Çështja ndaj Eskobarit të Ballkanit u rihap dje pas intervistës nga arratia të Klement Balilit, që mohonte akuzat për drogë.
Gazeta greke “Kathimerini” ka bërë një reportazh ditën e djeshme për sasitë e mëdha të drogës që hyjnë në Greqi nga Shqipëria e që më pas trafikohen në të gjithë Evropën. Mes reshtave, gazeta greke duke iu referuar burimeve të saj, shkruan se disa ditë më parë në Tiranë kanë qenë agjentë amerikanë të DEA-s të zyrës në Athinë.
Fundi disa mujor i hetimeve të policisë ishte më 20 tetor, kur pas orës 12:00 agjentë të antidrogës bastisën një magazinë në aksin Athinë-Lamia ku u gjetën të fshehura 1 ton e 669 kg hashash. Brenda magazinës u kapën tre anëtarë të rrjetit të drogës. Midis tyre një 46-vjeçar shqiptar nga Himara, i cilësuar si “truri” i kësaj organizate. Nga dëshmitë e të arrestuarve, ata eksportonin marijuanë me kamionë frigoriferë në Gjermani, Belgjikë dhe Holandë. Droga me vlerë 7 milionë euro ishte transportuar gradualisht nga Shqipëria në Greqi javën e fundit përpara arrestimeve.
46-vjeçari konsiderohet një “lojtar” i fuqishëm në fushën e trafikimit të hashashit nga Shqipëria në Evropën Qendrore. Gjatë marrjes së tij në pyetje, ai mohoi që të ishte “truri” i rrjetit të drogës dhe pretendoi se kishte marrë udhëzime telefonike nga një bashkëpunëtor shqiptar në Holandë me emrin “John”.
Dokumenti sekret i përgatitur nga kreu i sektorit të narkotrafikut në Greqi, thekson se anëtarët e rrjetit krijojnë shoqëri virtuale transporti në Greqi, Bullgari, Austri dhe Holandë, përmes të cilave sigurojnë trafikimin e drogës.
Në maj të 2016 u arrestuan në Zakyntho grekë dhe shqiptarë dhe u sekuestruan 650 kg hashash me prejardhje nga Shqipëria, që do të ekstradoheshin në Norvegji përmes Greqisë. “Truri” i trafikut, sipas policisë greke, ishte një 50-vjeçar shqiptar banues në Belgjikë dhe 46-vjeçari shqiptar Klement Balili, banues në Sarandë.
I pari u zbulua nga policia belge, kurse i dyti njihet mediatikisht si “Eskobari i Ballkanit” ndaj të cilit ka një urdhër arresti ndërkombëtar dhe që qëndron i fshehur në Shqipëri. Informacione për “Kathimerini” thonë se ditët e fundit vizituan Tiranën agjentë amerikanë të DEA-s, që ndodhen me seli në Athinë.
PD: Rama, peng i trafikut të drogës të Balilajt
I shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i skeduar si “Eskobari i Ballkanit”, dje me gjuhën e Edi Ramës, Klement Balilaj tha se për këtë fajin e ka Saliu. Ndonëse për Balilajn ka një urdhër arresti, Edi Rama i jep mbrojtje, nuk e arreston, madje e ruan me shefat e tij të policisë, ndërsa ai pushon në hotelin e tij luksoz në Sarandë.
Kaq i rëndësishëm është Balilaj për Edi Ramën, sa sipas tij shpallja në kërkim si koka e trafikut të drogës në Ballkan është komplot “amerikano-grek”, kundër Edi Ramës.
Dhe s’ka faj, në shtetin e Edi Ramës nuk e di ku fillon krimi e ku mbaron shteti, ku fillon shteti e ku mbaron krimi.
Propaganda e Edi Ramës na e nxori Balilajn shenjtor, por meqë është kaq i pafajshëm, meqë atij dhe Edi Ramës po i bien në qafë, opozita, Agjencia amerikane e Antidrogës, DEA, policia greke, pse nuk ia dorëzon drejtësisë që të vërtetojë pafajësinë e tij?
Agjencia amerikane e Antidrogës, DEA dhe policia greke kërkojnë arrestimin e Balilajt, por Edi Rama nuk e arreston dot. Sepse ai është peng i krimit dhe i trafikut të drogës. E sollën në pushtet, po e mbajnë në pushtet dhe shpreson se do t’i garantojnë pushtet. Për para dhe pushtet, Edi Rama është gati të bëjë gjithçka, ta bëjë dhe hero “Eskobarin e Ballkanit” Klement Balilajn.
Enton DACI