Trajneri Zinedine Zidane i ka kërkuar presidentit të Real Madridit, Florentino Perezit, të mos e lejojë shitjen e mbrojtësit anësor brazilian, Marcelos.
Kthimi i Zidane në pozitën e trajnerit të Real Madridit mund të ketë ndikim të madh te të ardhmet e një numri të madh të lojtarëve, përfshirë këtu edhe Marcelon.
Sipas të përditshmes braziliane, A Bola Brasil, Zizou dëshiron ta mbajë Marcelon në Santiago Bernabeu, pasi që beson se ai do të jetë i rëndësishëm për projektin e tij në klub.
Mbrojtësi anësor, i cili e kishte humbur vendin në formacionin e parë sa ishte trajner Santiago Solari, pritej të transferohet në Juventus. Madje, mediat italiane kishin raportuar se tashmë mes këtyre dy palëve ishte arritur një marrëveshje.
Megjithatë, A Bola Brasil pretendon se Zidane nuk është dorëzuar për Marcelon dhe ai i ka kërkuar Florentino Perezit të mos e lejojë në asnjë mënyrë shitjen e 30-vjeçarit gjatë afatit kalimtar të verës.
Zidane dëshiron ta kthejë brazilianin në formën e tij më të mirë dhe ai planifikon të bisedojë me Marcelon këtë jave. Këto bisedime besohet se do të jenë vendimtare për të ardhmen e Marcelos.