Këmbana alarmi!

Thomas Muller i bie këmbanës së alarmit. Bomberi gjerman kërkon më shumë fuqi në sulmin e kombëtares, pasi sipas tij, në majën e repartit të avancuar, skuadra ka nevojë për më shumë se një lojtar. Gerd Muller, Jurgen Klinsmann apo Miroslav Klose, janë vetëm disa nga emrat që kanë shkruar historinë me “Die Manchaft” dhe tashmë është Mario Gomez, ai që ka mbi shpatullat e tij trashëgiminë e tyre, por për Muller, vetëm ai është i pamjaftueshëm.
“Kemi shumë pak opsione në qendër të sulmit. Ky ka qenë një problem mjaft serioz për Gjermaninë, sepse trajnerët kanë pasur pak mundësi zgjedhjeje. Mario Gotze ka bërë mjaft mirë në sulm, por do të ishte shumë më e lehtë, nëse do të kishim zgjedhje të tjera”, u shpreh Muller.
Sipas Muller, shkak i reduktimit të ndjeshëm të qëndërsulmuesve është bërë epoka e sukseseve historike të Spanjës, që edhe pa një pykë të veçantë, arriti të thyente çdo rekord. “Gjatë viteve të fundit, futbolli është bërë shumë teknik dhe kjo ka ndikuar në skuadrën tonë, pasi kemi shumë pak alternativa në repartin e avancuar. Shumë njerëz kanë menduar se rruga që duhej të ndiqnim ishte ajo e Spanjës, por koha po tregon që një skuadër ka nevojë për alternativa edhe në majën e sulmit”, tha ai.
Gjermania vijon përgatitjet për ndeshjen me Norvegjinë për eliminatoret e Botërorit 2018. Skuadra kampione e Botës do të ketë një kapiten të ri dhe bëhet fjalë për Manuel Nojer, që pason Bastian Shvajnshtajger, i cili i dha lamtumirën kombëtares gjermane me miqësoren ndaj Finlandës.
Drejtori i Kombëtares gjermane Oliver Bierhoff deklaroi, se është i kënaqur me zgjedhjen që është bërë në këtë pikë, por vuri në dukje se gjithsesi kapiteni është vetëm një pjesë e skuadrës “Është shumë e rëndësishme që të kesh një kapiten, pasi ai merr rolin e liderit dhe bën që gjërat të shkojnë përpara. Jam i kënaqur me zgjedhjen e bërë, pasi Nojer është një lojtar që ka integritet, i pëlqen të mbajë përgjegjësi dhe ka një personalitet të fortë”, tha ai. Vetë Nojer deklaroi se ndihet krenar për rolin që iu dha dhe se shpreson që të jetë në nivelin e paraardhësve të tij. “Mendoj se puna që ka bërë Lahm si kapiten ishte shumë e mirë dhe e suksesshme. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Shvajnshtajger. Shpresoj që të jem në gjendje që të eci në gjurmët e tyre”, tha kapiteni i ri i Panzerave.

Artikulli paraprakDominim në merkato
Artikulli tjetërInter nuk heq dorë nga Icardi