Keidi Bare, debutim me Atleticon

Te Atletico e Madridit vjen momenti i Keidi Bares. Mesfushori i kombëtares Shpresa të Shqipërisë është grumbulluar në skuadrën e parë nga trajneri Diego Pablo Simeone dhe me shumë gjasa Bare do të bëjë debutimin e tij me Los Colchoneros në sfidën e parë të raundit të 1/16 të Kupës së Mbretit. Atletico sfidon në transfertë skuadrën e kategorisë së tretë, Guijuelo dhe për këtë ndeshje “El Cholo” ka thirrur në total 16 futbollistë, përfshirë këtu edhe Keidi Baren.
Aktualisht 19-vjeçari shqiptar aktivizohet me skuadrën B të Atleticos që luan në Segunda Division B ose më saktë në kategorinë e tretë të futbollit spanjoll. Në këtë sezon Bare ka luajtur në total 9 ndeshje duke realizuar dhe 1 gol. Për sfidën ndaj Guijuelos, Simeone ka lënë pushim shumë futbollistë titullarë, por në listën e të grumbulluarve bëjnë pjesë emra të tillë si Saviç, Gimenez, Saul, Carrasco, Gaitan e Correa. Edhe nëse nuk e nis si titullar këtë ndeshje, Bare ka shanse të mira për t’u aktivizuar edhe nga stoli dhe për të bërë kështu debutimin e tij me Atleticon e Madridit në një ndeshje zyrtare.
Keidi Bare ka luajtur me të gjitha kombëtaret e moshave të Shqipërisë dhe aktualisht 19-vjeçari nga Fieri është një nga lojtarët më të rëndësishëm të përfaqësueses Shpresa. Në fund të vitit 2013 ai është bërë pjesë e të rinjve të Atleticos së Madridit. Pas gati 3 vjetësh për Keidi Baren vjen ora e debutimit me skuadrën e parë, një ëndërr që mund të bëhet realitet mbrëmjen e së mërkurës.

Artikulli paraprakKompania “low cost” vjen në prill
Artikulli tjetërÇani: Ia vështirësuam kualifikimin Torinos