shprehim zhgënjim të thellë se ky ligj është hartuar pas dyerve të mbyllura, pa përfshirë gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile përgjatë procesit të hartimit,” vijon më tej letra.

Dy projektligje të hartuara nga qeveria parashikojnë krijimin e një regjistri të medias online pranë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) si dhe vendosjen e përmbajtjes së medias online nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Medias Audiovizive dhe një Këshilli Ankesash, një komision pranë AMA, i cili do të ketë fuqinë të gjykojë nëse media është e njëanshme apo e paanshme, nëse ajo cënon moralin publik apo jo dhe nëse e gjykon të arsyeshme, mund të vendosë gjoba deri në 8 mijë euro dhe të urdhërojë mbylljen e këtyre mediave.
Kryeministri Edi Rama është ankuar vazhdimisht për ato që i quan “shpifje” në media, në përgjithësi atë në internet dhe ka kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme përgjatë viteve të fundit se do të marrë masa.
Gjithsesi, masat që synohen të ndërmerren prej tij konsiderohen nga organizatat ndërkombëtare si shkelje e rëndë e lirisë së medias.
“Ne ju kërkojmë ju të ndërprisni menjëherë iniciativën për të amenduar këto dy projektligje dhe të përfshini gazetarët, shoqërinë civile, përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medias, Bashkimin Europian dhe Këshillin e Europës në çfarëdolloj iniciative që prek lirinë e shprehjes, median dhe gazetarët,” shkruhet në letër.

Exit mobile version