Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme në lidhje me arrestimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi nga ana e autoriteteve të Serbisë. Si rezultat, pritet që të nxirret dhe një Rezolutë me të cilën, mes tjerash, do të kërkohet lirimi i Thaçit.
Thaçi është arrestuar më 29 shtator në vendkalimin kufitar në Konçul dhe me vendimin e një Gjykate të Lartë në Nish, i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Ai akuzohet nga autoritetet serbe, për siç thuhet, veprën penale për largimin e një familje serbe nga Kosova, në Komunën e Lipjanit.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se arrestimi i drejtorit Thaçi nga autoritetet serbe është akt politik dhe siç u shpreh ai, veprimet e tilla nuk i kontribuojnë normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Janë të papranueshme sjelljet e Serbisë në arrestimin e mbajtjen e qytetarëve tanë dhe në akuzat që atyre u vihen për vepra të cilat nuk i kanë bërë. Ne, kemi kërkuar nga Serbia përmes ministrive tona dhe autoritetit ndërkombëtar që zoti Thaçi të kthehet në Kosovë. Ndërkaq, për të gjitha dyshimet që i vihen atij, organet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin masa sipas ligjeve të Kosovës”, tha Mustafa.
Iniciuesi i thirrjes së seancës, deputeti Gëzim Kelmendi, ka kërkuar që shtetit të Serbisë t’i bëhet e qartë se Kosova duhet t’i thotë Serbisë mjaft me arrestimin dhe maltrenimin e shqiptarëve.
Ai pos tjerash ka kërkuar që bisedimet me Serbinë të ndërpriten menjëherë.
Por, kryeministri tha se Kosova nuk duhet të kërkojë ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë për shkak të arrestimit të zotit Thaçi.
“Kushtëzimi i lirimit të zotit Nehat Thaçi, me procesin e dialogut, nuk është në interes të Republikës së Kosovës”, tha Mustafa.
Kurse, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se institucionet e Kosovës që nga momenti i arrestimit të Thaçit janë angazhuar intensivisht për lirimin e tij.