Kavani pranë rinovimit me PSG

Edinson Cavani është gati të rinovojë kontratën e tij me Paris Saint Germain-in, duke larguar kështu zërat që e lidhin të ardhmen e sulmuesit me një kalim të mundshëm te Atletico e Madridit në verë. Kontrata aktuale e El Matador me kampionët e Francës, skadon në qershor të vitit 2018, por brenda pak ditësh, uruguaiani do të firmosë marrëveshjen e re që do ta lidhë me klubin parizien deri në verën e vitit 2020. Me largimin e Zlatan Ibrahimoviç për te Manchester United, Cavani po mban i vetëm peshën e sulmit të skuadrës që drejtohet nga Unai Emery dhe deri tani ai ka zhvilluar një sezon fantastik, duke realizuar 24 gola në 24 ndeshje me Parisin në të gjitha kompeticionet.
Cavani papritur është shndërruar në një lojtar të pazëvendësueshëm te skuadra franceze, dhe drejtuesit e klubit nga Parc Parc Des Princes nuk dëshirojnë kurrsesi të privohen nga shërbimet e bomberit amerikano-jugor. Lajmi se Cavani ndodhet shumë pranë rinovimit të kontratës me Paris Saint Germain, u konfirmua nga vetë lojtari, i cili në një intervistë nënvizoi se pas bisedimeve të shumta ka arritur marrëveshjen me presidentin Naser Al-Khelaiffi për zgjatjen e bashkëpunimit deri në vitin 2020. Në këtë mënyrë pakësohen shanset e Atleticos së Madridit, por edhe të disa klubeve angleze që pretendonin të firmosnin me futbollistin në verën e ardhshme.

Reali i Madridit është shumë pranë marrëveshjes me një nga sulmuesit më premtues në Europë për të ardhmen. Bëhet fjalë për 17-vjeçarin Aleksandër Isak, i cili njihet si “Ibrahimoviçi me ngjyrë”. Agjentët e futbollistit të AIK Solnës kanë folur nga afër me drejtuesit e Realit dhe janë afër gjetjes së gjuhës së përbashkët. Ai do t’i kushtojë Realit 10 milionë euro. Reali nuk mund të transferojë futbollistë në këtë merkato, por ka të drejtën për të arritur marrëveshje me futbollistë të ndryshëm.

Exit mobile version