Komisioni Evropian hodhi dje një hap kyç për të mundësuar pagesat e para për vendet e Ballkanit Perëndimor nga Plani i Rritjes dhe reformave, duke miratuar në takimin e 23 tetorit agjendat e reformave për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.
Në raportin për vendin tonë fokusi padyshim vendoset te zbatimi ligjit dhe te korrupsioni. Sipas dokumentit, në Shqipëri problem mbetet korrupsioni dhe për këtë arsye një pjesë e madhe e fondeve do të fokusohen te kjo pjesë.
“Korrupsioni paraqet ende një rrezik të madh në Shqipëri, pavarësisht masave dhe reformave që po ndërmerren nga qeveria shqiptare dhe organet e pavarura të drejtësisë. Janë një sërë sfidash në luftën kundër korrupsionit dhe parashikohet që ato të përfshihen në Strategjinë e re Kundër Korrupsionit që do të miratohet në fund të këtij viti”, theksohet në dokument.
BE shprehet se do të mbështesin Shqipërinë që të hetojnë nivelet më të larta të politikës. Raporti vjen në një kohë që sapo shkoi në qeli ish-presidentit Meta. Si duket BE kërkon të tjerë emra pas hekurave.
“Reformat në fushën e parandalimit dhe goditjes së korrupsionit janë të nevojshme, pasi ato pritet të mbështesin progresin e vazhdueshëm në hetime, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare, duke përfshirë konfiskimet dhe të trajtimin e pengesave legjislative dhe rregullatore në fushat e konfliktit të interesit, sponsorizimeve dhe financimit të partive. Prioriteti duhet të jetë rritja e cilësisë së hetimeve, rritja e numrit të ndjekjeve penale dhe dënimeve, sidomos në nivelin e lartë, pasi kjo do të jetë pjesa e vlerësimit të KE”, theksohet aty.
Më pas deklarohet se në fokus do të jenë dhe liria e shprehjes, financat publike, transprenca apo dhe koncesionet apo PPP-të.