Kërcënimi i Guardiolës, Toure nuk luan pa kërkuar falje Seluk

Është luftë e hapur mes Pep Guardiolës dhe menaxherit të Yaya Touresë, Dimtri Seluk. Trajneri i “Cityzens” u është përgjigjur ashpër kritikave për mospërfshirjen e futbollistit nga Bregu i Fildishtë në listën e Championsit. Seluk ishte shprehur se Pep e kishte poshtëruar klientin e tij, por reagimi i spanjollit është kategorik.
“Yaya Toure nuk do të luajë te Manchester City për aq kohë sa menaxheri i tij nuk do t’i kërkojë falje klubit, futbollistëve dhe trajnerit. Nuk mund të pranoj që një menaxher të thotë në media gjëra të tillë. Unë as guxoj ta mendoj se menaxheri im mund t’i fliste me atë gjuhë Crujffit kur luaja te Barcelona. Nëse Seluk është i shqetësuar, duhet të fiksojë një takim me Bigiristain dhe të flasë për gjërat që e shqetësojnë. Nuk e kisha të lehtë të mos e përfshija Tourenë, por edhe futbollistin tjetër Alex Garcia në listën e Championsit”.
Në kulmim e polemikave mes Guardiolës dhe Seluk, vetë Yaya Toure nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar tërheqjen nga kombëtarja e Bregut të Fildishtë. Sipas tij, ishte një vendim shumë i vështirë për t’u marrë, por duhet t’ia lërë stafetën më të rinjve. Yaya Toure është grumbulluar për herë të parë me përfaqësuesen e Bregut të Fildishtë në vitin 2004. Gjatë 14 viteve me “Elefantët” është aktivizuar në 102 ndeshje dhe ka shënuar 19 gola.

Exit mobile version