Është vetëm 23 vjeç, por në fushë ai është një lider i vërtetë dhe di ta udhëheqë skuadrën që nga prapavija. Është aktivizuar në 32 ndeshje me Shqipërinë deri tani dhe me të drejtë ngjason me një futbollist veteran sa herë mban veshur ngjyrat kuqezi. Hysaj për Shqipërinë nuk është një lider vetëm në fushën e lojës, por përpara gazetarëve për mënyrën sesi flet. Në konferencën e rradhës për shtyp mbrojtësi i Napolit, përcolli optimizëm për dy sfidat eliminatore të muajit shtator, por në të njëjtën kohë e vuri theksin te Lihtenshejni, pasi sfida e “Elbasan Arena” pavarësisht se përballë është një kundërshtar modest mbetet një prioritet për Shqipërinë.
“Duhet të shohim ndeshjen e parë me Lihtenshtejnin të fitojmë njëherë këtë ndeshje dhe pastaj të mendojmë për Maqedoninë. E dimë që Maqedonia është një skuadër më e përgatitur, por ne duhet të kalojmë njëherë Lihtenshtejnin dhe të shkojmë me entuziazëm drejt Maqedonisë”, u shpreh Hysaj.
Tifozët kuqezi gjithmonë kanë qenë lojtari i 12-të dhe Hysaj nuk ngurroi t’u bënte thirrje fansave të jenë sa më të shumtë në numër për të mbështetur Shqipërinë në sfidën e rradhës ndaj Lihtenshtejnit. “Tifozët duhet të vinë gjithmonë ta përkrahin kombëtaren, sepse ekipi përfaqësues nuk është si klubet që luan çdo javë, ne futbollistët vimë këtu për të përfaqësuar kombin tonë dhe tifozët duhet të vinë të përkrahin kombin e tyre. Unë mendoj që tifozët shqiptarë na kanë mbështetur gjithmonë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë”, tha ai.
Në këtë grumbullim të rradhës, Shqipëria vjen me disa risi siç janë mbrojtësit Balliu e Memolla por edhe mesfushori Valon Ahmedi, që janë grumbulluar për herë të parë. Sipas 23-vjeçarit nga Shkodra prurjet e reja e kanë potencialin për të qenë futbollistë të rëndësishëm për Shqipërinë në të ardhmen. Më pas, mbrojtësi bëri një krahasim mes trajnerit të ri Christian Panuccit dhe ish- teknikut Gianni De Biasi, ndërsa nuk preferoi të polemizonte për vendimet e trajnerit Panucci, në lidhje me Sokol Cikalleshin.
“Të gjithë trajnerët kanë një mënyrë të ndryshme të stërvitjes dhe të lojës, besoj që me Panuccin do të ndryshojmë diçka për mënyrën sesi do të luajmë, por të shohim sesi do të na vendosë trajneri të shtunën në fushë. Por mos prisni ndryshime të mëdha. Futbollistët me trajnerët shkojnë mirë dhe jam i sigurtë se dhe me Panuccin do të kemi një raport të shkëlqyer, unë personalisht apo edhe të gjithë shokët e skuadrës. Kjo është një zgjidhje e trajnerit dhe është ai që vendos. Nëse trajneri e mendon kështu mund të ndodhë që të largojë nga ekipi përfaqësues edhe një futbollist që ka 10 vite te Shqipëria. Nëse trajneri përdor dorën e hekurt është zgjedhja e tij ne futbollistët duhet të zbatojmë rregulloren e përcaktuar nga trajneri”, tha Hysaj.
Me tërheqjen nga futbolli të Lorik Canës, shiriti i kapitenit në kombëtare mbahet nga Ansi Agolli, por edhe mbrojtësi i krahut të majtë është në vitet e fundit të karrierës së tij dhe në të ardhmen kapiteni i ri mund të jetë pikërisht Elseid Hysaj. “Shiriti i kapitenit do të thotë shumë për një lojtar, por shiriti nuk është gjithçka rëndësi ka të jesh pjesë e kombëtares. Gjithsesi dëshira do të ishte e madhe që të isha unë kapiteni në të ardhmen edhe pse nuk jam nga ata lojtarë që shiritin e kapitenit e vendos në rradhë të parë”, përfundoi Hysaj.