Reforma territoriale dhe administrative në Shqipëri, e cila ndryshoi hartën e vendit, duke reduktuar 400 njësi në 61 të tilla, po implementohet me ngadalësi dhe ka krijuar konfuzion. Ky është konkluzioni i misionit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale që e vizitoi Shqipërinë në muajin shkurt. Ky mision – pjesë e Këshillit të Europës – e vizitoi vendin për të vëzhguar progresin e reformës së miratuar në korrik 2014 dhe situatën pas zgjedhjeve lokale të 2015–ës në 61 bashki të reja. Raporti i misionit që kryhesohej nga raportuesi holandez, Jos Wienen, zëvendëspresident i Komitetit të Monitorimit të Kongresit, të cilin “BIRN” ka mundur ta shohë, thotë: “Pavarësisht përpjekjeve për të siguruar mbështetje të përfaqësuesve të rinj të zgjedhur përmes Agjencisë së Zbatimit të Reformës Territoriale, zbatimi i procesit në nivel lokal duket të jetë i ngadalshëm dhe ndonjëherë i pavolitshëm. “Konfuzioni në lidhje me kompetencat dhe burimet financiare duket gjerësisht mes të zgjedhurve të rinj, duke kërcënuar zbatimin në kohë të reformës”, thuhet në raport. Raporti është gjithashtu kritik edhe kur bëhet fjalë për burimet financiare të alokuara për të mbështetur këtë reformë. Pavarësisht se qeveria alokoi 3.2% të GDP-së më 2016-ën për qeverisjen vendore, niveli më i lartë i dhënë ndonjëherë, ai sërish është konsideruar i pamjaftueshëm. “Për shkak të delegimit të kompetencave të reja dhe strukturës së re administrative-territoriale, buxheti i vitit 2016 nuk korrespondon me një rritje neto në burimet e të ardhurave të autoriteteve lokale”, thuhet në raport. Raporti vë në dukje edhe akuzat e opozitës për dhënie në mënyrë të njëanshme të granteve për financimin e projekteve të veçanta në nivel lokal. “Transparenca e procesit të dhënies së granteve është një çështje shqetësuese sepse ‘Fondi i Zhvillimit të Rajoneve’ menaxhohet nga qeveria qendrore dhe kështu ajo dyshohet për favorizim politik”, thuhet në raport. Raporti vë në dukje shqetësimet e opozitës në lidhje me mënyrën se si janë vendosur kufijtë e njësive të reja territoriale dhe thotë se akuzat për manipulim të zgjedhjeve janë hedhur poshtë nga qeveria. “Megjithatë, disa kufij të qarqeve elektorale janë dukshëm të shtrembëruara (veçanërisht në komunat e Tiranës dhe Shkodrës), pa arsye të dukshme empirike”, thuhet në raport. Në përgjithësi, raporti vlerëson reformën e pushtetit lokal shqiptar të jetë në një fazë tranzicioni dhe në moment të vështirë. “Delegacioni ka marrë raporte mbi probleme të konsiderueshme në tranzicion në komunat e reja të formuara. Kryesisht ato janë për mungesën e informacionit rreth kompetencave të reja, reduktimin e konsiderueshëm të fuqisë punëtore, pasigurisë buxhetore dhe ngarkesa e trashëguara financiare në nivel lokal”, përfundoi ai.