Kërcënimi nga Rusia

“The Economist”

Katër vite më parë, Mitt Romney, atëherë kandidat republikan tha se, Rusia ishte armiku kryesor gjeopolitik i Amerikës. Barack Obama, ndër të tjera, u tall me këtë gafë të stërmadhe: “U kthyem mbrapa në politikën e jashtme të viteve 1980. Lufta e Ftohtë ka 20 vjet që ka mbaruar”, u tall Presidenti. Si ndryshojnë kohët. Tani që Rusia hakon zgjedhjet amerikane, drejton sulme të përgjakshme në Siri, anekson Krimenë dhe flet shpesh për përdorimin e armëve bërthamore, këndvështrimi i Romney-t nuk duket më edhe aq surreal. I vetmi amerikan që nuk është dakord me këtë qëndrim në ditët e sotme është kandidati republikan, Donald Trump.
Çdo javë, Presidenti rus, Vladimir Putin gjen mënyra të reja për të frikësuar botën. Kohët e fundit ai lëvizi kapacitetin bërthamor afër me Poloninë dhe Lituaninë. Këtë javë dërgoi grupe aeroplanmbajtësish në Detin e Veriut dhe në Kanalin Anglez. Ka kërcënuar se do të rrëzojë avionët ushtarakë amerikanë që sulmojnë despotin e Sirisë, Bashar al-Assad. I dërguari i Rusisë në Kombet e Bashkuara ka thënë se, marrëdhëniet me Amerikën janë sot më të trazuara se në 40 vitet e fundit. Lajmet ruse janë të mbushur me raketa balistike dhe bomba.
“Sjellja e pacipë mund të ketë pasoja bërthamore”, kërcënon Dmitry Kiselev, propagandisti kryesor i Putinit, i cili citon fjalët e Presidentit rus kur thotë: “Nëse lufta është e pashmangshme, duhet të godasësh i pari”. Në fakt, Rusia nuk është në prag të luftës me Amerikën. Pjesa më e madhe janë vetëm fjalë, por përbën përsëri kërcënim për stabilitetin dhe rendin. Hapi i parë për t’iu përgjigjur një kërcënimi është të kuptohet se karakteri luftarak i Rusisë nuk është kërcënim për kryengritje, por një shfaqje e vazhdueshme dhe sfilitëse e dobësisë.

Vlad pushtuesi
Rusia ndodhet përballë problemeve të mëdha ekonomike, politike dhe shoqërore. Popullsia e saj po plaket dhe pritet të tkurret me 10 për qind deri në vitin 2050. Në përpjekje për të modernizuar shtetin, ekonomia u dobësua. Në fakt, Putini ka drejtuar një qeveri që ndodhej në rritje: ndërmjet viteve 2005-2015, pjesa e GDP-së ruse që buronte nga shpenzimet publike dhe firmat shtetërore u rrit nga 35 në 70 për qind. Pasi ka pasur një rritje ekonomike prej 7% në vit në fillim të ngritjes së Putinit, tani ekonomia ka filluar të tkurret. Sanksionet janë pjesërisht shkaktarët, por korrupsioni dhe rënia e çmimit të naftës kanë rëndësi akoma më të madhe. Kremlini është ai që vendos se kush bëhet i pasur dhe qëndron i tillë. Vladimir Yevtushenkov, një manjat rus, u burgos për 3 muaj në vitin 2014 dhe kur e liruan, kishte dorëzuar kompaninë e tij të naftës.
Putini është përpjekur ta eklipsojë dobësinë brenda vendit me agresionet jashtë tij. Me protestat masive pas zgjedhjeve 2011-2012, shtresa e mesme urbane e Rusisë shfaqi dëshirën për të pasur një shtet modern. Kur çmimi i naftës ishte i lartë, Putini mund të rezistonte duke blerë mbështetjen e tyre. Tani, ai e ruan pushtetin e tij duke nisur luftëra jashtë vendit dhe duke përdorur propagandën për të nxitur nacionalizmin, ai ka frikë t’i hapë rrugë ideve perëndimore sepse sistemi politik rus edhe pse i aftë për shtypje, është i dobët. Institucionet që do të qëndronin në themel të Rusisë së begatë, si rregulli i ligjit, media e lirë, demokracia dhe konkurrenca e hapur, përbëjnë kërcënim për shtetin e kalbur të Putinit.
Për pjesën më të madhe të kohës së tij në pushtet Obama ka menduar se, përderisa Rusia është një fuqi në rënie, nuk ka nevojë t’i kushtohet shumë vëmendje. Edhe pse i dobët dhe i pasigurt, një vend i paparashikueshëm me potencial bërthamor është i rrezikshëm, ndoshta edhe më shumë se Bashkimi Sovjetik dikur. Ndryshe nga liderët sovjetikë pas Stalinit, Putini e drejton vendin i vetëm, i pakontrolluar nga askush. Ai mund të qëndrojë në pushtet për shumë e shumë vite të tjerë. Mosha nuk ka për të qenë problem për të.
Obama ka thënë shpesh gjëra të sakta rreth putinizmit dhe madje u shfaq veçanërisht i egër gjatë konferencës për shtyp këtë javë, por Putini ka mësuar se mund ta mashtrojë Amerikën dhe të dalë në krye. Sanksionet e buta perëndimore e përkeqësojnë jetën e qytetarëve të zakonshëm rusë, por i japin atyre edhe një armik të përbashkët kundër të cilit të luftojnë, duke i ofruar Putinit justifikimin më të mirë për dëmet ekonomike të shkaktuara në fakt nga politikat e tij.

Ivani i durueshëm
Atëherë, çfarë duhet të bëjë Perëndimi? Koha është në anën e tij. Një fuqi në rënie duhet përmbajtur derisa të rrëzohet vetë, edhe pse qëndron rreziku se mund të shpërthejë. Për shkak se rreziku qëndron tek keqllogaritja dhe keqinterpretimi i fakteve, Amerika duhet të vazhdojë të mbajë bisedime direkt me Putinin, edhe në ditët e sotme kur eksperienca është tepër dekurajuese. Suksesi nuk matet nga arritjet dhe armëpushimet – edhe pse ato do të ishin të mirëpritur nga Siria – por me uljen e shanseve të shpërthimit rus.
Keqllogaritjet bërthamore do të ishin më të këqijat. Kështu bisedimet duhet të përfshijnë edhe kontrollin e armëve, si dhe marrëdhënie të përmirësuara ushtarake, me shpresën që armët bërthamore të mbahen të ndara nga çështjet e tjera, siç ndodhi në kohën sovjetike. Kjo do të ishte e vështirë për shkak se, teksa Rusia është në rënie, do ta shikojë arsenalin bërthamor si avantazhin e vetëm në dorë.
Një tjetër hapësirë diskutimi duhet të jetë fqinjësia e Rusisë. Ukraina është prova se si Putini kërkon të destabilizojë vendet për të mos t’i lënë ato të shkëputen nga sfera e influencës së Rusisë. Presidenti i ardhshëm i Amerikës duhet të deklarojë se, ndryshe nga ç’thotë Trump, nëse Rusia përdor këto taktika kundër një anëtari të NATO-s, si Letonia dhe Estonia, aleanca do ta trajtojë si një sulm kundër saj. Veçmas, Perëndimi duhet të bëjë të qartë se nëse Rusia ushtron dhunë kundër aleatëve të NATO-s si Gjeorgjia dhe Ukraina, atëherë kjo i jep të drejtën t’i furnizojë ata me armë.
Rusia nuk pretendon t’i ofrojë botës një ideologji apo vizion tërheqës. Propaganda e saj ka për qëllim vetëm të diskreditojë dhe të shthurë vlerat liberale duke ushqyer idenë se Perëndimi është po aq i korruptuar sa Rusia dhe sistemi i tij politik është po aq i manipuluar. Rusia kërkon të përçajë Perëndimin duke e bindur se i ka humbur aftësitë për të kontrolluar eventet botërore. Në kundërpërgjigje, Perëndimi duhet të shfaqet i bashkuar dhe i palëkundur.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version