Kërcënim apo mbrojtje? Qëndrimet e Ramës ndaj SPAK ngjallin kontradikta

Nga Blerina Gjoka

Duke kremtuar fitoren e zgjedhjeve te 11 majit që i dhanë atij mandatin e katërt qeverisës, kryeministri Edi Rama e veçoi mbrojtjen e drejtësisë si një nga qëllimet kryesore të qeverisë së tij.

“Pavarësia e drejtësisë dhe mbrojtja e saj me çdo kosto edhe mbi trupin tënd, është e vetmja rrugë e ne do të qëndrojmë të palëkundur në të vetmen rrugë,” deklaroi Rama më 25 maj përpara deputetëve të partisë së tij.

Kjo ishte një kthesë në retorikën e Ramës përpara zgjedhjeve, e cila kulmoi me një sulm verbal ndaj Prokurorisë së Posaçme pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, ku puna e kësaj strukture u krahasua me Sigurimin famëkeq të komunizmit.

Njohës të politikës e konsiderojnë jo të sinqertë dhe kontradiktor diskursin publik të Ramës për mbrojtje të SPAK-ut, ndërkohë që nuk kuptohet se nga kush do ta mbrojë dhe çfarë e cënon pavarësinë e drejtësisë përpos qeverisë dhe mazhorancës, që tashmë ka siguruar pothuajse një shumicë të cilësuar prej 3/5 në Parlament.

“Ideja është se ka një kontradiktë, pasi marrëdhënia me SPAK-un dhe mazhorancën qëndron në faktin se SPAK rrezikohet pikërisht nga mazhoranca, sepse punën kryesore e ka me mazhorancën,” thotë Blendi Ceka, pedagog i Shkencave Politike në Universitetin e Tiranës.

Sipas Cekës, me 83 mandate deputetësh, shumica e drejtuar nga Rama mund të ndryshojë kuadrin ligjor për t’ia bërë punën më të vështirë kësaj strukture dhe kështu është një kërcënim i drejpërdrejtë.

Edhe Ermal Hasimja, pedagog i Shkencave Politike, i sheh deklaratat e Ramës për SPAK-un si “mbrojtje në termat e tij” ndërsa konsideron kreun e qeverisë si rrezikun më të madh për pavarësinë e drejtësisë. Një aleancë publike e kryeministrit me kryetarin e opozitës, do të ishte sipas tij një kërcënim edhe më i madh për institucionet e reja të drejtësisë.

“Është e vështirë për PS-në që të sulmojë dhe neutralizojë SPAK-un pa patur mbështetjen publike të PD-së, prandaj rreziku nuk i vjen SPAK-ut vetëm nga Rama, por nga një bashkëpunim i mundshëm i tij me Berishën,” tha Hasimja për BIRN.

Hasimja sjell ën vëmendje se ky lloj bashkëpunimi që garanton monopolin e tyre politik ka ndodhur më herët me ndryshimin e Kodit Zgjedhor apo Amnistisë Penale.

Për të, deklaratat e Ramës për mbrojtjen e SPAK-ut dhe drejtësisë synojnë që të krijojnë kontrast, thjesht deklarativ e politik, mes tij dhe Berishës si sulmues i SPAK-ut.

“Por është e qartë nga gjithçka që ka thënë e bërë në të shkuarën se ky kontrast është thjesht deklarativ. Në thelb, Rama e Berisha duken dakord për të hequr qafe SPAK-un,” sugjeron Hasimja.

Konkretisht ai e sheh rrezikun tek ndryshimet e mundshme ligjore që prekin ligjet e reformës në drejtësi dhe punën e SPAK-ut, gjë që sipas tij, ia bën drejtësisë më të vështirë e ndoshta të pamundur goditjen e zyrtarëve të lartë.

“Nuk ka nevojë ta shkrijë SPAK-un,” thekson Hasimja, duke shtuar se “i mjafton të ndryshojë bazën ligjore ose të paaftësojë në çfarëdo mënyre tjetër aftësinë e SPAK-ut për të goditur pushtetarë”.

SPAK, si ‘garanci’ e procesit të integrimit

Prokuroria e Posaçme është një ndër institucionet e reja dhe më të diskutuara e krijuar si rezultat i presionit ndërkombëtar për një reformim të sistemit të drejtësisë në Shqipëri – në mënyrë që të bëjë të mundur luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.

Hetimet deri më tani kanë çuar dy drejtues të opozitës nën akuzë për korrupsion, ish kryeministrat Sali Berisha dhe Ilir Meta, ndërkohë që nën akuzë janë gjithashtu zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste në pushtet, përfshirë ish-kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj dhe ish-ministrat e Shëndetësisë dhe Mjedisit, Ilir Beqaj dhe Lefter Koka.

Çështjet më të bujshme të aferave korruptive lidhen pikërisht me qeverisjen e Ramës, por sipas pedagogut Blendi Ceka, qeveria ka gjithashtu nevojë për suksesin e tij si një pasaportë në procesin e negociatave me BE-në.

“Është çështje ekzistenciale e qeverisë që ky projekt të funksionojë,” sugjeroi Çeka.

“Grupkapitulli i parë i negociatave lidhet pikërisht me reformën në drejtësi dhe është ky grupkapitulli që do të mbyllet i fundit, si një formë monitorimi që ky proces është pa kthim,” shtoi ai, ndërsa theksoi se nëse ndodh që BE e fik dritën e integrimit, atëherë qeveria është kërcënimi kryesor për SPAK-un”.

Politologu Ermal Hasimja është më pesimit në parashikimin e tij për cënimin që i kanoset pavarësisë s SPAK-ut nga politika.

Ndërsa skenarët janë aktualisht të paqartë, Hasimja vlerëson se përfundimi i mandatit të kreut aktual të SPAK, Altin Dumani do të jetë një tregues i formës që ky institucion do të marrë në të ardhmen.

“Sfida e madhe e SPAK-ut do të jetë përfundimi i mandatit të Dumanit. Aty do të shohim realisht si do të marrin formë vullnetet politike të Ramës dhe Berishës për t’u marrë me drejtësinë,” përfundoi ai./BIRN

Artikulli paraprakDy aksidente pune në sektorin minerar brenda pak ditësh, plagosen punëtorë në Bulqizë dhe Martanesh
Artikulli tjetërProtesta e studentëve në Serbi jep efekt, Vuçiç “dorëzohet” dhe flet për zgjedhje të parakohshme!