Saimir Tahiri ka kërcënuar Ramën me publikimin e 5 dosjeve që dëshmojnë për lidhjet e tij dhe të pesë anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar me bandat e drogës dhe krimit të organizuar.
Ish-Kryeministri Berisha publikoi dje denoncimin e një punonjësi të Kryeministrisë sipas të cilit Gaz Demi i njohur si mik i Tahirit dhe Ramës e së fundmi si ndërmjetës i Tahirit tek Rama vijon takimet midis të dyve, duke negociuar mbi kërkesa me sa duket që Tahiri bën ndaj Ramës.
Sipas Berishës në denoncimin e publikuar, Tahiri ka pesë dosje të reja të pushtetarëve të Ramës që faktojnë lidhjet e tij me bandat e drogës. Janë këto pesë dosje me të cilat Tahiri mban peng Ramën dhe e detyroi atë që ta shpëtojë nga arrestimi dhe vënia para drejtësisë.
“Gaz Demi vazhdon ndërmjetësimin midis Saimir Tahirit dhe Edvinit! Punonjësi dixhital informon se sot në zyrën e tij, Edvini pati një takim me Gaz Demin, ndërmjetësin famoz, me të cilin Saimir Tahiri kërcënoi natën e “Opinionit” Ramën për publikimim, në rast se do ta lëshonte, të 5 dosjeve kundër tij dhe narko-pushtetarëve të tjerë. Por, në rast se dihet se Gazi sot ishte përsëri i dërguari i Saimirit, biseda e zgjatur e tij me Ramën mbetet e errët”, thuhet në postimin e Berishës.