Tre gjykatës të trupit gjykues Agim Bendo, Fatos Qato dhe Zamir Poda, të “Hakmarrjes për Drejtësi” kanë kërkuar dje dorëheqjen nga procesi gjyqësor. Bëhet e ditur se, gjyqtarët janë kërcënuar duke u detyruar që të japin dorëheqjen nga kjo çështje. Seanca e parë që ishte parashikuar për rigjykimin e “Hakmarrjes në Drejtësi” është shtyrë nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda për shkak se, tre gjyqtarë të ngarkuar për këtë dosje kanë kërkuar dorëheqjen e tyre nga procesi i gjykimit.
Në mars të këtij viti, Gjykata e Lartë e riktheu çështjen për rigjykim në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda, çështjen e bandës “Hakmarrja për Drejtësi”.
Gjykimi ndaj organizatës filloi që në vitin 1998, por u rikthye me kërkesë të të akuzuarit kryesor Orik Shyti. Ai bashkë me 10 persona të tjerë kanë marrë dënime nga 5 vjet burg deri në burgim të përjetshëm për disa krime të rënda.
Veç Orik Shytit, në organizatë kanë qenë edhe vëllai i tij Laerti, Altin Arapi dhe Gentian Caka të dënuar me burgim përjetë. I dënuari Orik Shyti e mori vendimin në mungesë gjatë gjykimit, pasi është azilant në Zvicër.
Vëllezërit Shyti janë djemtë e Hajredin Shytit, një prej figurave të rëndësishme të Ministrisë së Brendshme në diktaturën komuniste dhe në qeverisjen e ish-kryeministrit Fatos Nano në 1991.
Hajredin Shyti u dënua me 17 vjet burg për “vrasje me dashje indirekte” të 4 demonstruesve civilë në 2 prill 1991 në Shkodër.
Të dënuarit e “Hakmarrjes për Drejtësi” akuzohen për vrasjen e drejtorit të burgjeve, vrasjen e 4 civilëve nga vendosja e bombës në ish-supermarketin e kompanisë “VEFA” dhe të shoferit të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku që kur organizata u shfaq, sipas autoriteteve, në 12 tetor 1996, etj.