Prej disa ditësh në fshatin Rrilë të Lezhës janë kryer një seri vjedhjesh të banesave dhe të bagëtive.
Banorët denoncojnë policinë, pasi sipas tyre është bërë palë me hajdutët, duke i lënë ata në mëshirë të fatit.
I zoti i shtëpisë që është grabitur së fundi, Ndue Karaçi shprehet se ai është kërcënuar nga oficeri i policisë: Policia është bërë palë me hajdutët, më ka kërcënuar oficeri i policisë se do ta zgjidhim privatisht. Në fshat ka vjedhje çdo natë, policia nuk reagon por e mbyll privatisht me familjarët që të mos bëjnë denoncime.
Edhe në Elbasan policët bashkëpunojnë me kriminelët dhe sekserët. Inspektori i Policisë, Idajet Sina, me detyrë Ndihmës Specialist për Policimin në Komunitet (SPZ) në Stacionin e Policisë Belsh, në Komisariatin e Policisë Cërrik akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
“Arrestimi i tij u bë pasi dyshohet se ka favorizuar banorë të zonës që ai mbulon në cilësinë e Ndihmës Specialistit për Policimin në Komunitetit të kryejnë ndërtime të paligjshme”.
Për punonjësin e policisë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan caktoi masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Në kuadër të hetimit u morën të pandehur shtetasit S.K, D.K, Th.Ç dhe Z.K., banorë të Njësisë Administrative Seferan e Belshit, zonë e cila mbulohej nga Inspektori Sina.
Të katërt shtetasit akuzohen për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë çështje.