Këmbanat e humbjes në fushatën e Ramës

Nga Vehap KOLA

Të gjithë e vërejmë ashpërsimin e retorikës në të folmen elektorale të Ramës javët e fundit. Na ndihmon në mënyrë të veçantë krahasimi me retorikën e fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të katër viteve më parë. Tonet miqësore ndaj demokratëve në mitingjet e Rilindjes synonin të kandisnin votuesit e djathtë, por edhe të tregonin se Rama nuk ndjente asnjë rrezik nga Basha.

Në Has, në Kukës, në Elbasan, në Korçë, kudo ku shkoi, Rama inskenoi edhe përballje me votuesit e PD-së, që herë nga ballkonet e zyrave elektorale e herë nga shtëpitë e tyre i ngrinin dy gishtat. Përpara tyre na shfaqej një Ramë i relaksuar, me humor dhe batuta për liderin demokrat si një djalë i mirë dhe por i ngathët. Prandaj, ata duhej të votonin për Rilindjen me qëllim që Basha të vazhdonte të fliste në televizor, por Rama të mos ndalej së punuari për atdheun. Nuk gjejmë gjatë asaj fushate akuza ndaj Bashës, ndaj Berishës apo ndaj opozitës. Ilir Meta ishte neutralizuar përmes

Këtë fushatë, Rama është shumë i tensionuar. Akuzon opozitën se po saboton menaxhimin e pandemisë dhe rindërtimin e shtëpive të rrënuara nga tërmeti. Lulzim Basha është shfaqur në retorikën e Ramës si një komplotist, si një kërcënim për të ardhmen e Shqipërisë. Saliu, Iliri dhe Monika, thotë Rama, duan të na fusin në kurth përmes Bashës. Sado që bën çmos që Bashës të mos i njihet ndonjë rol parësor në këtë komplot, mungon qetësia dhe humori miqësor me opozitën, që përshkonte të folmen e tij politike në 2017.

Po çfarë e ka bërë Ramën të humbasë qetësinë dhe të hidhet në sulm ndaj Bashës? Një zinxhir ngjarjesh dhe zhvillimesh që e kanë transformuar thuajse tërësisht skenën publike në vend.

Së pari, opozita ka sjellë një program të plotë si alternativë për qeverisjen e vendit pas 25 prillit përballë mungesës së një programi nga Rilindja. Programi i opozitës parashikon një relaksim të plotë të të gjithë sektorëve të ekonomisë, një rikthim të shpejtë të vëmendjes tek kriza shëndetësore dhe sistemi shëndetësor në tërësi, dhe përmbushje e angazhimeve ndaj pronarëve, të përndjekurve dhe komuniteteve fetare.

Së dyti, raportet BE-Shqipëri gjithnjë e më shumë po kalojnë përmes kanaleve të komunikimit me opozitën. Rama është munduar t’ia hedhë BE-së fajin për ngecjen e plotë në integrim dhe ka bërë një karshillëk konsistent ndaj orientimit perëndimor të vendit. Përballë kësaj lëvizjeje nervoze të Ramës, Basha ka theksuar gjithnjë e më fort rëndësinë jetike që ka përshpejtimi i procesit të negociatave dhe forcimi i lidhjeve me BE-në. Kryedemokrati e ka lidhur këtë proces me përfitimet e mëdha ekonomike që pritet të ketë Shqipëria, duke nxjerrë në pah humbjet e mëdha të fondeve që na ka shkaktuar stopimi i integrimit.

Së treti, shqiptarët po i përshkon një ndjenjë revolte ndaj Ramës. 8 vite pa asnjë bilanc pozitiv, me thellim të pabarazisë dhe të varfërisë, me fuqizim të krimit dhe rritje galopante të korrupsionit dhe spektakli i tepruar e kanë bërë figurën e kryeministrit të padurueshme. Gjuha e tij e rënduar, premtimet qesharake për shërbime bazë 8 vjet pasi ka marrë pushtetin i kanë gërryer me shpejtësi pikët politike të tij.

Karshi kësaj klime mërzie, fushata e opozitës ka ndezur nga entuziazmi. Basha po udhëheq një fushatë pozitive, i shoqëruar nga prani e madhe të rinjsh dhe të rejash dhe mungesë rezistence nga ana e votuesve tradicionalë të të majtës. Gjuha e tij thekson nevojën për ndryshim dhe domosdoshmërinë për të kthyer shpresën në vend. Kundërshtari nuk zë hapësirë në komunikimin e tij. Në vend të kritikës së hollësishme për rivalin, ai ka zgjedhur t’u flasë shqiptarëve për programin e tij që e ka pagëzuar “Shqipëria fiton”.

Të gjitha këto mund të kenë sjellë atë rritje të pikëve të Bashës në sondazhe që kanë prishur humorin e Ramës. Të gjitha sondazhet, përfshirë edhe ato më të afërtat me Ramën, pajtohen në pikën që të rinjtë dhe të rejat kanë zgjedhur Bashën. Vota e rinisë është një përcaktues i rëndësishëm i rezultatit të zgjedhjeve. Pikë domethënëse Basha ka fituar edhe mes votueseve gra. Të dy këto fasha votuesish kanë mbështetur zakonisht fituesin.

Kjo duket të jetë arsyeja përse javët e fundit shohim një Ramë të shpërfytyruar, të lodhur, të plakur dhe cinik, të mllefosur dhe gojëlëshuar ndaj Bashës dhe kandidatëve të Partisë Demokratike. Në dukje ai pranon se shumë gjëra nuk kanë shkuar ashtu siç duhet në qeverisje por problemet më të mëdha të vendit i sheh tek opozita. Kjo opozitë, që dikur ishte e paaftë, befasisht shfaqet e rrezikshme dhe komplotuese, një klimë e ngjashme me atë të fushatës së socialistëve në vitin 2005. Produkti i kësaj fushate ka mjaftueshëm arsye për të qenë i ngjashëm.

Artikulli paraprakParlament apo kamp përqëndrimi?
Artikulli tjetërQeverisje diktatoriale me “këshilla mjekësore”