Kë shantazhon Tahiri me “ambasadorë të blerë”?

Ish-ministri i Brendshëm ka tentuar në deklaratën e dorëzimit të mandatit të shantazhojë direkt ambasadorë të huaj. Kjo pjesë e deklaratës së Tahirit nuk u pasqyrua në media, ndonëse Tahiri e kishte si pikë të fortë mesazhit që lëshoi. Askush nuk u ndal dhe askush nuk e komentoi. Për kë e kishte këtë mesazh në gjuhën e mafies ish-ministri i Brendshëm? Kush janë blerësit e këtyre ambasadorëve dhe me cilët para qenkan blerë këta ambasadorë? Mund të jetë e para deklaratë publike e një ish-ministri të qeverisë që direkt atakon ambasadorë të vendeve partnere.
Pyetja që shtrohet sot është se çfarë di Tahiri për ambasadorët e blerë dhe çfarë ka ndodhur nga dita kur është bërë kjo deklaratë?
Ndoshta do të duhej të kishte një hetim vetëm për këtë deklaratë pasi cënon nderin e përfaqësuesve të vendeve partnere të Shqipërisë. Ajo që mund të supozohet është mbi bazën e asaj që ka ndodhur pak kohë më parë në Shqipëri. Nuk duhet harruar se opozita denoncoi skandalin e një pajisje përgjimi “Imsi Charter” që u kap në flagrancë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Pajisja ishte përdorur gjëriësht për përgjime. Opozita deklaroi se pajisja ishte përdorur për të hetuar edhe ambasadorë të huaj. Çfarë ka ndodhur në lidhje me këtë pajisje mbetet ende enigmë vetëm se dje dëgjuam nga goja e ish-ministrit të Brendshëm një mesazh shantazhues ndaj disa ambasadorëve duke deklaruar se ata “janë blerë”. Kujtojmë se një mesazh të tillë ka lëshuar edhe ish-kreu i qeverisë Rama kohë më parë, ndërsa media e kontrolluar prej tij “Dita” i’u vërsul 24 orë më pas ambasadorit Lu.

Rama dhe Tahiri njihen si manjakë të përgjimeve. Dhe këtë e kanë një mjet politik për të shantazhuar dhe mbajtur nën kontroll kundërshtarët ku të munden. A kanë përgjuar Rama dhe Tahiri ambasadorë të huaj? Ku e di Tahiri se këta ambasadorë janë blerë? Pse askush nuk reagon në mënyrë institucionale? Çfarë provash disponon në duart e tij ish-ministri i Brendshëm Tahiri?
Deklarata e Tahirit
Duke akuzuar të tjerët për gjëra që kanë bërë vetë, ia hodhën. Duke blerë gjyqtarë e prokurorë, duke shpërndarë tendera e koncesione, duke marrë lekë për një legalizim, për një hipotekë, edhe për të futur njerëz në punë duke marrë lekë, e me to kanë blerë rehatin, e kështu rrojnë.
Duke blerë kundërshtarin në parlament, ia hodhën. Duke mbyllur gojë, duke blerë heshtje, në pazarin e madh bodrumeve të parlamentit ku bien dakort njeri mos merret me të shkuarën e tjetrin, tjetri mos merret me të tashmen e njërit. Duke blerë media, portale, sondazhe. Në Shqipëri e jashtë Shqipërisë. Ku një artikull ku shahem unë, pasohet nga një tjetër ku lavdërohet ai që e ka paguar.
Duke blerë të huaj, ambasadorë e deputetë. Duke blerë e shitur gjithçka, në kurriz të njerëzve hallexhi të këtij vendi. Kështu ia hodhën. Dhe më bëjnë mua moral. Ndaj ndoshta heshtja ime deri sot i duket si kurriz i përkulur. Por po e them thjeshtë; në qoftë se ka njeri që heshtjen time në respekt të drejtësisë e ka marrë për nënshtrim, për dobësi, për frikë apo dorëzim, nuk më keni njohur fare ndaj rimendojeni e bëjini llogaritë nga e para. Unë as jam dorëzuar. E as kam ndërmend ta bëj.

Exit mobile version