“Dolëm jashtë lokalit duke kërkuar që të qetësohej. Në këtë moment ai nxori pistoletën dhe qëlloi në drejtimin tonë. Nga plumbat mbetëm të plagosur unë dhe babai im. Ndërhymë menjëherë dhe ia morëm pistoletën nga dora sepse do të na kishte vrarë. Unë e kuptova që isha plagosur vetëm kur po rridhte gjak nga këmba”
“Ne kërkuam që situata të zgjidhej me qetësi dhe me mirëkuptim, por ai vazhdonte të na kërcënonte dhe të na shante me fjalë të rënda”
Kryetari i Forumit Rinor të PD të Kavajës, Erkid Kazazi flet nga spitali për plagosjen nga aktivisti i PS, Sajmir Kurti. Në një intervistë për gazetën “RD”, Kazazi thotë se agresori kishte ardhur me armë në lokal dhe fillimisht kishte filluar të kërcënonte babain e tij dhe vetë atë duke përdorur një fjalor të rëndë. Më pas ata kanë dalë jashtë lokalit duke kërkuar që situata të zgjidhej me qetësi, por Kurti ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar. Kazazi thotë se pas ngjarjes ka ardhur kryetari i PS të Kavajës dhe e ka marrë me makinë agresorin dhe janë larguar në drejtim të paditur, ndërsa policia nuk ka ndërhyrë për ta arrestuar.
– Zoti Kazazi, fillimisht ju urojmë shërim të shpejtë! A mund të na thoni si ndodhi ngjarja?
Ngjarja ndodhi për një konflikt parkimi makine. Sajmir Kurti erdhi në lokalin tonë dhe filloi të kërcënonte babain dhe mua, duke përdorur një fjalor të rëndë. Ne kërkuam që situata të zgjidhej me qetësi dhe me mirëkuptim, por ai vazhdonte të na kërcënonte dhe të na shante me fjalë të rënda.
– Po më pas çfarë ndodhi?
Dolëm jashtë lokalit duke kërkuar që të qetësohej. Në këtë moment ai nxori pistoletën dhe qëlloi në drejtimin tonë. Nga plumbat mbetëm të plagosur unë dhe babai im. Ndërhymë menjëherë dhe ia morëm pistoletën nga dora sepse do të na kishte vrarë. Unë e kuptova që isha plagosur vetëm kur po rridhte gjak nga këmba.
– A kishte punonjës policie në vendngjarje?
Ishin katër policë, por nuk ndërhynë. Policët morën armën që u krye krimi. Armën e kisha unë sepse ia morëm nga dora Kurtit.
– Pse nuk e arrestoi policia autorin e krimit?
Nuk di ç’të them për këtë. Ishin katër policë aty, por nuk e arrestuan. Erdhi kryetari i PS të Kavajës dhe e mori me makinë dhe u larguan me shpejtësi. Nuk e di se ku e çoi.
– Po personi i tretë që mbeti i plagosur kush ishte?
Ishte një shitës ambulant që ndodhej rastësisht aty.
– Si veproi më pas policia?
Nuk mbaj mend gjë sepse isha i plagosur dhe na dërguan në spital.