Kryetari i PD, Lulzim Basha ka deklaruar nga Kuvendi Zgjedhor i degës 15 në kryeqytet se mbrëmë u zerua zelli revolucionar i 5 muajve, duke theksuar se ky aksion “i preu fytin opozitës parlamentare.
Sipas tij revolucioni mbaroi duke i vënë kazmën komisionit për reformën zgjedhore dhe duke e paralajmëruar një skemë mafioze për t’i vënë kazmën SPAK-ut.
Basha shtoi se kauza e turpshme e pseudorevolucionit përfundoi në një pazar me përfitues të vetëm Edi Ramën dhe me humbës interesin e çdo shqiptari.
“Mbrëmë e panë mirë të gjithë shqiptarët, e panë edhe ata të shkretë që ei kanë ndjekur sa e sa muaj se ku është pazari dhe për çfarë bëhet pazari. Mbrëmë e pamë se si u zerua zelli revolucionar i 5 muajve, e them këtë jo pa ironi që për 5 muaj revolucioni nuk solli asnjë të mirë për demokratët. I preu fytin opozitës parlamentare, ndërkohë që Edi Rama vazhdonte ngrinte kartonat, miratonte buxhete, ligje, shpronësime, investime strategjike për miqtë e vet të korruptuar dhe për bandat kriminale, por opozita nuk arrinte dot as të bënte një diskutim të vetëm për buxhetin e shtetit. 7 miliardë euro buxhet, s’pikon asgjë për fermerin shqiptar. Pse? Se po bënim revolucion pra. Ku një natë të bukur revolucioni mbaroi. Si mbaroi revolucioni? Duke i vënë kazmën komisionit për reformën zgjedhore, duke e paralajmëruar një skemë mafioze për t’i vënë kazmën SPAK-ut, se aty është halli dhe mbrëmë duke aprovuar një amnisti të turpshme ku falen apo ndalet procesi. Falen ata që janë në burg dhe ndalet procesi për ata që jënë në proces gjyqsor, drejtorët e korruptuar, zyrtarët e korruptuar. Ndërsa protestuesit në masë dërrmuese demokratë kundër korrupsionit dhe kundër kriminializimit të shtetit, nuk përfitojnë. Dhe përfshirë edhe protestuesit e kësaj dege. Edhe sot, edhe javën e ardhshme do të jenë në gjyqe, sepse kauza e turpshme e pseudorevolucionit përfundoi në një Pazar me përfitues të vetëm Edi Ramën dhe me humbës interesin e çdo shqiptari.”