Kërkohet arrestimi i Berishës, Karabina: PD mbështet SPAK pa asnjë rezervë! Kërkesa e 30 deputetëve në Kushtetuese, ‘kurajo prej budallai’

Këshilli i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë do të shqyrtojë këtë të hënë kërkesën e SPAK, i cili kërkon autorizimin për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Për të sqaruar qëndrimin e Partisë Demokratikë në këtë rast dhe për të shpjeguar nëse deputetët e kësaj forcë politike do të votojnë pro arrestimit të Berishës, e ftuar në “Sot Live në Shqipëri” me Nertil Agalliun në Report Tv, ishte zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina.

Karabina theksoi se PD do të respektojë dhe mbështesë pa asnjë rezervë vendimet dhe kërkesat e SPAK.

“PartiA Demokratike e ka të qartë qëndrimin e saj, për gjatë gjithë kësaj kohe për çdo akt të ndërmarrë nga Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, ka inkurajuar dhe vazhdon ta inkurajojë dhe të mbështesë pa asnjë rezervë këtë strukturë.

Partia Demokratike nuk mund të jetë me standarte të dyfishta. Ashtu siç ka vepruar në rastet e tjera, kur i është kërkuar nga drejtësia heqja e mandatit, sigurisht dhe këtë herë do të veprojë konform të gjitha rregullave të asaj që drejtësia kërkon”,-u shpreh Karabina.

Pjesë e Këshillit të Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë është edhe deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili është pjesë e Partisë Demokratike.

E pyetur se si pritet që ky i fundit të veprojë në shqyrtimin e kërkesës së SPAK, Karabina theksoi se PD është në mbështetje të plotë të SPAK.

“Partia Demokratike do të kërkojë votëbesimin e qytetarëve kur ajo të jetë koherente, e qëndrueshme dhe e vërtetë në veprimet e saj. [Për aq kohë sa ne, gjatë gjithë kësaj periudhe kemi shprehur mbështetjen tonë ndaj kësaj strukture, e cila në fakt është një mbështetje jashtë zakonisht e madhe dhe po bën atë të cilën klasa politike, besueshmërinë dhe funksionimin e një pushteti siç është drejtësia. Kështu që Partia Demokratike është në mbështetje të plotë të SPAK”,- tha ajo.

Në lidhje me kërkesën  e 30 deputetëve ithtarë të Berishës, drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e kërkesës së SPAK, ku mes tyre është edhe deputeti Gazment Bardhi, Karabina deklaroi se ky akt është në kundërshtim me principet e Partisë Demokratike dhe vullnetin e qytetarëve.

Ajo e cilësoi sjelljen e tyre si “kurajo prej budallai”.

“Partia Demokratike është një tjetër realitet, respekton organet e drejtësisë, aq më tepër që kemi të bëjmë me një investim dhe mbështetje nga aleati ynë strategjik, SHBA dhe Bashkimi Europian në lidhje me funksionimin e këtij pushteti. Kështu që është keqardhje në fakt për një grup deputetësh të cilët, për gjatë gjithë kësaj periudhe nuk kanë mbajtur një qëndrim të qartë politike, që të qartësojë ata demokratë qytetarë që i kanë votëbesuar se çfarë duan, ku janë, ku shkojnë. Tani shkojnë e bëjnë një akt që në fakt është në kundërshtim me atë çfarë Partia Demokratike dhe qytetarët duan, ndëshkueshmërinë e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë nëse ato kanë shpërdoruar besimin e tyre. Populli ka një thënie shumë të bukur, “kurajo prej budallai’, nëse nuk patën kurajo të dilnin përpara qytetarëve de të shpjegonin pse ata mbajnë një qëndrim të caktuar apo cili është qëndrimi i tyre, shkojnë tani dhe bëjnë  një veprim kundër  një strukture e cila në fakt deri në këto moment ne po shikojmë që po jep rezultat”,– deklaroi Karabina.

Exit mobile version