Bashkimi Europian kërkon zbatimin pikë për pikë të marrëveshjes së dakordësuar mes kreut të PD, Basha dhe kryeministrit Rama për garantimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, që ato të jenë të lira dhe të ndershme. Përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Johannes Hahn kanë përshëndetur marrëveshjen e arritur mes kreut të mazhorancës dhe atij të opozitës për mbajtjen e zgjedhjeve më 25 qershor. Përmes një deklarate të përbashkët për shtyp, zyrtarët e BE shprehen se klasa politike tregoi pjekuri demokratike. “Përgëzojmë partitë politike në Shqipëri për marrëveshjen e arritur, që do të çojë në mbajtjen e zgjedhjeve më 25 qershor 2017 me pjesëmarrjen e të gjitha partive. Udhëheqësit politikë u janë përgjigjur pritshmërive të qytetarëve të tyre dhe treguan pjekuri demokratike”, lexohet në deklaratë. Mogherini dhe Hahn kërkojnë implementimin sa më parë të marrëveshjes për garantimin e standardeve zgjedhore. Njëkohësisht zyrtarët e BE nënvizojnë edhe rëndësinë e ngritjes së organeve të vettingut. “Ky ishte një hap i parë thelbësor. Tani, kjo marrëveshje duhet të implementohet për të përgatitur zgjedhje me standarde ndërkombëtare. Duke qenë se vota në Parlament për ngritjen e organeve të vetting-ut është pjesë e marrëveshjes, ne përsërisim rëndësinë e një implementimi solid dhe të besueshëm të procesit të vetting-ut, që është kyç për progresin drejt anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë dhe aspiratat legjitime të popullit të saj për një të ardhme më të mirë”, përfundon deklarata. Sipas marrëveshjes është përcaktuar se zgjedhjet e reja do të zhvillohen më 25 qershor. Për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe garancitë e votës së lirë është dakordësuar e drejta e opozitës për të patur akses në projektin e adresave dhe çështjet e lidhura me zgjedhjet. Nga ana tjetër, opozita ia ka dalë që përmes kësaj marrëveshjeje të përcaktojë pezullimin e çdo iniciative për kontrata të përkohshme në nivel qendror e vendor, ndërsa është vendosur mbështetja ndërkombëtare për forcimin e monitorimit të listës së zgjedhësve. Është vendosur që në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare të zhvillohen edhe zgjedhjet për kryetar Bashkie në Kavajë. Një tjetër pjesë e rëndësishme e marrëveshjes është caktimi i gjashtë ministrave teknikë, të cilat kanë të bëjnë me ministritë më të rëndësishme që kanë lidhje direkte me zgjedhjet, siç janë Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit, e Shëndetësisë, Mirëqenies Sociale, Financave dhe Drejtësisë. Nga marrëveshja ka marrë dritë jeshile edhe votimi i organeve të vettingut, si dhe një sërë pikash të tjera që kanë të bëjnë me zgjedhjet mes të cilave edhe ndryshimi i Kodit Penal për shitblerjen e votës. Dekriminalizimi, largimi dhe parandalimi i personave me rekorde kriminale nga mbajtja e posteve publike është gjithashtu pjesë e rëndësishme e marrëveshjes Basha-Rama. Me fillimin e legjislaturës së re, palët angazhohen në realizimin e Reformës Kushtetuese dhe asaj Zgjedhore. Marrëveshja parashikon futjen e teknologjive elektronike në procesin e identifikimit, votimit dhe numërimit për zgjedhjet pasuese. Reformimi tërësor i sistemit të prokurimeve publike dhe auditimit të shpenzimeve publike është gjithashtu pjesë mbi të cilat të dyja palët janë dakordësuar.
Kryesore
Continue to the category“2 mijë euro për çdo bebe të lindur, 20 mijë euro...
Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se shpopullimi dhe rënien e lindshmërisë janë kërcënime serioze për të ardhmen e vendit. Ai thekson...