NGA GJERGJI NIKA
“Ose deti është i shtrembër, ose ne s’vozisim drejt!”
Kjo shprehje ka kohë që më vërtitet në mendje. Sepse sot, në Shqipëri, situata nuk është e nevojshme t’u nënshtrohet shumë interpretimeve. Nëse dikush merr mundimin dhe ka gjakftohtësinë për t’i parë me realizëm faktet, mund të kuptojë nëse anija jonë është në rrugën e duhur, apo nëse po lëkundet rrezikshëm mes dallgëve dhe kuverta e hambaret e saj po mbushen me ujë.
Shqipëria po fundoset! Për shkak të kapitenëve të paaftë, të pafrymëzuar, joprofesionistë, meskinë e të shkëputur nga shoqëria, fundi duket se do të jetë i hidhur! Shqipëria ka vuajtur nga mungesa e lidershipit këto 34 vite.
Jo se nuk kemi pasur liderë, por sepse liderët tanë, më tepër se për popullin e Shqipërinë kanë menduar për vete dhe enturazhin e tyre të ngushtë politik e ekonomik!
Në këto 34 vite, kur duhet të kishte shpërthime shpirtërore, morale dhe aty ku duhet të shkëlqente virtyti, shpërthen “vrima e zezë” e manipulueshmërisë, dashurisë për partinë mbi Shqipërinë, cinizmit dhe moskokëçarjes ndaj përditshmërisë së qytetarëve.
Nëpër televizione promovohen figura të dyshimta dhe ruhet establishmenti i tranzicionit tonë të tejzgjatur, duke fshehur të vërtetën tragjike të një shteti, i cili po shembet. Të një shteti ku qytetarët largohen masivisht jo vetëm për shkak të pamundësive ekonomike e mungesës së shpresës, por edhe për shkak të neveritjes nga ky sistem politik i kalbur, i cili edhe kur bën rotacion, thjesht mban veten në shpinë të qytetarëve!
Publikimi i censit 2023 tregoi se popullsia është në pikiatë të lirë. Mungesa e lidershipit të drejtë politik na ka sjellë deri në atë pikë, që të numërojmë humbjet e luftës në kohë paqeje! Afërsisht gjysmë milioni shqiptarë janë ata, që për shkak të krizës ekonomike kanë emigruar jashtë vendit. Lindshmëria e ulët po than trungun kombëtar.
Sovraniteti kombëtar nuk ekziston.
Shqiptarët janë lënë aq shumë në hallin e tyre sa një shi i imët mbyt qytetet, një zjarr djeg qindra hektarë derisa shuhet vetë, turizmi nuk ka plan, kryetarët e partive u imponojnë partive të tyre t’i bien fyellit në të njëjtën vrimë pa pasur kauza, ose me të vetmen kauzë- pasurimin galopant, krimi përfshin çdo centimetër katror të Shqipërisë dhe udhëheqësit politikë, ndërsa mbështetësit piqen në diell apo ngrijnë në të ftohtë, bëjnë pazare pushteti, pastrimi paraje e ndërtime kullash.
Për të gjitha sa më sipër dhe shumë të tjera, nevojitet urgjentisht një LIDER! Shqipëria ka nevojë imediate për një staturë lideri, i cili ndoshta nuk ka ekzistuar më parë në Shqipëri, por që do të marrë frenat e pushtetit politik dhe do të shpëtojë atë që mund të shpëtohet duke i dhënë kurajo, frymëzim dhe shembullin e tij të mirë personal popullit tonë. Të rrëzojë gjithçka dhe të ndërtohet përsëri!
“Elitës” intelektuale eufemiste të Shqipërisë, e cila varet gjithmonë nga paratë publike, i pëlqen gjysmëzgjuarsia, evazioni i fjalëve dhe marrëdhëniet publike me ata që kanë shkatërruar kombin dhe popullin. Prandaj, kjo elitë përpiqet të kalojë idenë mashtruese se “fajin e ka sistemi”.
Koncepti djallëzor i sofistikës ky!
Sikur “sistemi” famëkeq u bë vetë apo u ul në vetë këmbëkryq në Shqipëri. JO! Këtë “sistem” e ndërtuan pikërisht këta politikanë, të cilët sot janë pengesë e së resë!
Politikanët tanë na mbytën me projektligje, dekrete presidenciale, nene kushtetuese dhe morën dritën jeshile nga kryeministrat dhe kryetarët e partive të tyre për ta bërë këtë gjë. Por shqiptarët sot meritojnë më shumë kërkojnë lidership të ri e të përgjegjshëm, sepse ndryshimin e fytyrave ndryshon edhe “sistemi”.
Vetëm një lider i ri, i vërtetë e me plan kombëtar, njohuri, epërsi morale e politike, vizion të qartë e të pastër për qytetarët, me mbështetje pa rezerva e ekuivoke të drejtësisë, i mbështetur nga ndërkombëtarët, mund të na nxjerrë nga balta që na mbyt, të na shpëtojë nga meskinët që prezantohen si… udhëheqës dhe të tjerët bëjnë sikur i besojnë. E vërteta e hidhur është se me liderët ekzistues kemi arritur në zgrip të Historisë.
Një lidership i aftë mund të bënte shumë për Shipërinë, nëse do të kishte mjetet për ta bërë këtë. Pa i lidhur duart me ligjet që votojnë bashkë mazhorancë e opozitë, e që, në fakt, mbrojnë korrupsionin e promovojnë pandëshkueshmërinë. Për t’i krijuar mundësinë Drejtësisë së re që të vendosë drejtësi kundër të gjithë atyre politikanëve të zgjedhur dhe të pavotuar, që kanë punuar e punojnë kundër Shqipërisë e shqiptarëve.
Një lidership që të luftojë të përgjigjen përpara ligjit të gjithë ata, të cilët janë pasuruar padrejtësisht, duke shfrytëzuar politikën, lidhjet me krimin dhe paragrafët e ligjeve të qepura nga vetë ata. Shqipëria ka nevojë për lidership të ri për të rindërtuar vendin mbi themelet e duhura. Pa pengesa partiake e “korniza ideologjike” dhe, mbi të gjitha, për t’i dhënë fund paligjshmërisë e pandëshkueshmërisë.
Ligji dhe zbatimi i tij janë shpëtimi i vendit! Nuk ka rrugë tjetër. Mirëpo, që një lidership të mund t’i rrëzojë dhe të rindërtojë, ai duhet të jetë i shkëputur nga sistemi korruptiv ekzistues. Nga partitë e vjetra ekzistuese, të cilat ruajnë status- quonë, dhe që e kanë shndërruar shtetin në një makineri gjigande, një pronë private, që me taksat e shqiptarëve ndërton pushtetin okult më të korruptuar e të pashpresë për shqiptarët në Europë.
Gjetja e një lidershipi politik e kombëtar të denjë për Shqipërinë nuk është thjesht një dëshirë, por kusht për mbijetesën tonë dinjitoze. Dhe një lidership i tillë duhet të mbështetet nga të gjithë…
Sepse shumica e shqiptarëve duan ndryshim, alternative të re e shpresëdhënëse. Që tranzicioni i tejzgjatur të marrë fund dhe fëmijët tanë të mos vuajnë një tjetër tranzicion të ardhshëm 34 vjeçar!…