“Në vend të lotëve të krokodilit për një vendim të dirigjuar nga Edi Rama, Ministrja e Drejtësisë duhet t’i kërkojë prokurorisë që të zbardhë përgjimet nga burgu të Dritan Dajtit dhe t’u japë shpjegime shqiptarëve”. Ky qe reagimi i fortë i Partisë Demokratike sot, ndaj qendrimit të ministrisë së Drejtësisë dhe ministrisë Brendshme për farsën gjyqësore që u luajt me vrasësin e 4 policëve, e cila e shpëtoi atë nga burgu i përjetshëm.
Nga fjala e ministres Etilda Gjonaj: “Jam sot përpara jush në këtë deklaratë për shtyp, për një rast të paprecedent dhe shokues të ndodhur në vendimmarrjen e drejtësisë shqiptare dy ditë më parë lidhur më çështjen e Dajti. Vendimi i trupës së gjyqtarëve për pranimin e gjykimit të shkurtuar dhe uljen e dënimit me 25 vjet për një të pandehur që akuzohet për vrasjen e 4 policëve tregon qartë se kemi të bëjmë me një aferë korruptive dhe në kundërshtim me Kodin e procedurës penale”.
Deklarata e plotë e Partisë Demokratike
3 ditë me vonesë, të shtrënguar nga presioni ndërkombëtar dhe revolta e opinionit publik, kukullat e Edi Ramës në Ministrinë e Brendshme dhe në Ministrinë e Drejtësisë u bënë pjesë e teatrit kriminal me aktor Dritan Dajtin dhe regjisor Edi Ramën.
Lotët e krokodilit nuk e ndryshojnë dot faktin se vrasësi i 4 Dëshmorëve të Atdheut, Dritan Dajti, është praktikisht i liruar nga drejtësia e re e Edi Ramës.
Shqiptarët mund të gënjehen njëherë, por jo përgjithmonë!
Në vend që t’u besojnë kërcënimeve qesharake të eunukut të Ramës në Ministrinë e Brendshme, shqiptarët e dinë se karrigia e Edi Ramës është blerë nga votat e krimit të organizuar, i cili, fatkeqësisht, nuk luftohet dot me lotë krokodili.
Faktet janë kokëfortë:
1. Edi Rama kishte nën kontroll Gjykata e Lartë, kur ajo zhvlerësoi dënimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin dhe i hapi rrugë vendimit skandaloz që siguron lirinë e shpejtë të një prej kriminelëve më të tmerrshëm.
2. Edi Rama, njeriu që përgojon gjithë Tiranën, heshti kur Gjykata e Lartë ndihmoi Dritan Dajtin, heshti edhe 3 ditë më parë, pas vendimit skandaloz për Dritan Dajtin.
3. Në qeverisjen e Edi Ramës të gjithë bandat dhe kriminelët më të rrezikshëm janë lënë të lirë, që nga Hakmarrja për Drejtësi, Banda e Durrësit tek Banda e Lushnjës dhe trafikantët ndërkombëtarë të kokainës në Xibrakë.
Në vend të lotëve të krokodilit për një vendim të dirigjuar nga Edi Rama, Ministrja e Drejtësisë duhet t’i kërkojë prokurorisë që të zbardhë përgjimet nga burgu të Dritan Dajtit dhe t’u thotë shqiptarëve:
Me kë komunikon nga burgu Dritan Dajti?
Kë shantazhon nga burgu vrasësi i 4 policëve në krye të detyrës?
Kush i ka dalë Dritan Dajtit garant për lirimin e tij të shpejtë?
Pyetjet janë konkrete dhe kërkojnë përgjigje konkrete, jo lojra fjalësh e mashtrime për shkarkime gjyqtarësh nga qeveria që ka në dorë të shkarkojë Vangjush Dakon, por vazhdon ta mbrojë atë për blerjen e votave në bashkëpunim me të ngjashmit e Dritan Dajtit?