“Kathimerini”: Jetë luksoze për Eskobarin shqiptar, argëtohet me anëtarë të PS

Mediat greke i janë rikthyer edhe një herë çështjes së “Eskobarit” shqiptar Klement Balili. Gazeta më e madhe në Greqi, “Kathimerini” shkruan se ish-drejtori i Transporteve në Sarandë, Balili vazhdon të bëjë jetë luksoze, pavarësisht se ndaj tij ka një urdhër-arresti ndërkombëtar.
“Në një dasmë në qytetin e Sarandës raportohet se ishte prezent i ashtuquajturi “Eskobar” i Ballkanit, 44-vjeçari shqiptar Klement Balili, ndaj të cilit ka një urdhër-arresti ndërkombëtar nga autoritetet greke. Sipas shtypit shqiptar, Balili, i cili ka mbështetje të fortë nga qeveria e Shqipërisë, mbrëmjen e së dielës ishte në një dasmë në një hotel luksoz të Sarandës. 44-vjeçari thuhet se ishte së bashku me anëtarë të Partisë Socialiste të Tepelenës”, shkruan gazeta greke “Kathimerini”.
Klement Balili që prej muajit maj të këtij viti është shpallur në kërkim pas një hetimi nga DEA amerikane, policia greke e disa polici të vendeve evropiane si kreu i një organizate kriminale ndërkombëtare që trafikonte sasi të mëdha të hashashit dhe kokainës në Evropën Qendrore dhe Evropën Perëndimore.
“Kathimerini” shkruan gjithashtu se, policia greke ka lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar ndaj 44-vjeçarit dhe për këtë ka njoftuar edhe autoritetet shqiptare, ndërkohë hetimet vazhdojnë edhe në Belgjikë e Holandë ku organizata e Balilit trafikonte drogë.

Exit mobile version