Kërcënimet e qeverisë, a do të rriten çmimet?

Biznesi është agjenti kryesor i ekonomisë. Ai që hap vende pune, paguan taksa e lë vlerë të shtuar. Kjo do të thotë se një biznes i shëndetshëm përkthehet në një ekonomi të shëndetshme. Por a është i tillë biznesi shqiptar? Apo vështirësitë që has ia faturon konsumatorëve me rritje çmimesh?

Tregu shqiptar është i vogël dhe për shkak të tranzicionit të zgjatur dhe politikave shumë herë të gabuara fiskale ka pësuar deformime të forta në drejtim të konkurrencës. Ai është i dominuar kryesisht nga biznese të vogla. Ndaj nuk është çudi që brenda një lagjeje të ketë disa farmaci, dyqane buke, bar kafe apo parukeri. Modele të ngjashme biznesi, që nisin me pak para dhe shërbejnë kryesisht për punësimin e familjes.

Në vitin 2023, numri i bizneseve në shkallë vendi arriti në mbi 130 mijë, me rritje 4.1% kundrejt një viti më parë. Por teksa trendi në rritje i hapjes së bizneseve të reja është pozitiv, problem mbetet struktura.

Aktualisht, vetëm 1.6% e bizneseve në vend janë ndërmarrje të mëdha me më shumë se 50 të punësuar. Shumica dërrmuese janë subjekte të vogla, që kanë nga 1 deri në 4 të punësuar.

Shqiptarët preferojnë më shumë të merren me tregti dhe shërbime dhe më pak me prodhim. Kjo pasi të bësh biznes në këta sektorë është më e lehtë dhe me risk më të ulët. Përveç kësaj, nuk nevojiten të ardhura të mëdha për të hapur një aktivitet të tillë dhe as njohuri të thelluara apo eksperiencë.

Të dhënat tregojnë se në fushën e tregtisë janë aktive mbi 44 mijë biznese dhe në atë të shërbimeve më shumë se 62 mijë. Në total, vetëm në këta dy sektorë janë të përqendruar mbi 82% e totalit të bizneseve në vend.

Por si ka qenë ky vit për bizneset e vogla? Cilat janë problemet kryesore, me të cilat ata përballen?

Kjo duke pasur parasysh se për t’i ndihmuar, në qershor të vitit 2020 qeveria i përjashtoi nga taksat deri në vitin 2029.

Por ndërsa bizneset e vogla janë të rëndësishme kryesisht për punësimin, ndërmarrjet e mëdha janë ato që prodhojnë, kontribuojnë më shumë në buxhetin e shtetit me taksa dhe lënë vlerë të shtuar në ekonomi. Viti 2024 nuk ka qenë i lehtë për to.

Të dhënat tregojnë se në 10 mujorin e parë të këtij viti, eksportet arritën vlerën e 369.8 miliardë lekëve, me rënie 53 miliardë lekë ose 14.3% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Për një pjesë të prodhimit “Made in Albania” humbjet kanë qenë edhe më të mëdha.

Rënien më të fortë këtë vit e kanë pësuar grupet “Minerale, lëndë djegëse, energji”, “Tekstile dhe këpucë”, që ndryshe i njohim edhe si fasonët, si dhe “Materiale ndërtimi, metale”.

Të bësh biznes në Shqipëri nuk e lehtë. Një refren që drejtuesit e kompanive të mëdha e përsërisin vazhdimisht teksa rendisin gamën e vështirësive që duhet të përballin çdo ditë,

Disa probleme janë të trashëguara e disa të tjera të krijuara vitet e fundit, si mungesa e fuqisë punëtore, zhvlerësimi i fortë i euros, informaliteti; marrëdhëniet jo të lehta me institucionet; korrupsioni dhe mungesa e financimeve.

E kësaj panorama i shtohen edhe disa nga nismat e fundit të qeverisë, të cilat kanë pasur fokus biznesin. Iniciativa që nuk kanë qenë gjithmonë të mirëpritura. Pas rritjes së pagës minimale vitin e kaluar, gjë që shtoi kostot për sipërmarrjen, qeveria ka rikthyer luftën kundër informalitetit në tregun e punës. Me një gjuhët të ashpër, kryeministri gjatë muajve të fundit ka kërkuar nga biznesi të deklarojë pagat reale të punonjësve, si e vetmja mënyrë për të rritur pensionet.

Por sa është konsultuar qeveria me biznesin për nismën anti-informalitet, por jo vetëm? A ekziston sot një dialog real mes palëve? Ku qeveria jo vetëm dëgjon, por merr edhe parasysh atë që sipërmarrja thotë dhe kërkon?

Bizneset po përballen sot me presionin e rritjes së kostove. Kjo pasi mungesa e punëtorëve përkthehet në kosto shtesë për biznesin. Rritja e pagës minimale është një tjetër kosto shtesë. Korrupsioni është një taksë e fshehtë, që rrit gjithashtu kostot. E këto kosto të shtuara sipërmarrja nuk i mban vetë, pasi synon fitimin. Ato i transferohen qytetarit me rritje të çmimeve.

E kur çmimet rriten, ashtu siç ka ndodhur veçanërisht dy vitet e fundit, as rritja e pagave dhe as bonusi i pensionistëve nuk bën më fajde. Ndaj dhe çdo nismë, sado me qëllim të mirë, duhet të konsultohet e jo të imponohet, pasi qeveria i shkarkon kostot tek biznesi dhe biznesi tek qytetarët. E për këta të fundit që duhet të mendojnë të gjithë, nuk mendon askënd.

Artikulli paraprakA do të mundet Trump të shkëputë Kinën nga Rusia?
Artikulli tjetërTë rinjtë, kundër “rrymës” në tregun e punës, Banka Botërore: Vetëm 15% e të diplomuarve mbarojnë degët e kërkuara nga biznesi