Në emisionin “Vetting” në News24 është trajtuar fenomeni i erozionit, veçanërisht në zonat bregdetare. Erozioni, një forcë natyrore, e kombinuar me pasojat e dorës njerëzore është kthyer në një kërcënim të heshtur, një katastrofë që na kalon përpara syve pa bërë zhurmë.
Sipas specialistëve rreth 150 kilometra të vijës sonë bregdetare po i nënshtrohet me ritme të shpejta erozionit duke shkaktuar dëme të konsiderueshme social-ekonomike.
Sipas një raporti të Programit të Zhvillimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, humbja e tokës për shkak të erozionit është 2-3 herë më e lartë në Shqipëri sesa në vendet e tjera të Mesdheut dhe 10 deri në 100 herë më e madhe se sa në shumë vende të tjera Europiane. Ndërsa institucionet shtetërore qëndrojnë indiferent.
Bregdeti mahnitës shqiptarë i shtrirë në 454 kilometra, një pasuri natyrore e jashtëzakonshme, ka tërhequr vëmendjen e miliona turistëve nga e gjithë bota.
Plazhet me rërë të artë, ujërat e kristalta të deteve Jon dhe Adriatik, si dhe vijat malore që prekin bregun, krijojnë një peizazh unik të pakrahasueshëm.
Nga plazhet e gjata dhe të qeta të Vlorës, te bukuritë e Shëngjinit e deri në ishujt dhe gjiret e fshehura të jugut, çdo pjesë e bregdetit shqiptar ofron një eksperiencë të paharrueshme. Udhëtarët mund të shijojnë një kombinim të historisë, kulturës dhe natyrës.
Natyra i ka dhënë gjithçka i duhet një vendi për të qenë unik, ndërsa dora e njeriu shqiptar ka shkatërruar pa ndalur.
253 kilometra vijë bregdetare përbëhet nga plazhe me rërë të sedentuar, të cilat kërcënohen nga erozioni që vjen si pasojë e ndërtimit të digave në lumenj dhe ulja e prurjeve si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike.
Ky emision do t’ju çojë në një udhëtim tek rezervati natyror i Kune Vainit në Lezhë, plazhi i Shëngjinit, Kepi i Rodonit, Golemi, Hamallaj, Rrushkulli, Shkëmbi i Kavajës, plazhi i Darëzezës në Fier dhe Pylli i Sodës në Vlorë. Atje ku natyra flet përmes shenjave të saj, dhe ne do të zbulojmë se sa shumë mund ta ndryshojë dora e njeriut për mirë a për keq atë çfarë na ka fal Zoti.
Do të shihni se çfarë do të ndodhë nëse vazhdojmë të humbasim çdo ditë nga pak, këtë betejë me erozionin duke shkatërruar pasuri që natyra e na e ka dhuruar, duke humbur gjithnjë e më shumë copa toke që ka mbajtur brez pas brezi.
Sipas dekanit të Fakultetit të Pyjeve në Universitetin Bujqësorë Kamëz, Ervin Toromani, “në aspektin e erozionit detar zona më e dëmtuar është ajo e Kune-Vainit në bashkinë e Lezhës, është zona e Semanit që i përket bashkisë së Fierit, janë zona problematike ku janë konstatuar humbje të tokës dhe avancimi i detit duke hyrë në brendësi të territorit në zona të caktuara, sidomos në zonën e Kune Vainit po rrezikohen habitatet e lagunës dhe të ligatinave duke ndikuar drejtpërsëdrejti në florën dhe faunën që jeton pikërisht në këto habitate.”