Presionet dhe shantazhet ndaj votuesve në Dibër kanë qenë pjesë e skemës së bandës së urdhëruar nga Rama për të marrë me çdo kusht Bashkinë e Dibrës. Krahas denoncimeve të pensionistëve, shumë prej të cilëve folën jashtë kamerave se ata ishin kërcënuar për të vënë votën për kandidatin e majtë, Muharrem Rama, denoncime të tjera vijnë edhe nga kategoria e invalidëve, të cilët shprehen se janë kërcënuar me heqjen e KEMP-it në rast se nuk votonin për Muharrem Ramën. Kështu një tjetër denoncim ka ardhur në lidhje me presionin e bërë për blerjen e votave gjatë zgjedhjeve vendore në Dibër që u zhvilluan disa ditë më parë, më 11 shtator. Bajram Bardhi, një invalid nga Dibra, ka treguar se si i është bërë presion për ndërprerje të KEMPI-t dhe ndihmës ekonomike nëse nuk jepte votën. “Më pyeti Dika (Dik Spata administratori i njësisë vendore Fushë Çidhën) se kujt do t’ia jepja votën dhe nëse nuk e jepja për Ramën, do të më hiqte KEMPI-n”, ka thënë Bardhi. “Ndërsa Sakipi (Sakip Noka përgjegjës i zyrës së ndihmës ekonomike) më tha se do ta heq ndihmën ekonomike nëse nuk do e jepja votën për Muharrem Ramën”, u shpreh Bardhi. Shantazhe dhe kërcënime janë ushtruar edhe ndaj punonjësve të administratës, të cilëve u është kërkuar të fotografojnë votën e tyre të dhënë ndaj Muharrem Ramës në të kundërt do të shkarkoheshin nga puna. E moshuara Zelie Gjoni ka pohuar para kamerave se ka votuar për kandidatin Muharrem Rama pasi nga shtabi elektoral i Partisë Socialiste i kishin dhënë 20 mijë lekë të vjetra që të votonte për kandidatin e majtë. Rahim Etemi, vëzhgues nga radhët e PD-së në qendrën 11/00 në Maqellarë akuzoi kryetaren e Këshillit Bashkiak të Dibrës, Lule Dani, se ka ushtruar presion duke detyruar një të moshuar të votojë për kandidatin e Partisë Socialiste. Presionet dhe kërcënimet ndaj të moshuarve nisnin me mosdhënien e pensionit, si dhe gjithfarë mjetesh të tjera të pushtetit nëse ata nuk do të votonin për kandidatin e majtë. Teksa gazetari i “News24” në Dibër, Enver Doçi, ka tentuar të marrë një deklaratë të palës tjetër lidhur me këto akuza të ngritura nga PD, ai është shtyrë dhe i është kërkuar të largohet nga komisionerë dhe militantë të PS. Por pavarësisht presioneve për të mos xhiruar me kamera, gazetari Enver Doçi ka arritur të marrë edhe reagimin e kryetares së Këshillit Bashkiak, Lule Dani, e cila pranon se ka shoqëruar të moshuarën drejt kutisë së votimit, por këtë sipas saj e ka bërë për ta ndihmuar pasi e moshuara nuk dinte të votonte. Gazetari i “News24” ka insistuar edhe më tej duke marrë prononcimin e vetë të moshuarës Zelie Gjoni, e cila deklaron se është paguar në shumën 20 mijë lekë të vjetra për të votuar për kandidatin e majtë. Rasti i Zelie Gjonit është rasti i të gjithë të moshuarve në Dibër, të cilëve u janë ofruar para, e madje edhe thasë me miell në mënyrë që të jepnin votën e tyre për PS ashtu si edhe rasti i invalidit Bajram Bardhi. Blerje me para, duke nisur nga 20, 50 e deri në 100 mijë lekë të vjetra, thasë me miell, ndihmë ekonomike, pension invaliditeti, si dhe shantazh e deri dhunë ishin mjetet e gjithpërdorura nga banda e Ramës. Në çdo zonë elektorale kur do të votohej për Bashkinë Dibër, banda ishte ndarë në grupe të mirorganizuara ku votuesve në këmbim të votës u ofroheshin para ose thasë me miell. Me fakte dhe prova të pakontestueshme, shtabi elektoral i Partisë Demokratike ka denoncuar blerjen e votave në favor të kandidatit të majtë, Muharrem Rama. Demokratët denoncuan se po shpërndaheshin para dhe miell dhe ka përpjekje për shantazh ndaj votuesve. Skema e blerjes së votës, si dhe ushtrimit të shantazhit ndaj votuesve ishte shtrirë në të gjithë zonat elektorale.
Strukturat kriminale tek votat, zgjedhje me Ramën nuk ka
Partia Demokratike po përgatit raportin e plotë e të detajuar të rasteve të evidentuara që janë vetëm indiciet e kësaj masakre me votën në Dibër, ndërsa i bën thirrje Prokurorisë të lëvizë, të hetojë e të marrë në përgjegjësi penale, për rastet e njohura deri tani, të bëra publike në media dhe nga qytetarët. Përmes një deklarate për mediat, deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi renditi dje disa nga rastet e bëra publike në lidhje me blerjen e votave në Dibër nga rrjeti i mirorganizuar kriminal i Ramës.
“Pas çdo ore që kalon, del në dritë përherë e më qartë mekanizmi kriminal i blerjes së votës në Dibër. Rastet e publikuara në media, si ai i ‘Fiks Fare’ një natë më parë apo ditën e zgjedhjeve në ‘News 24’, janë dëshmi jo thjesht dhe vetëm të blerjes së votës.
Ato dëshmojnë se në Dibër funksionoi një skemë e mirorganizuar me fond dhe pagatorë të vënë në dispozicion për blerjen e votës. Funksionarë të lartë të Bashkisë, kryekëshilltarja e Këshillit Bashkiak dhe vëllezërit e Muharrem Ramës janë kapur me zë e me figurë duke kryer krimin elektoral.
Këto janë rastet sporadike të një rrjeti të mirorganizuar që kishte lëshuar tentakulat në çdo qendër votimi, pa përjashtim”, tha Bylykbashi.
Ai tha se duke nisur nga drejtuesit politikë të fushatës në bashkëpunim me figurat e njohura të krimit të organizuar drejtorë të administratës qendrore dhe lokale, shefa policie, administratorë, kryepleqtë dhe zyrtarë publikë, ky grup i strukturuar kriminal ka ndarë milionat që duheshin, njerëzit që do të kryenin operacionin, duke llogaritur e paracaktuar blerjen e votave sipas çdo qendre votimi.
“Mbi bazën e parave të hedhura, ata e dinin se sa vota kishin marrë. Kjo është arsyeja se pse ata nuk bënë fushatë, pse kandidati i tyre refuzoi çdo përballje me kandidatin tonë dhe nuk iu dëgjua zëri gjatë fushatës. Është kjo arsyeja pse nuk kishin një platformë dhe refuzuan vazhdimisht debatin. E bënë këtë, sepse kishin blerë dhe kapur votën. Ju kujtohet kur deklaruan të dielën në darkë, se e dinin çfarë kishin kutitë brenda. E dinin, sepse brenda kutive ishin miliona euro të hedhura për të prishur zgjedhjet, për të ndalur garën, për të zhdukur konkurrencën”, tha Bylykbashi ndër të tjera.
Bylykbashi bëri të ditur se Partia Demokratike po përgatit raportin e plotë e të detajuar të rasteve të evidentuara që janë vetëm indiciet e kësaj masakre me votën në Dibër. Ai i bëri thirrje Prokurorisë të lëvizë, të hetojë e të marrë në përgjegjësi penale, për rastet e njohura deri tani, të bëra publike në media dhe nga qytetarët.
“Dibra është prova se zgjedhje të lira me Edi Ramën dhe kartelin e tij të drogës nuk ka.
Është koha për një reflektim të thellë kombëtar dhe veprim të përbashkët në të gjitha drejtimet për lirinë e votës pa të cilën nuk mund të ketë asnjë liri tjetër.
Lufta totale me kartelin e drogës, krimit dhe korrupsionit sapo ka filluar”, u shpreh Bylykbashi në fjalën e tij.
A.Shahini