Kë të besojmë Romana?

Prej tre ditësh ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Vlahutin dhe dokumentet zyrtare të institucioneve të deklarimit të pasurisë në Kroaci po përballen mediatikisht mbi deklaratën e pasurisë së zonjës Vlahutin në Kroaci gjatë kohës që ajo ka qenë këshilltare e Presidentit kroat.
Deklaratat e autoriteteve zyrtare kroate janë të kundërta me sqarimin që jep në Tiranë ambasadorja e BE. Për autoritetet kroate është e qartë se kemi të bëjmë me një shkelje të ligjit nga zonja Vlahutin.
Ambasadorja nuk e mohon të ketë shkelur ligjin, por justifikohet duke thënë se ajo nuk ka qenë në dijeni të kërkesës së bërë nga autoritetet zyrtare kroate për saktësime në deklaratën e pasurisë në lidhje me pagën e saj bruto si dhe saktësimet në pronat e paluajtshme.
Në njoftimin zyrtar të zyrës së Delegacionit të Bashkimit Europian thuhet se zonja Vlahutin nuk arriti të marrë njoftimin zyrtar pasi u largua në shtator të vitit 2014 në drejtim të Tiranës ku u emërua si ambasadore, ndërkohë që autoritetet zyrtare kroate thonë se kërkesa është dorëzuar zyrtarisht në shkurt 2015.
Eshtë e qartë se dokumentat zyrtare kroate nuk përputhen me shpjegimet që jep zonja Vlahutin. Pyetja që shtrohet kë duhet të besojë opinioni publik në Shqipëri, autoritetet zyrtare të një vendi anëtar të Bashkimit Europian apo deklarata e zonjës Vlahutin që edhe kur bën sqarimet për një çështje që lidhet me kohën kur ajo nuk ka qenë ambasadore e BE preferon të siglojë me vulën e Bashkimit Europian?

Reagimi TV-Klan

Dy ditë më parë, ambasadorja e BE në Tiranë, iu përgjigj interesit të “Televizionit Klan” në lidhje me akuzat e ngritura ndaj saj nga institucioni kroat, që merret me paradalimin e konfliktit të interesit për zyrtarët e lartë të administratës shtetërore kroate. Në thelbin e përgjigjes për akuzat e mosdeklarimit të plotë të të ardhurave dhe kredive të marra në kohën kur ishte këshilltare e Presidentit të Kroacisë, znj. Vlahutin thekson faktin e mosmarrjes dijeni në kohën e duhur.
“Në janar 2015, formulari i deklarimit për zyrtarët publikë në Kroaci u ndryshua në një formular shumë më të detajuar në format elektronik. Për këtë arsye, Komisioni kishte dërguar një shkresë zyrtare me anë të së cilës kërkonte sqarime të mëtejshme për disa çështje, por këtë shkresë ambasadorja Vlahutin nuk e kishte marrë, për arsye se ajo nuk ishte më banuese në Zagreb, pasi kishte lëvizur në Tiranë në tetor 2014”.
Por sa qëndron kjo deklaratë e saj? Në raportin për këtë çështje, në lidhje me procedurën e njoftimit, Komisioni për Parandalimin e Konfliktit të Interesit të Republikës së Kroacisë, për rastin e znj. Vlahutin, thuhet se:
“Pas kontrollit të dokumenteve është vërtetuar se kërkesa është dorëzuar në rregull më datë 13 shkurt 2015”.
Pra, sipas Komisionit Shtetëror të Parandalimit të Konfliktit të Interesit të Kroacisë, znj. Vlahutin është njoftuar në mënyrë të rregullt për plotësimin e deklaratës së pasurisë. Ç’ka nënkupton se ajo edhe ka marrë njoftim.
Por sërish, Komisioni nuk ka marrë në kohën e duhur deklaratën e pasurisë të nënshkruar nga znj. Vlahutin ç’ka e ka detyruar Komisionin të nisë procedurën kundër saj dhe të sanksionojë se znj. Vlahutin ka shkelur ligjin, por duke mos marrë masa ndaj saj pasi procedura nuk e lejonte një gjë të tillë, pasi prej 12 muajsh nuk mbante më një detyrë shtetërore në Kroaci, pasi në fakt ushtronte detyrën e ambasadores së BE në Shqipëri.
Por përveç faktit se zyrtarë të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, shprehen se njoftimi për znj. Vlahutin është bërë në mënyrë të rregullt, në raportin e tij, ky Komision shprehet se gjithsesi legjislacioni kroat e ka të shprehur shumë qartë për zyrtarët në rangun e znj. Vlahutin detyrimin për dorëzimin e deklaratës së pasurisë.
“Në nenin 8, paragrafi 2, të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, përcaktohet se është detyrë e zyrtarit që brenda afatit kohor të 30 ditëve, nga përfundimi i funksioneve zyrtare të dorëzojë në Komision informacionin mbi pasurinë. Ky informacion, në bazë të nenit 8, paragrafi 9 të ligjit, bëhet në formularin e përcaktuar nga Komisioni”.
Pra, sipas këtij Komisioni gjithsesi edhe pse e sanksionuar në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit edhe pse e lajmëruar në mënyrë të rregullt nga ky Komision, znj. Romana Vlahutin, ish–këshilltare e Presidentit të Kroacisë, nuk e ka dorëzuar deklaratën e saj të pasurisë, ç’ka më pas solli dhe vendimin që sanksionon shkeljen e ligjit kroat nga ambasadorja aktuale e BE-së në Tiranë.

Vlahutin: Nuk u informova për ndryshimin e formularit
Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, reagon një ditë pas publikimit në Televizionin“Klan”të dokumentit të Komisionit për Përcaktimin e Konfliktit të Interesit në Kroaci, i cili ka gjetur shkelje në deklarimin e saj në përfundim të detyrës si Këshilltare për Çështjet e Jashtme të Presidentit të vendit. Në përgjigje të kërkesës së bërë nga Televizioni “Klan”, për një koment lidhur me këtë çështje, Zyra e Shtypit e Delegacionit të BE në Tiranë thotë se, Vlahutin u largua nga detyra më 30 shtator 2014 dhe nga Kroacia një muaj më pas, pasi kishte dorëzuar formularin e deklarimit, sipas të gjithë parametrave. Në përgjigjen e saj, Vlahutin thekson se gjatë kohës që ajo ishte në Tiranë, formulari i deklarimit në Kroaci kishte ndryshuar dhe për këtë është informuar me vonesë.
Vlahutin thotë se në janar 2016 gjeti në postën e saj një letër tjetër dhe u lidh menjëherë me Komisionin, duke kërkuar mundësinë e plotësimit të pjesëve të reja të formularit, por kjo nuk ishte e mundur nga pikëpamja procedurale, për arsye se regjistrat në Kroaci janë aktivë vetëm për 12 muaj dhe se ajo nuk ishte më zyrtare në këtë vend. Në përgjigjen e saj, Vlahutin thotë se zyrtarët kroatë, në kategorinë e ambasadorëve u nënshtrohen një verifikimi sigurie të hollësishëm sekret nga NATO dhe BE, i cili përfshin një sasi edhe më të hollësishme dhe tërësore informacioni se sa deklarimi, përfshirë të gjitha informacionet mbi transaksionet financiare dhe pasurinë. Në raportin që Televizioni “Klan” disponon thuhet se, Vlahutin nuk deklaroi pagën neto dhe bruto, nuk tregoi adresat e sakta të pasurive të paluajshme dhe nuk tregoi emrin e kreditorit të një kredie të marrë për strehim, pas përfundimit të detyrës si Këshilltare e Presidentit të Kroacisë për Punët e Jashtme. Raporti përmend edhe faktin që ndaj saj nuk mund të merren sanksione, për shkak se ajo nuk figuronte prej një viti zyrtare në këtë vend. /Tv Klan/

Artikulli paraprakTurizëm me rrezik vdekje!
Artikulli tjetërFaqja e parë