Një 39-vjeçar nga Gramshi ka kërcënuar shoferin e autobusit që transportonte mësuesit e fshatit Sotirë. “Zbriti mësuesit nga autobusi se është rruga ime”, i është drejtuar shoferit 39-vjeçar duke mos e lejuar të kalojë. Policia sqaron se 39-vjeçari me iniciale A.F., shofer autobusi, pretendon se linja e kësaj rruge është e licencuar dhe i përket atij .“Ky shtetas, në fshatin Paktos duke lëvizur me mjetin e tij autobus, pretendon se linja Gramsh–Sotirë është me licencë e tij dhe i ka bllokuar lëvizjen në rrugë autobusit të drejtuar nga shtetasi L.B., 52 vjeç banues në Gramsh, i cili transportonte mësuesit e fshatit Sotirë. Shtetasi A.F., dyshohet ta ketë kërcënuar shtetasin L.B., që të zbresë pasagjerët dhe të kthehet për në Gramsh”, informoi policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vetëgjyqësia” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” parashikuar nga nenet 277 dhe 293 të Kodit Penal.