Katër vrasjet në Qipro, në krim të përfshirë më shumë se tre shqiptarë

Autoritetet qipriote po zhvillojnë hetime intensive në lidhje me vrasjen e katërfishtë të ndodhur javën e shkuar, më 23 qershor, ku protagonistët kryesorë të krimit ishin dy shqiptarë. Një nga dy personat e arrestuar si pjesëmarrës në krimin e rëndë ka zbuluar detaje për shqiptarin Aleks Burreli, i cili rezulton një nga njerëzit më të kërkuar edhe nga Interpoli.
Autoritetet janë të bindur se shqiptari nuk ka dalë nga Qiproja. Kërkimet intensive ndaj tij kanë rezultuar pa sukses. 30-vjeçarja ka treguar përpara hetuesve se ku ka jetuar shqiptari ditët e fundit. Burreli thuhet se ka paguar për të fjetur në vila të ndryshme në zonë. Pagesat për fjetjen janë kryer nëpërmjet internetit dhe rezervimi është bërë për katër persona. Bashkë me vajzën është arrestuar edhe i dashuri i saj 32-vjeçar, i cili deri më tani ka mohuar çdo pjesëmarrje në krim.
Ndërkohë, polici grek që mbeti i plagosur nga ngjarja ka dhënë dëshminë në polici, duke deklaruar se në krim janë përfshirë më shumë se 3 persona. Deri më tani, thuhej se në vrasje ishin përfshirë dy shqiptarë, njëri prej të cilëve, Jani Vogli, mbeti i vdekur nga përplasja me armë.
Policia tha gjithashtu se truproja serbe e biznesmenit të fuqishëm të kazinove që vdiq nga plumbat, bëri sjellje të çuditshme. “Bodigardi serb foli në telefon, tha se ishte një vajzë. E dëgjova të thoshte ‘ne jemi këtu’, pastaj mori një SMS në celular dhe u ngrit menjëherë dhe tha se do të shkonte në tualet. Pas pak pashë një person jashtë në një rrugicë dhe filluan menjëherë të shtënat. Pastaj pashë dy burra të tjerë që erdhën me kallashnikov, hynë në restorant dhe filluan të qëllonin drejt tavolinës. Njëri prej tyre shkoi tek Kalopsidioti (biznesmeni i vrarë), i cili ishte i shtrirë në tokë dhe vazhdonte ta qëllonte”, ka rrëfyer polici i cituar nga mediat greke.

Artikulli paraprakBasha: Nuk tërhiqemi, “Venecia minus” është e papranueshme
Artikulli tjetërPezullohet gjyqtari i Beratit, kërkon favore seksuale