JKKO ka rrëzuar kërkesën e të dënuarit me burgim të përjetshëm Sokol Mjacaj i cili kundërshtoi vendimin e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, për t’u vendosur në regjimin e posaҫëm 41 bis.
Vendimi për izolimin e tij në regjimin bis u mor më 15 Dhjetor, ditën kur Sokol Mjacaj vrau në burgun e Peqinit të dënuarin me burgim të përjetshëm, Arben Leshi dhe të plagoste të burgosurin tjetër, Indrit Shaqja.
Sokol Mjacaj vuan dënimin me burgim të përjetshëm në burgun e sigurisë së lartë IEVP “Peqin”, për vrasjen e dy turistëve çekë në fshatin Prekalë të Shkodrës.
Njoftimi i GJKKO:
- Kërkuesi, Sokol Mjacaj, më datë 03.01.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Kundërshtimin e udhërit Nr. 685, datë 15.12.2023 të Ministrit të Drejtësisë “Për vendosjen në regjimin e posaҫëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë të të burgosurit Sokol Mjacaj”.
- Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 112 dhe dhe 471 të K.Pr.Penale, me vendimin 25, datë 25.03.2024, vendosi:
-Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit Sokol Mjacaj.
-Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të kërkuesit.
-Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
Vrasja në burgun e Peqinit
Prokuroria e Elbasanit ka zbulon dinamikën e ngjarjes së rëndë në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit, ku Sokol Mjacaj vrau me armë zjarri brenda qelisë të dënuarin me burgim të përjetshëm, Arben Lleshi.
Organi hetues informon se arma e zjarrit është futur në burgun e Peqinit dhe më pas është mbajtur në dhomë nga i dënuari Sokol Mjaca për rreth 20 ditë. Madje, dyshohet se i dënuari me burgim të përjetshë e ka mbajtur pistoletën edhe në ambjetet e përbashkëta në këtë burg (ajrim, apo rregjimi brendshëm).
Sa i përket momentit të krimit të ndodhur rreth orës 13:52 mesditën e së premtes (15 Dhjetor), Prokuroria e Elbasanit sqaron se Sokol Mjacaj ka qëlluar me pistoletë në drejtim të Arben Lleshit duke e lënë të vdekur në vend, si edhe ka plagosur të dënuarin tjetër Indrit Shaqja.
Pas krimit, prokuroria sqaron se 28-vjeçari ka kërcënuar gardianët me armë dhe më pas është izoluar me pistoletën në dorë në ambjentet e takimeve me familjarët në këtë burg.
Ndërkohë janë ngritur dyshime se nga punonjësit e shërbimit, nuk kanë përmbushur detyrat funksionale, pasi nuk kanë kryer kontrollin fizik, që konsiston dalja e të dënuarit nga dhoma për ajrim dhe kthimin nga ajrimi për në dhomë në ditën e ngjarjes si dhe në ditët e mëparshme.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruara një armë zjarri, 5 gëzhoja, si dhe dy predha të dëmtuara.
Ndërkohë janë ndaluar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës 12 zyrtarë policie në burgun e Peqinit, përfshirë edhe drejtorin e institucionit, Kamber Hoxha.
Vulosja e burgimit të përjetshëm
Në Dhjetor 2022, Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë kërkesën e tij për të përfituar gjykim të shkurtuar.
Si gjykata e shkallës së parë Shkodër, ashtu edhe nga Apeli, e kishin hedhur poshtë këtë kërkesë të tij, ndaj në tetorin e 2022, ai çoi çështjen në Kushtetuese me pretendimin se i ishte cënuar e drejta për një proces të rregullt ligjor.
Sokol Mjacaj pretendonte se kjo është nje e drejtë ligjore e tij dhe duhet të përftonte prej saj. Por Kushtetuesja vendosi të mos e shqyrtonte cështjen ne seancë plenare, duke shuar shpresat e Mjacaj, për të shpëtuar nga burgimi i pëjetshëm.
Gjykata vendosi se cështja nuk mund të zgjidhej me aktet që ndodheshin në dosje, por ishte e nevojshme të shqyrtoheshin provat gjatë një procesi të zakonshëm.
Nëse pranohej kërkesa e tij, ai mund të synonte rrëzimin e dënimit me burgim të përjetshëm, pasi pranimi i gjykimit të shkurtuar, do i mundësonte uljen e një të tretës së dënimit.
Vrasja e dy turistëve
Michael Svatos, 27 vjeç dhe Ana Kosinova, 36 vjeçe, mbetën të vrarë nga sulmi i grabitësit mbrëmjen e 4 korrik të vitit 2015. I riu u kërkonte t’i dorëzonin paratë dhe makinën “Nissan” me targa çeke.
Autori u kap pas negociatave me policinë, ndërkohe që ishte futur në një banesë në Grudë.
“Hyra me forcë në makinën e çekëve. Doja t’u merrja makinën, por ata nuk kuptonin ose bënin sikur nuk kuptonin. Kur djali tentoi të më merrte armën e qëllova. Fillimisht atë e më pas gruan”, ka deklaruar 27-vjeçari pas arrestimit.
Ndërsa gjatë seancave gjyqësore i kërkoi mëshirë trupit gjykues: “Unë doja vetëm t’i grabisja, nuk kisha qëllim t’i vrisja. Djalin e vrava pasi donte të më merrte armën, kurse vajzën e kapi plumbi në kohën që makina po rrokullisej.”