Komisioni Europian nuk njeh çertifikatat shqiptare të vaksinimit të lëshuara nga qeveria Rama. Ende nuk dihen arsyet e këtij vendimi, por KE-ja ka njohur ekuivalencën e certifikatës digjitale Covid për Maqedoninë e Veriut, Turqinë dhe Ukrainën.
Komisioni Europian miratoi një ditë më parë tre vendime ekuivalente për Maqedoninë e Veriut, Turqinë dhe Ukrainën, të cilat kanë hyrë sot në fuqi.
Kjo do të thotë që vendet do të lidhen me sistemin e BE-së dhe se certifikatat COVID të lëshuara nga Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Ukraina do të pranohen në BE, nën të njëjtat kushte si Çertifikata digjitale e BE-së për COVID.
Në të njëjtën kohë, Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Ukraina kanë rënë dakord të pranojnë Çertifikatën digjitale COVID të BE-së për udhëtime nga BE në vendet e tyre. Pjesëmarrja e tyre në Çertifikatën digjitale të COVID-it të BE-së do të lehtësojë kështu udhëtimin e sigurt për dhe nga BE.
Komisioneri për Drejtësinë, Didier Reynders, tha: ‘Jam i kënaqur të shoh që lista e vendeve që zbatojnë një sistem të bazuar në Çertifikatën Digjitale COVID të BE-së po rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe ne po vendosim standarde ndërkombëtarisht. Kjo do të ndihmojë në lehtësimin e udhëtimit të sigurt, edhe përtej kufijve të Bashkimit tonë’.
Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, theksoi: ‘Ndërsa luftojmë së bashku pandeminë, partnerët tanë janë gjithashtu një pjesë integrale e hapjes së sigurt së bashku. Unë mirëpres Ukrainën, Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë në sistemin tonë të Çertifikatave Digjitale COVID dhe pres që më shumë fqinjët tanë të lidhen së shpejti’.
Tre vendimet e miratuara kanë hyrë në fuqi sot më 20 gusht 2021 dhe janë në dispozicion në internet. Komisioni vazhdon bashkëpunimin me vendet e tjera të treta për t’i lidhur ato me sistemin e BE-së. /SYRI.net