Katër skenarët për Francën

Dukej shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Pro europiani Emmanuel Macron është diplomuar nga shkolla e madhe ENA, ka dalë nga banka Rothschild, është mbështetur nga media, ka dalë nga politika e Hollande, është shok i emigrantëve: të gjitha këto gjëra – Europë, ENA, bankat, Paris, media, Hollande, emigrantët – që thellë Franca urren më së shumti. Sulmi ndaj policëve në Champs-Elysees ka thyer këtë magji apo e bëri atë më të brishtë.
Megjithatë, sondazhet janë unanimë: Emmanuel Macron, 39-vjeçari i butë, i pasur, pianist – ai ka studiuar për dhjetë vjet në konservator – me sy blu (si të gjithë kandidatët e mëdhenj përveç njërit), sot pritet të fitojë në raundin e parë të garës për president në Francë dhe pas dy javëve të mundë Marine le Pen në balotazh.
Në sondazhet e djeshme ka rritur hendekun – në pesë pikë – ndaj kandidatit tjetër Fillon, që po bie me shpejtësi. Mbetet të shihet nëse sondazhet fotografojnë realisht Francën e hidhëruar të pranverës 2017 apo atë botë ideale ku Londra votoi për të qëndruar në Evropë dhe Hillary bëhet president e Shteteve të Bashkuara. Kjo është e gjitha shumë e mirë për të qenë e vërtetë, shkruan e përditshmja italiane, “Corriere”.
Kandidatja tjetër anti euro, Marine le Pen ka kërcënuar se në rast se fiton ajo, atëherë do të mbyllen kufijtë. Sulmi i fundit terrorist në Francë, ku u sulmuan dy policë, pritet të ketë ndikim në 27% të të pavendosurve.
Megjithatë, rezultati mbetet i paparashikueshëm. Katër kandidatë janë praktikisht në linjë për të luftuar për balotazhin. E ardhmja e Francës dhe në disa mënyra edhe të Evropës, nuk kishte qenë asnjëherë kaq e paqartë sa në prag të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale. Dhe në qoftë se François Fillon, Marine le Pen, Emmanuel Macron dhe Jean-Luc Melenchon ndodhen pothuajse në një nivel, katër janë edhe skenarët kryesorë që do të propozohen në tregje, duke filluar nga e hëna.
Nëse Macron e Fillon zënë dy vendet e para në raundin e parë që do të mbahet të dielën dhe shkojnë në balotazh më 7 maj, më shumë mundësi ka të fitojë Macron, për shkak të skandaleve që ka pasur kandidati tjetër për lidhje të familjarëve me Parlamentin. Tregu do të mirëpriste fitoren e secilit.
Nëse Fillon do të dilte në balotazh me Le Pen e Melenchon, reagimi fillestar i tregjeve do të ishte pozitiv, sepse pritet që Fillon në raundin tjetër të marrë dhe votat e Melenchon.
Skenari i tretë është ai më negativi për tregjet, që Le Pen e Melenchon të shkojnë në balotazh. Një skenar i tillë do të bënte që investitorët të viheshin përpara zgjedhjes së të keqes më të vogël, euroskepticizmit të Le Pen dhe kthimit të shtetit të mirëqenies, me ndërhyrje të shumta, që është shumë i kritikuar nga financa e globalizuar, model që e propozon Melenchon.
Skenari i katërt, që është edhe më i mundshmi është ai i pritjes. Kjo nënkupton një raund të dytë në të cilin përballen Macron dhe një prej dy kandidatëve më antisistem Le Pen e Melenchon. Në këtë rast ka shumë të ngjarë që tregjet të rrinë duke vëzhguar, në pritje të një rezultati që nuk është i lehtë për t’u parashikuar, për të ndjekur më pas një nga skenarët “pro treg” ose “anti treg”, në varësi të fituesit.

Artikulli paraprakMaqedonia në një krizë politike pa rrugëdalje
Artikulli tjetërShqipëria dhe skenari grek i borxhit publik