“KËPUCA E AKTORIT” SHKON NË DALLAS, SHBA…

Mozaik nga takimi i shkrimtarit Visar Zhiti
në “Albanian American Cultural Center of Texas”

1. QENDRA KULTURORE SHQIPTARE AMERIKAE NË TEKSAS

do të shkruante:

“Kishim nderin dhe kënaqësinë të mirëpresim në Qendrën e Komunitetit Shqiptar Amerikan në Dallas, Teksas, shkrimtarin, poetin, dhe atdhetarin e shquar Visar Zhiti, për promovimin e romanit të tij të fundit “Këpuca e Aktorit”. Zhiti është një figurë e jashtëzakonshme letrare që ka lënë gjurmë thelbësore në historinë letrare shqiptare.

Për promovimin e librit, patëm një panel të jashtëzakonshëm, shumë prej tyre të ardhur nga Çikago për të qenë pranë nesh. Në këtë bashkëbisedim të pasur dhe frytdhënës, u shprehën mendime të çmuara nga paneli: Dr. Xhabir Alili, Taip Beshiri, Jani Gjoni dhe Bekim Ademi. I falenderojmë panelistët për ndarjen e njohurive dhe për kontributin e tyre në këtë diskutim të pasur.

Gjithashtu, shprehim mirënjohje të veçantë për të gjithë pjesëmarrësit që ishin prezent dhe që ndanë mendime gjatë diskutimit.

Shpresojmë të shihemi së shpejti në ngjarje të tjera të ngjashme që të pasurohemi edhe më tej me kulturën tonë shqiptare.”

*   *   *

Në ditën e parë të ardhjes, para takimit, shkrimtari Visar Zhiti do të shkruante një prolog të tij:

2. NË RRUGËN KU U VRA PRESIDENTI

Në aeroportin e Dallasit, jashtë na priste një diell plot dritë dhe ngrohtësi, që sikur e shtonte dhe pritja z. Adil Besiri, burrit nga Kërçova që na mori me makinën e tij të bardhë e të madhe për të na çuar në restorantin e tij dhe pastaj të na shëtiste nëpër qytet…

– Dua të shoh rrugën ku vranë Presidentin John Kennedy, – thashë unë me një padurim të dhimbshëm, por i mbledhur kohë më parë.

Dhe aty shkuam. Pikërisht te vendi ku kishte ndodhur atentati i shekullit, i hatashëm, mu në rrugë kishin vënë shenjat, 4 ikse të mëdha: XX XX, 2 ku nisi dhe 2 ku mbaroi ai tmerr dhe ende mister. Ndalëm t’i shihnim ashtu të verdha si dëshpërimi, si gjarpërinj, sikur të kishin shkruar Shekullin XX, si kryqe.

– Ja, dhe taraca nga u qëllua, – po na tregonte Adili. Një re aty sipër m’u duk si fantazma e atentatorit. Në katin sipër ishte dhe muzeu, s’e di a ishte hapur, po s’doja ta shikoja, mjaftonte ajo ndjesi e rëndë si me plumbat pezull në ajër si zogj të ngrirë…

Njerëz nga trotuari, fotografonin ikset e çoroditura në rrugë: XX XX, pashë dhe fytyra të nemitura, por tashmë e gjitha kjo ishte histori. Po unë doja një kryq tjetër në muzg, një kishë, të bëja kryq, të lutesha…

Rrota makinash i kalonin përsipêr atyre kryqeve në rrugë si gjithkund, zakonshëm, si harrimi, si pamëshirshmëria, asnjë makinë s’prishej befas aty, s’plaste asnjë gomë… mbase ndonjë zemër…si imja…

Edhe rrotat e makinës tonë kaluan aty me shpejtësi. Ura të mëdha dhe perëndim dielli si flakë… Qiellgërvishtëse të kaltra si qielli. Po kërkonim skulpturën e Syrit, t’i shpëtonim syrit të keq. Dritnajë. S’kishte më kryqe rrugëve. As president të vrarë… Njerëz të lirë. Ishte mbrëmja e po kësaj date, kur unë u lirova… dikur… larg… nga burgu… kurrë nuk do të mund ta besoja atëhere, madje dhe mund të dukej çmenduri, nëse do të në thoshin se në një datë të tillë do të ndodhte të vije në një qytet të madh në SHBA, në Dallas, do të shikoje vendin ku u vra Presidenti Xhon Kenedi, ngjarje që do të më trondiste në fëmijëri dhe mua, kurse më pas, – e ç’rëndësi do të kishte viti, – do të përurohej romani im “Këpuca e aktorit”, këtu, te ky qytet, mes shqiptaro-amerikanëve…

Pse kjo rendje drejt dramatikes? Të kërkosh të shohësh vrasjen e madhe, misterin, të mos e ndash dhëmbjen…

 Apo kështë është dhe letërsia, ashtu nisi, a nuk na tregon Homeri vrasjet në fushëbeteja të ashpra, ku gjaku i derdhur arrin deri në ditët tona si lumë? Te Shekspiri të vrasin miqtë në shtëpinë e tyre në kështjellë, në gjumë…

Pse donte Visari të shikonte vendin e vrasjes së Presidentit Kenndy, i cili në një ditë të bukur si kjo, nga vetura e tij e hapur përshëndeste i qeshur popullin në rrugë dhe u dëgjuan tre krisma…  A thua ajo jehonë vrasjeje ndjehet dhe në romanin e Zhitit, ku nuk vriten president, por populli.

Ndoshta në takimin për librin do të marrim ndonjë përgjgije…

IMG 2995

3. TAKIMI

…do ta hapte Zv/Presidenti i Qendrës Kulturore Shqiptare Amerikane, z. Bekim Ademi duke u uruar mirëseardhjen shkrimtarit Visar Zhitit dhe miqve të tij nga Çikago të Klubit Shqiptar të Librit, zotërinjve Taip Beshiri, Xhabir Alili dhe Jani Gjoni, ndërkaq falenderoi veprimtarin z. Adil Besiri për mbështetjen dhe theksoi rëndësinë e takimit, por dhe bukurinë e tij, na ka bërë bashkë shqiptarë nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, nga Maqedonia e Çamëria e Mali i Zi.

Po edhe romani “Këpuca e aktorit” këtë frymë përbashkuese ka, me personazhet e tij të kësaj gjeografie trojesh, që lëvizin mes përpjekjesh dhe luftrash… – do të thoshte konferencieri i takimit, dhe do të shtonte se është vepra më e recensionuar e këtyre viteve. Dhe do të vazhdonte:

4. PROFESOR. GJEKË MARINAJ,

shkrimtar, kritik novator dhe poet, i përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe me shumë çmime, – ai u arratis nga Shqipëria në vitin 1990 nga shkaku i përndjekjes për poezinë e tij metaforike, tashmë të njohur, “Kuajt”, dhe vjen në SHBA, diplomohet për Letërsi në Universitetin e Teksasit në Dallas, ndërkaq do të jetë themelues i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe kryetari i saj i parë. – dërgon nga jashtë vendit letrën e tij në anglisht për të pranishmit në takim, që do ta lexonte e reja Ekaterina Gjoni, ndërsa në shqip i riu Arbër Kapllani:

Mirëmbrëma,

Z. Visar Zhiti, i ngjashëm me Charles Dickens në magnum opus-in e tij, “Një përrallë e dy qyteteve”, është emblematiku i një periudhe të karakterizuar nga kontraste të forta dhe tranzicione të thella socio-kulturore.

Ishte një kohë e shenjuar nga bashkëjetesa e përsosmërisë dhe mediokritetit, mençurisë së thellë dhe marrëzisë së vajtueshme, besimit të zjarrtë dhe mosbesimit të përhapur, shpresës iluminuese dhe dëshpërimit të përhapur. Megjithatë, diskutimi ynë nuk i përket Londrës apo Parisit; përkundrazi, ajo shpaloset në kontekstin e Tiranës dhe Çikagos.

Nuk flasim për drejtësi poetike, por thellohemi në sferën e rrethanave të jashtëzakonshme njerëzore. Visar Zhiti mbajti peshën kryesore të dënimit komunist si një individ që kundërshtoi me vendosmëri ideologjinë e tyre, megjithatë në Shqipërinë postkomuniste ai u ngrit në pozicione të shqura duke shërbyer dhe si Ministër i Kulturës.

Në thelb të këtij rrëfimi, Zhiti shfaqet si një protonist që kërkon me zjarr të mirën e qenësishme brenda njerëzve dhe botës në përgjithësi. Ai është një poet që përmbahet nga shqiptimi i fjalëve përçmuese për bashkëmoshatarët e tij, për njerëzit e tjerë ose për jetën e mundimshme që ka përjetuar, të mbushur me bekime dhe mundime.

Personalisht kam pasur privilegjin ta takoj Z. Zhiti një herë në Nju Jork, ndonëse në rrethana më pak se ideale…

Për fat të keq, nuk kam pasur mundësinë të lexoj romanin e tij të fundit, dhe kështu nuk mund të ofroj një vlerësim të rolit të tij në arealin e fiksionit.

Megjithatë, unë jam zhytur në veprat e tij poetike dhe mund të pohoj pa mëdyshje se ai renditet ndër poetët e mi të preferuar në arealin e Letrave Shqipe. I shpreh mbështetjen time të plotë për të si autor dhe arritjeve letrare të tij.

Për shkak të preokupimit tim me detyrimet akademike, ndodhem jashtë vendit në ditën e promovimit të librit të tij në Dallas. Më vjen keq që nuk marr dot pjesë në këtë takim domethënës. Si rrjedhojë, unë dërgova këtë fjalë si shenjë vlerësimi për audiencën e vëmendëshme, të mbledhur për t’i qenë pranë këtij shkrimtari dhe poeti të lartë. Vullneti i z. Zhiti për të udhëtuar nga Çikago në Dallas, që publiku të njihet me përpjekjet e tij më të fundit letrare, është e lavdërueshme dhe i uroj atij dhe audiences shkëlqim dhe sukses në veprimtari.

Si përfundim shpreh urimet e mia më të përzemërta poetit dhe gjithë të pranishmëve.

Sinqerisht,

Gjekë Marinaj, PhD

UT/Dallas

5. NGA BIOBIBLIOGRAFIA E AUTORIT:

Konferencieri, Taip Beshiri, lexoi një CV të Visar Zhitit, copëza nga jeta dhe vepra e tij:

“Është një nga shkrimtarët më të shquar bashkëkohorë, po kështu dhe veprimtar në çështjet shoqërore të aktualitetit shqiptar. […]

Visari lindi në Durrës, ku kreu shkollën fillore, ndërsa gjimnazin në Lushnjë, ashtu siç shpërngulej i ati i tij..Diplomohet për Gjuhë dhe Letërsi në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës dhe që student dorëzoi për botim përmbledhjen me poezi “Rapsodia e jetës së trëndafilave”.

U emërua mësues në fshatrat e Kukësit, jo shumë larg kufirit shtetëror me Kosovën.

Kritikohet ashpër për poezitë e tij, deri dhe në Komitetin Qendror nga udhëheqja komuniste, arrestohet me akuzën “e agjitacionit dhe propagandas”… “për shtrembërime ideore dhe nxirje të realitetit me poezitë e tij hermetike,  të trishta dhe kundër realizmit socialist”.

E dënojnë me 10 vjet burg, me heqjen e të drejtës së botimit dhe të drejtës elektorale.

Edhe i arrestuar në qeli, ku nuk lehohej letra dhe pena, krijoi poezi me mend, ndërsa në kampet-burg të Spaçit dhe të Qafë Barit, në kushte të tmerrshme brenda telave me gjemba, teksa punonin si skllevër në miniera, shkruante fshehurazi nëpër fletoret, që të burgosur të tjerë, miq dhe të besuar, i fshihnin permes rreziqesh ose i mësonin dhe përmendësh.

Ai ishte në revoltën e të burgosurve politikë në Qafë-Bari, që do ta përshkruajë në një nga veprat e tij të mëvonshme. Arriti të nxjerrë fshehurazi nga burgu gati të gjithë poezinë e tij.

Pasi lirohet, punon si punëtor krahu në fabrikën e tullave në Lushnjë pa asnjë të drejtë, as atë të ushtrimit të profesionit të tij, mësues

Ndërkaq në dosjen e Visar Zhitit është dhe dokumenti që ai nuk pranoi të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, policisë sekrete të diktatures, por përballoi përndjekjet dhe kërcënimet me tjetër burg.

Kur nisi lëvizja për demokratizimin e vendit, bëhet pjesë e saj, është organizator i protestave të para për liri në qytetin e tij dhe bëhet gazetar në gazetën e parë opozitare, “Rilindja Demokratike”, ku artikujt e tij u vlerësuan për shpalosjen e së vërtetës, guximin, frymën paqësore dhe rindërtuese.

Bën disa specializime jashtë vendin, kryen një stash në Itali në gazetën më të madhe italiane “Corriere della Sera” në Milano, boton artikuj dhe atje dhe do të marre masterin në Universitetin “San Buonaventura” në Romë.

Kthehet dhe vendosen në Tiranë bashkë me shoqen e tij të jetës, Eda Agaj Zhiti…

Visari emërohet drejtor në shëpinë botuese “Naim Frashëri”, nga ku i erdhi dënimi i dikurshëm,

Boton librin e tij të parë me poezi “Kujtesa e Ajrit” në 1993 dhe vlerësohet më çmimin e parë kombëtar.

Do të kalojë me punë në diplomaci, 2 herë shërben në ambasadën e Shqipërisë në Itali, pastaj në Selinë e Shenjtë në Vatikan dhe e mbyll karrienën diplomatike në Washington DC, SHBA,

Kanë qenë zgjedhur dhe deputet dhe është emëruar dhe Ministër i Kultures.

Visar Zhiti është poeti dhe shkrimtari që nuk e ndali asnjëherë të shkruarit, kudo që të ishte. Pothuajse në çdo vit do të dilte një libër i ri i tij, në Shqipëri e Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, (e Jugut për ne, – thotë Visari), etj, Krahas poezisë do të botojë tregime, ese dhe romane.

Të gjitha çmimet letrare më të larta që jepen në Shqipëri i janë dhënë dhe Visar Zhitit. Përmendim disa me të fundit: “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”, “Botimet Onufri”, Tiranë 2022, mori çmimin kombëtar, ndërsa përmbledhja “Si shkohet në Kosovë”, botuar në Prishtinë në 2014, ka marrë çmimet që mbajnë emrat e dy poetëve tanë të dashur: Azem Shkreli dhe Ali Podrmja. Do të merrte edhe çmimin “Beqir Musliu” në Gjilan, atë të Panairit “Shkup 2007”, “Dega e Ullirit” në Ulqin 2019, etj. Me romanet memuaristike “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i Çarë” do të merrte dhe Çmimin e Madh në Tiranë.

Poezitë e Visar Zhitit janë futur në tekste shkollash, në antologji të ndryshme, edhe botërore.

Librat e tij janë botuar dhe në vende të tjera, është përkthyer në të gjitha gjuhët e Ballkanit, në rumanisht nga Dr. Luan Topçiu ka 5 libra, poezi dhe romane, po kështu dhe në ato sllave, kroatisht, serbisht, sllovenisht, malaziase, sipas përkthimit nga pazetari dhe studiuesi Smajl Smaka, ndërsa në greqisht, nga poetë të ndryshëm. Poezitë e Visar Zhiti janë dhe në gjuhët frengjisht, gjermanisht, polonisht, holandisht, hebraisht, flaminge, arabisht, ukrainase, koreane, esperanto etj,

Visari ka shumë çmime dhe libra në Itali, të përkthyera nga Profesori arbëresh Elio Miracco, ndërkaq ai ka botuar në 2005 në SHBA përmbledhjen me poezi “The condemned apple”, përkthyer nga albanalogu i shquar Dr. Robert Elsie, por dhe poezi dhe ese të botuara në shtypin amerian, përkthyer nga shkrimtarja Ani Gjika. Vepra të tij janë dhe në Bibliotekën e Kongresit Amerikan.dhe së fundmi doli në Kinë, në 2023 përmbledhja me poezi në anglisht dhe kinezçe “Gathering light”,

Mbi 50 tituj librash, vepra origjinale apo dhe përkthime të autorëve të shquar si Federico Garsia Lorka, Mario Luzi, Adonis, Sebastiano Grasso, Evgeni Jevtueshenko, etj, mbajnë emrin e Visar Zhitit.

Një juri botërore me anëtarë nga Europa, Amerika e Azia, “The International Best Poets and Translators Prizes” në Kinë e shpalli Poet i Vitit 2023.

Visar Zhiti është:

– Anëtar Nderi i Festivalit Ndërkombëtar “Ditët e Naimit” të Tetovës, në Maqedoni

– Anëtar Nderi i Perhershëm” – Qendra Kulturore “Nënë Tereza”, Miçigan, SHBA

– Anëtar Nderi” – Shoqata mbarëshqiptare “Bijtë e Shqipes”, Filadelfia, SHBA

– Anëtar Nderi i Shkrimtarëve Shqiptarë në Itali,

– Anëtar Nderi” i Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, SHBA

– Anëtar i PEN Klubit në Itali.

– Anëtar i Akademisë Internacionale të Arteve të Bukura, të Letërsisë dhe

Shkencës “Alfonso Grassi” në Itali,

– Anëtar i Akademisë “Mahai Eminescu” në Rumani,

– Anëtar i Akademisë Europiane të Arteve,

Është dekoruar brenda dhe jashtë vendit:

– Me Urdhërin “Mjeshtër i Madh” –  Presidenca e Republikës së Shqipërisë, Tiranë 2012.

– Me Medaljen e Artë të Meritës – Akademia Angelico Costandiniana, Romë, 2016.

– Me Dekorata e Shoqatës së Shqiptarëve të Rumanisë, Craiova, 2019

– Me Medaljen e Artë “Shën Nënë Tereza” – na Presidentja Vjosa Osmani, Republika e Kosovës, 2022

Është “Qytetar Nderi”, titull i dhënë  nga Bashkia e Lushnjes, në Shqipëri.

Emri i Visar Zhitit është i përfshirë në enciklopedi dhe në Fjalorë Enciklopedikë në Shqipëri, në Enciklopedinë e njohur “Piccolo Treccani” – Itali, në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, etj.

Tani familjarisht jeton në Chicago, në shtetin Illinois, në SHBA

6. DR. JANI GJONI, nga fjala  e tij:

Romani “Këpuca e Aktorit” i shkrimtarit Visar Zhiti është një vepër e rëndësishme dhe e vlefshme në peizazhin e letërsisë shqiptare sot. Ajo është shtesa e fundit në tërësine e veprave të sjella nga Zhiti përpara publikut lexues. Nëpërmjet këtij libri, autori trajton tema të gjëra dhe komplekse që reflektojnë përvojën e tij të jetës dhe mendime të thella të artikuluara në mënyre poetike për njerëzit, vendin dhe historinë e Shqiperisë.

Libri është një arketip letrar, i krijuar me mjeshtëri nga Visar Zhiti, që çon lexuesit në një udhëtim të larmishëm dhe tërheqës në horizontin historik dhe shoqëror të Shqipërisë. Struktura narrative e tij mpleks në mënyrë të përsosur elemente të mitologjisë, besimit dhe historisë moderne, duke ofruar një eksplorim shumëdimensional të përvojës njerëzore në shoqërinë tonë.

Libri ndahet në tre pjesë kryesore të cilat janë rrjedhim i natyrshëm i ngjarjeve në kohë të ndryshme, dhe që nga faqet e para, lexuesi zhytet në një botë magjepsëse, e ngjashme me epikat homerike të mëdha. Prania e personazheve si Hektori, Moisiu, Maria, Hëna, Donika, Nënë Tereza krijojnë një tablo të gjallë, që lidh të kaluarën e largët me kohërat moderne.

“Këpuca e Aktorit” është në mënyrë simbolike udhëtimi në kohë i Shqipërisë nëpërmjet karaktereve e ngjarjeve të goditura, të përshkruara me mjeshtëri. Ndërsa lexuesit vazhdojnë të thellohen, ata zhvendosen jo vetëm në të kaluarën e largët, por edhe në periudhat e turbullta të Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore, ku fati i Shqipërisë dhe i popullit të saj varej në kufijtë e një realiteti delikat. Narrativa mjeshtërore e Zhitit nxjerr thelbin e çdo ere me detaje të kuptueshme për këdo. Përjetohen vështirësitë dhe sakrificat e individëve të kapur në marrëzinë e luftës, jetët e tyre të përpjekura me fatet e kombëve […]

Autori shkel qetësisht tabutë e racave, kombësive dhe përkatësive tribale, duke ecur në territorin e egërsisë njerëzore, por pa e tejkaluar në kufinjtë e vulgaritetit. Gjuha e pasur e shkrimtarit dhe ngjyrat e fuqishme që përdor krijojnë një tablo dhe një përshkrim romantik të Shqipërisë në fillimet e saj në shekullin e 20.

Një aspekt i rëndësishëm i librit është stili i Zhitit, i veçantë dhe unik. Ai shpreh ide dhe emocione nëpërmjet fjalëve të thjeshta e simbolike, duke krijuar një atmosphere… Shqipja e tij është e pastër dhe e qartë, ai përdor imazhe të fuqishme…

Në përgjithësi, libri “Këpuca e Aktorit” është një vepër e thellë dhe e frymëzuar nga ndjenjat patriotike. [,,,]

Ky libër ofron një perspektivë mbi identitetin, artin dhe kuptimin e ekzistencës së njeriut, duke bërë që lexuesi të reflektojë dhe të mendojë në mënyrë racionale për çështjet e shumta që preken.

…karakteret jepen si pjesëtarë të një trupe teatrale, të cilët luajnë rolet e tyre në skenën e jetës. Për ta, jeta është një teatër i madh, ku secili prej nesh luan një rol të veçantë…

Tensionet dhe kontradiktat e identiteteve në liber, përfaqësojnë ndjenjat e humbjes, ndarjes, frikës dhe dëshirës për të gjetur qëllimin në jetë. Duke ndjekur rrugën e tyre, ata përballen me sfida të ndryshme… Shkrimtari  shprehet – se roli që kemi në jetë nuk është gjithmonë i vullnetshëm, por ndonjëherë imponohet nga pritshmëritë e jashtme dhe rrethanat në të cilat jetojmë. Për shkak të kësaj, karakteret përjetojnë konfliktin midis pritshmërive të jashtme dhe dëshirave të tyre të brendshme.

Një tipar tjetër interesant i formës është kalimi i shkrimit në korsiv – italik. Ky ndryshim edhe stilistikor krijon një lehtësi në të ndjerit të ndryshimit të mendimit nga një kohë në tjetrën. […]

Një nga aspektet më të rëndësishme të librit është paraqitja e diktaturës komuniste që mbajti Shqipërinë në prangat e saj pas Luftës së Dytë Botërore. Pasazhet e qarta dhe gjuha evokative e Zhitit paraqesin një imazh të thellë të atmosferës së frikës dhe shtypjes që mbizotëronte në çdo hapësire të jetës së përditshme. Duke u fokusuar në përvojat e personazheve, autori zbërthen ndikimin e thellë të sundimit totalitar mbi psikën njerëzore si dhe ankthin dhe luftën e brendshme që përballen individët. Frika e dhunës dhe propoganda djallëzore krijuan dyzimin e personalitetit të njeriut, pasojat e së cilës ndjehen akoma. Ndonëse nën diktaturë njerëzit nuk ndaluan të jenë humanë duke shprehur mirësinë, gëzimin, dashurinë, emocionet si tipare qenësore – diktati nuk e vrau dot njeriun.

Mardhëniet intime të personazheve nëpër sfidat e ashpëra të diktaturës shpalosen qartë në libër si një revoltë natyrale që nuk pyet për kufinjtë artificialë.

Autori paraqet panoramen e diktaturës në mënyrën më të plotë dhe objective… Mbi të gjitha, ai i nxjerr në pah vlerat dhe bukurinë e shpirtit njerëzor, të cilat nuk mund të bllokohen as nga diktatura më e ashpër.

Post diktatura, pas viteve 1990, e rrëmben Shqipërinë n:e rrejdha e stuhi, në të cilat inertësia dhe nostalgjia e kohës së diktaturës trazuan për një periudhe jo të shkurtër jetën e shqiptarëve. Shoqëria përjetoi absurde dhe mashtrime nga njerëz të ndotur prej së shkuarës që u prezantuan si fytyra e së ardhmes, duke ngadalësuar e penguar zhvillimin demokratik të vendit.

Në romanin e Zhitit vijohet me brezin e ri, me fenomenet e dallgët që e tashmja po përballet, me ndryshimet gjeopolitike e shoqërore, me historinë e re moderne që po jetojmë. Kufijtë e shteteve pothuajse janë venitur, globalizmi me virtualitetin kibernetic ka çliruar mundësitë për komunikim të gjithanshem, lëvizja e lirë ndërthur jetën e Irisit, vajza shqiptare nga Çikago, një nga personazhet kryesore, në skena të reja.

Ngjarjet natyrshëm shkojnë në kontinentin tjetër, SHBA, dhe kthehen, lëvizin nga një qytet në tjetrin, personazhet lundrojnë me emocione e ndjenjat e reja, tashmë pa diktat, në një hartë më të madhe. Natyrshëm personazhet përfundojnë në Ukrainën e sotme konfliktuale. […]

E gjithë ngjan si një monolog i gjatë i Hektorit, personazhit qendror, dhe na vjen si një film personal.

Në përfundim, libri “Këpuca e Aktorit” është një vepër e mrekullueshme letrare, me sy të mprehtë kritik e ndjenja të fuqishme njerëzore, që na ofron një pamje të pasur dhe tërheqëse të historisë dhe identitetit të Shqipërisë, duke e trajtuar atë me një ndjeshmëri, me delikatesën e penës dhe fantazinë hyjnore të shkrimtarit.

7. DR. XHABIR ALILI, nga fjala e tij:

Unë poetin, shkrimtarin, humanistin, të persekutuarin politik, atdhetarin, diplomatin Visar Zhiti e kam njohur relativisht moti, nga shtypi, më vonë nga interneti, nga poezitë e bukura atdhetare për Kosoven, për shqiptarët, për lirinë, dashurinë dhe bashkimin… tash si sonte këtu, në Amerikë, na afroi, na miqësoi kuvendi, ku bashkohen shqiptaret – aty ku na bashkon dashuria për vendlindjen dhe atdheun.

Me disa njihemi, me të tjeret do të njihemi sonte. Na bashkon shkrimtari ynë i madh, Visar Zhiti, dhe romani i tij “Këpuca e Aktorit”.

“Këpuca e Aktorit” është si një libër historie kombëtare, i emocionit të saj, një libër psikologjie njerëzore, është një dramë dhe një komedi e atdheut, është një tragjikomedi… është të gjitha së bashku dhe me shumë!

“Këpuca e Aktorit” është një teater i madh me skenë dhe pa skenë, teatër në të cilin aktori real dhe metaforik bën rrugëtimin në skenë dhe në jetë. Rrugëtimin me një këpucë, me dy këpucë o pa këpucë; këpuca si përkufizuese e hapit dhe e shpejtësisë së ecjes.

Me mbylljen e kopertinës së fundit, u hapen dyert e mendjes për meditim, për rrugëtimin individual njerëzor dhe atë kombetar dhe per “këpucën” metaforike, qe e mbathim në rrugët e jetës, me të vërtetë, por dhe si bekim dhe si mallkim…

“Çdo vend ka teatrin qe meriton” – na thotë dhe na këshillon autori.

Libri është i këndshëm në lexim, ka tregime, ku ka miresi, ka dashuri, ka erotikë të njerëzishme, ka mençuri jete, ku mund të mësojmë, ka tradhti, ka humor të holle dhe ka plot thënie origjinale, që burojnë nga mendja dhe nga shpirti i autorit Visar Zhiti… ja, njëra tronditëse:

“Viti ’97, vit kur armatosen shqiptarët, dhe u çarmatos Shqipëria”  apo një tjetër komike: “Menya është libri i vetëm që lexojnë politikanët” etj, etj.

Jemi me fat që e kemi në mesin tonë autorin, por dhe protagonistin, aktorin, artistin – “Këpucën e Aktorit”, lexojeni dhe do të kënaqeni.

Falemnderit që ndatë kohë të jeni sonte me ne… jemi mirenjohes. Puna është e mire, se puna i duhet jetës, por kur ndan kohë për shoqerinë – është dhe kjo jetë!

8. NGA SALLA:

Në sallë të dukej vetja si në një familje të madhe dhe vërtet aty kishte familjarë, bashkëshortë, prindër, gjyshër, të rinj, mama të reja me foshnjat në karrocë, etj. dhe befas do të dilte në krye një fëmijë i bukur nja 5-6 vjeç, më quajnë Xherdan, do të cicëronte me zërin e ëmbël dhe do të recitonte shqip poezinë “Vendi im”. Ngjalli kaq shumë emocion dhe u duartrokit po ashtu si ata që diskutuan, në mos më shumë.

Tryezat e rrumbullakta, gjithandej në sallë… si valle. Ja, arkitekt Dardan Hoxha dhe mësuesja Artë… po edhe bashkëshortët Krasniqi, Skënderi… kërçovarët e përzemërt… Nebiu, Nexhati… shkodrani gazmor Hydajeti  me zonjën, Elvana… Ari nga Kosova s’ka ardhur? Sa shumë që punojnë!…

– Unë jam aktor, – u dëgjua një zë dhe dikush u ngrit në këmbë, edhe ai doli në krye të sallës, –  quhem Hysen Zeqaj dhe do të recitoj poezinë “Harta e kafshuar e atdheut”, e kam mësuar, që kur konkuroja për aktor në Prishtinë, – E kam shkruar në burg, – do të thoshte Visari, – dhe tjetrën “Si shk-oh-t në Kosovë”, – E kisha shkruar kur ende s’kisha shkuar atje… – do të thoshte prapë Visari, – malli më ka marrë, pa qenë kurrë… Realitetet tona të emocionit, të ankthit që ta merr frymën… po ne duhet të jemi sa më të bashkuar… është ekzistenciale… jo përçarje… përgjysmimin… edhe pa to jemi pak… po thoshim. Prapë poezi, recitoi Dr. Xhabiri… 

Dhe pati pyetje për autorin e ftuar. Çështja e kujtesës kolektive, më shqetëson, – do të thoshte Ilir Çami, – si t’i shërbejë ajo të ardhmes që vjen, – që është dhe e tashme, – shtoi Visari. – Do të kujtojmë dhe me art. Muzeume dhe romane, poezi dhe filma, me veprimet tona, bëmat dhe arkivat, do të kujtojmë që të harrojmë, do të harrojmë që të kujtojmë, e kaluara të mos jetë dhunuese, por përvojë, etj, etj.   .  

– Më mëso si ta përballojmë jetën? – pyeti një ri, që sikur e hutoi Visarin.

– Jeta përballohet me jetë, – ia ktheu ai. – Unë nuk e kam bërë ndonjëherë

këtë pyetje, mbase jam përgjigjuar pa pyetur. Përgjigjja je ti vetë, ëndrrat e tua, guximi yt…

9. NGA FJALA E VISARIT

si epilog

MREKULLIA e së ardhmes, –

do të thoshte në fjalën e tij Visar Zhiti, – që është bërë dhe mrekulli e të tashmes, duke patur parasysh se si i rrisni fëmijët ju dhe arritjet e përbashkëta… shqiptarët në SHBA, tashmë të pasuruar, i gjen në shumë fusha të biznesit, të ndërtimeve e kompani pastrimesh, jo parash, jo, dhe siç janë kuzhinierë, shofera dhe hidraulikë, janë dhe në shkencë dhe arte dhe politikë, mësues e pedagogë, inxhiniera e mjekë, juristë, klerikë e shkencëtarë, drejtojnë, janë shkrimtarë, muzikantë, piktorë, artistë… – dhe pa nga vajza që kishte lexuar në anglisht letrën e poetit Gjekë Marinaj. – Vajza e mikut tonë, – vazhdoi, – është oficere në ushtrinë amerikane. Ju e dini ç’do të thotë ushtri amerikane, – iu drejtua të pranishmëve, – të mbrosh interesat e Amerikës dhe të jesh atje ku janë shqetësimet më të mëdha të botës, në luftë për demokracinë dhe të drejtat e popujve… dhe aty është oficere kjo, vajzë shqiptare, jona, Ekaterina Gjoni, krenarë me atë, është në vijë të parë dhe ndërkaq ajo di të vijë dhe atje ku është dhe libri shqip… Duartrokitje të fuqishme, ndërsa vajza oficere buzëqeshi modestisht dhe Visari ndërkaq kujtoi atë traditë kulture dhe bëmash që na lanë guximtarët, pararendësit, Imzot Noli dhe i përndrituri Faik Konica, Profesor Arshi Pipa, që erdhi nga burgjet e diktaturës shqiptare, etj, etj, e sot, me gjithë ato mundësira pafund…

DYERT E HAPURA

siç i kini hapur ju, që janë dhe zemra të hapura, edhe mendje të hapura… Dhe ti ndjehesh misionar i së mirës, – theksoi Zhiti.

Dhe të pranishmit afroheshin pranë tij, u vunë në radhë për t’i marrë një autograph. Tryeza e gjatë atje tej ishte plot me romanin “Këpuca e Aktorit”. Shtëpia Botuese “Onufri” e kishte dhënë këtë mundësi bujarisht…

Afroheshin miq, që dhe po njiheshim aty, por sikur ishim njohur me vite… jam bashkëvuajtës yti, – i thoshin Visarit, – i burgut të Spaçit… Nokshiqi… jam i UÇK-së… Albani… përsëri fëmijët, ai me emrin Xherdan bashkë me të vëllanë, Aldianin, donin një autograf… sa prekëse!

GJUHA…

Visari kishte vizituar para fillimit të takimit klasat e shkollës së mësimit të shqipes, këtu, bibliotekën… gjuha është identitet dhe shpirt… – po thoshte, – dhe librat, libra, libra, janë përvoja jonë… kujtesë dhe kulturë…

Mos u mësoni fëmijëve vetëm gastronomi ballkanike, por dhe gjakun e derdhur në Kosovë, tha prapë… NATO e çliroi Kosovën, jemi dy shtete shqiptare në Ballkan… SHBA është aleati jetik i kombit shqiptar…

Pranë tij ishte vajza shqiptare, Ekaterina, oficere e rëndësihme në ushtrinë amerikane, Visari vuri dorën mbi supin e saj…

Anglishtja është gjuhë e madhe botërore, e para sot, siç ishte latinishtja në mesjetë dhe që të mos mbetesh i huaj, duhet patjetër anglishtja, integrimi… shqiptarët janë dhe qytetarë amerikanë… etj, etj, por dhe shqipja është një pasuri, jo vetëm e shqiptarëve, gjuhëtarët, studiues të huaj dhe shkencëtarë e shohin si një gjuhë të lashtë indioeuropiane, e veçantë, degë më vete pranë rrënjës, madje dhe në rrënjë e mendojnë disa, duhet ruajtur dhe mbrojtur dhe të parëve që u takon kjo detyrë, janë shqiptarët. Ta duam dhe ta mësojmë gjuhën amë, do ta kuptojmë më mirë veten e do të dimë të bëjmë më shumë, kudo qofshim, në Shqipëri, Amerikë… të jemi vetvetja.

Visari foli thjeshtë dhe sinqerisht, ngrohtë, me dhimbje, u kuptuan më mirë drama e tij dhe jona, lufta dhe krimi… po duartrokitjet e befta do t’i kenë kujtuar breshëri plumbash?… dhe foli për dashurinë njerëzore, mirëkuptimin dhe paqen..

Kur dolëm, ai e ktheu edhe një herë kokën pas, pa shtëpinë e bukur dhe të madhe, Qendrën Kulturore Shqiptare Amerikane, ku valëviten dy flamujt më të dashur, krahas yjeve amerikane dhe shqiponja jonë dy krenore…  Albanian American Cultural Center of Texas, Lewisville, në Dallas…

Përgatiti konferencieri i takimit: T. Bes Hiri

Exit mobile version