Banorët e një pallati 13 katësh i cili ndodhet para Drejtorisë së Policisë Durrës, kanë dy javë që janë futur në protestë.
Shumë familje janë rrugëve, bonuset janë ndërprerë prej një viti, pasi pas katër vitesh bashkia po iu rikthehet pallateve duke i riklasifikuar nga DS1, DS2 në DS4 dhe DS5, duke hedhur poshtë aktet e miratuara nga Instituti i Ndërtimit pas tërmetit.
Banorët thonë se që nga viti 2019 ka ndryshuar disa herë vlerësimi i dëmeve, duke kërkuar një riinspektim pasi nuk janë të bindur se pallati ka dëme strukturore.
Në emisionin “Fol” në MCN TV, ata thanë se pallati u verifikua pas tërmetit, por banorët vazhduan të jetojnë aty dhe tani u thonë që të dalin sërish.
Në fillim iu thanë se pallati 14-vjeçar ka dëmtime të lehta murale, por nuk konstatohej asnjë dëmtim në konstruksion dhe në strukturë. Ndërkohë prej dy javësh 50 hyrjeve dhe bizneseve që ka pallati, iu janë ndërprerë dritat dhe uji.
Njëra nga banoret thotë se në pallatin e tyre iu kanë shkuar para dy javësh dhe i kanë lajmëruar që të dalin nga shtëpitë sepse do bëhet rikonstruktimi i pallatit, pa pasur asnjë inxhinier me të cilin të bisedojnë përfaqësuesit e pallatit që të informohen se çfarë do të ndodhë me pallatin e tyre.
Në shkresën e parë që mban datën 19.12.2019, Instituti i Ndërtimit vlerësoi se niveli i dëmtimit është DS1, i lehtë.
Dy javë pas tërmetit erdhën e panë, hynë në të gjithë ambientet, kanë hyrë në themele, bodrume, kanë parë çdo kolon dhe ndërtim.
Kolonat janë të palëvizshme, dëmtimet janë të suvasë. Në strukturë ne nuk kemi dëmtime. Pas akt konstatimit se pallati është i banueshëm, ishte normale dhe u kthyem në shtëpi.
Në vitin 2020 ne kemi dalë DS3 dhe kanë konstatuar se ishte DS3. Në 2020 dolëm nga pallati, na dhanë bonusin e qirasë për dy vite.
Në fillim të 2023 pallati ka qenë i gjithi me banorët brenda dhe bizneset. Na thanë rregulloni hyrjet dhe hyni brenda. I rregulluam dhe hymë brenda.
Për DS4 ne jemi informuar nga persona të tjerë, ne jemi akoma me mendimin se jemi DS3.
Nga Instituti i Ndërtimit Tiranë nuk ka ardhur askush më që të bëjë një rivlerësim. Kërkuam një akt ekspertimi, por na është hedhur poshtë kërkesa.
Bëmë ekspertim me ekspertë të pavarur, por nuk merret në konsideratë se nuk ka vula.
I bëmë një kërkesë të dytë bashkisë për informacion, na dorëzuan procesin teknik të një pallati tjetër gabimisht. Na kanë prerë dhe dritat dhe ujin.
Ende ka banorë, se fatkeqësisht ka banorë që nuk kanë ku shkojnë, në ato kushte çnjerëzore ka njerëz që banojnë, duhet të jenë 5-6 familje që jetojnë, se nuk kanë ku shkojnë.
Na prenë dritat dhe ujin dhe na dëbuan. Përdorën pushtetin e tyre. Bashkia dha nga 5 milionë lekë për çdo hyrje për riparimin e dëmit, por pas katër vitesh e cilëson të pabanueshëm.
Kam shkuar tek shtëpia e nënës, kam fatin që kam një shtëpi tjetër, por ka shumë banorë që nuk kanë ku të shkojnë.
Ndërsa nënkryetarin e bashkisë e kemi komshi, nuk ka ardhur, nuk është dukur, nuk e ka ai si kompetencë.
Janë tre nënkryetarë dhe njëri nga ata ka dy shtëpi këtu, por nuk banon vetë këtu, e ka thjesht si pronë.
Një pallat si ne me persona shumë të moshuar, bashkia i ka strehuar në Kavalishencë. Nuk është bërë asnjë dëgjesë publike më bashkinë.
Nuk është njerëzore të presësh dritat dhe ujin, ne e kemi një kontratë me OSHEE me Ujësjellësin, nuk është njerëzore që të presësh gjërat jetësore.
Na kanë thënë se do vendoset një derë hekuri për të mos u lejuar të hyjmë në pallat.
Zoti kryeministër ju lutemi na dëgjoni, jemi njerëz respektojmë rregullat që shteti ka vendosur për çdo qytetar, jemi hequr me dhunë nga ndërtesat tona duke iu referuar një projekti për të cilin nuk jemi në dijeni pas katër vitesh, duke prerë dritat dhe ujin dhe duke na treguar se vërtetë kanë pushtet.
Një tjetër banor shpreh shqetësimin se si mund të dalë nga shtëpia dhe biznesi ku ka derdhur mundin dhe gjakun e një jete, ndërkohë që pallati nuk ka as hipotekë.
Pse na la bashkia në rrezik për 4 vite. Banorët nuk janë kundër, pallati të rregullohet, por jo të na nxjerrin kështu.
Data 11 është afati i fundit, çfarë do bëjmë do dalim, bëhet luftë me shtetin. Sipas letrës punimet do të zgjasin 220 ditë.
Rrezik na nxjerrin sërish kur të rikonstruktohet. Bonus jo dhe as alternativë strehimi nga bashkia.