Nga dr. Hasan Bello
Në një memorandum të Eqrem bej Vlorës drejtuar Vjenës nga Stambolli më 14 prill 1904 trajtohej gjerësisht gjendja dhe pozita politike e kombit shqiptar në raport me shtetet fqinjë dhe fuqitë e interesuara. Ai ishte i bindur se e ardhmja e sundimit osman në Shqipëri nuk e kishte të gjatë. Kjo do të shoqërohej me pasoja të rënda për kombin e papërgatitur shqiptar. Sipas tij, atyre i mungonte forca mendore dhe vullneti, mbështetja morale dhe ndoshta fizike e një përkrahje të jashtme, për t`i imponuar fatit të vet një të ardhme më të mirë. Në fund, ai parashtronte disa pika, të cilat lidheshin me të drejtat e kombit shqiptar. Një prej tyre ishte liria për të shkruar dhe lexuar në gjuhën shqipe; që shqiptarëve t`u jepeshin të njëjtat të drejta si të gjithë nënshtetasit e Perandorisë Osmane. Një pikë tjetër mjaft interesante ishte kufizimi i shkollave të huaja, që ishin hapur në Shqipëri për qëllime propagandistike. Me këtë, ai kishte parasysh të gjitha institucionet arsimore që përpiqeshin për helenizimin, bullgarizimin dhe serbizimin e kombit shqiptar.
Eqrem bej Vlora kërkonte që reformat të mos aplikoheshin vetëm në vilajetet që përfshinin rajonin e Maqedonisë, por edhe në Janinë e Shkodër. Në qoftë se kjo kundërshtohej nga shtetet fqinj, atëherë ai propozonte që të krijohej një njësi e re administrative e banuar vetëm nga shqiptarët. Kjo, sipas tij, nuk duhej konsideruar si një dëshirë e ekzagjeruar, nëse kihej parasysh plotësimi i kërkesës bullgare për formimin e vilajeteve maqedone. Këto dhe pikëpamje të tjera të pasqyruara në këtë memorandum ishin kërkesa legjitime për të përgatitur terrenin politik, që në momentin kur të largohej Perandoria Osmane shqiptarët të mos gjendeshin në befasi.
Në një memorandum tjetër që Syrja dhe Eqrem bej Vlora botuan në një gazetë vjeneze disa muaj më pas me titull “Qëllimet dhe e ardhmja e Shqipërisë”, kritikonin politikën austro-hungareze në Shqipëri. Kjo për shkak të pikëpamjeve që ishin përhapur pothuajse në të gjithë Shqipërinë e Jugut, se fatin e saj austriakët e kishin lënë në dorë të Italisë. Në fakt këto pretendime kishin një bazë faktike. Në kuadër të kultusprotektoratit, Austro-Hungaria interesohej më shumë për ngritjen dhe forcimin e mirëqenies kombëtare, sociale dhe ekonomike të Shqipërisë Veriore. Për këtë arsye, ishte krijuar bindja se në të ardhmen Shqipëria e Jugut do t`i përkiste Italisë. Influenca austro-hungareze në jug ishte më e vogël se në veri. Prandaj, i vetmi mjet për ekuilibrimin e saj ishte rritja e veprimtarisë ekonomike; riorganizimi i transportit detar; themelimi i përfaqësive tregtare në Vlorë, Berat etj.