Keidi Bare: Pres ftesë nga Panuçi

Kohët e fundit, ai është përfolur shumë për një lidhje me vajzën e zëvendëstrajnerit të Atletiko Madrid, por ai beson se vendin në skuadrën madrilene e ka fituar nga këmbët e tij. Në intervistë në emisionin “Zona gol” mesfushori i kombëtares U-21, Keidi Bare ka folur për situatën që po kalon dhe të ardhmen e tij.
“Ka qenë një ëndërr për mua që të bëhem pjesë e Atletiko Madrid. Unë i kam hedhur hapat një e nga një dhe shpresoj që të jem pjesë e Atletikos. Këtu ku jam, jam falë këmbëve të mia. Lidhja ime me vajzën e trajnerit Burgos nuk ndikon në vendin tim”, u shpreh Bare.
Futbollisti me origjinë nga Fieri ka folur me besim edhe për lidhjen e tij me ekipin kombëtar, ku në mënyrë indirekte i ka lëshuar një sinjal trajnerit Panucci, që edhe ai kërkon një mundësi për kombëtaren. “Nuk është asnjëherë vonë, ndaj edhe unë e pres ftesën time. Shpresoj shumë të marr një ftesë nga trajneri Panucci. Më saktë, do të doja të më jepej mundësia”, tha Bare.
Futbollisti flet me shumë besim për të ardhmen e tij, ndërsa ndihet shumë i motivuar teksa është pjesë e një skuadre si Atletiko, edhe pse nuk hedh poshtë mundësinë që të provojë një huazim. “Në këtë skuadër ku stërvitem çdo ditë është shumë e vështirë të gjesh hapësirë, por me shumë punë arrihet gjithçka dhe unë një ditë do të doja të isha atje. Kam menduar edhe mundësinë e huazimit në një skuadër, ku të kem më shumë minuta, por aktualisht jam pjesë e Atletikos dhe jam shumë i përqendruar”, u shpreh Kejdi Bare.
20-vjeçari kuqezi foli për rivalitetin e madh te “los colchoneros”, me emra si Koke, Saul, Carrasco e Gabi, mundësinë e huazimit në një tjetër skuadër, por edhe për objektivat e Atleticos në këtë sezon. “Huazimi? Natyrisht e kam menduar shumë këtë gjë, me të afërmit dhe klubin. Por, tani për tani jam lojtar i Atleticos. Shpresoj që në të ardhmen ndoshta të bëj një lëvizje, por për momentin jam i përqendruar këtu. Por, besoj se me punë arrihet gjithçka dhe ndoshta një ditë mund të arrij atje ku janë ata. Shanset e Atleticos në La Liga? Është ende shpejt. Nga fundi i kampionatit vendoset se në çfarë pozicioni do ta mbyllë. Objektivi është fitimi i La Ligas dhe unë besoj se këtë vit do ta fitojmë titullin”, përfundoi Keidi Bare.

Exit mobile version