“Kërkojmë punëtore për mbledhje sherebele”- Nga varfëria në krim, BIRN: Si grupet kriminale rekrutuan qindra gra në serrat e kanabisit! Transporti i tyre bëhet me mjetet e anëtarëve të bandave

Grupet e krimit të organizuar rekrutuan qindra gra nga qytetet e varfra të Shqipërisë si punëtore me mëditje në serrat e kanabisit mes viteve 2020-2024 – shpeshherë me pasoja të rënda ligjore dhe emocionale.

Në të gdhirë të 10 nëntorit 2022, një skuadër e Policisë së Shtetit zbarkoi në fshatin Rërëz të Beratit, ku gjeti katër serra të mbuluara me plastmas dhe të përshtatura për rritjen e kanabisit.

Serrat ishin të investuara me rrjet të energjisë elektrike dhe linjë të furnizimit me ujë, mbroheshin nga njerëz të armatosur dhe njëra prej tyre ishte transformuar në një fjetore me 81 dyshekë me ajër të shtrirë në dysheme.

Në tokë kishin mbetur vetëm kërcenjtë e tharë të bimëve narkotike. Kanabisi ishte zhvendosur në një kapanon të improvizuar brenda 700 arkave të rreshtuara njëra pas tjetrës, ndërsa 11 thasë të zinj me 871 kilogramë të tjerë ishin bërë gati për në treg.

Kapanoni ishte vendi i punës për 95 gra nga qytete të ndryshme të Shqipërisë – punëtore me mëditje të grupit të strukturuar kriminal që akuzohet se prodhoi vetëm gjatë atij viti rreth 1.8 ton kanabis.

Forcat e policisë i gjetën gratë të shpërndara nëpër serra dhe disa prej tyre dëshmuan më pas se kishin mbërritur në Berat përmes një stacioni në qendër të Kamzës në kërkim të pagesave ditore që shkonin deri në 5 mijë lekë në ditë.

Ky nuk është një rast i izoluar në Shqipëri, ku përfshirja e grave në ekonominë e kanabisit shkon pas me dekada dhe i ka rrënjët te kushtet e vështira ekonomike që prej fillimit të viteve ’90. Megjithatë, monopolizimi i kësaj industrie nga duart e krimit të organizuar gjatë viteve të fundit ka sjellë pasoja të reja ligjore dhe emocionale për gratë e përfshira.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes tre dosjeve gjyqësore tregojnë se grupet kriminale po shfrytëzojnë varfërinë dhe papunësinë e grave në zonat periferike të Shqipërisë për t’i rekrutuar ato jo vetëm si punëtore në kultivimin e kanabisit, por në disa raste edhe si bashkëpunëtore.

Vetëm gjatë vitit 2022, mbi 110 gra u ndaluan nga policia teksa punonin për grupet kriminale në Berat, Shkodër dhe Pukë në hallkën e fundit të procesit, që lidhet me tharjen, pastrimin dhe paketimin e lëndës narkotike.

Ndërsa shumica e grave të implikuara në këtë industri u liruan nga qelitë dhe u hetuan në gjendje të lirë, Prokuroria e Posaçme dyshon se një numër i vogël prej tyre kanë tashmë lidhje më të thella me anëtarët e grupeve kriminale dhe i kanë ndihmuar ata që të sigurojnë krah të lirë pune për aktivitetet e tyre të paligjshme.

Prokurori i SPAK, Behar Dibra që udhëhoqi hetimin për dosjen e Beratit i tha BIRN se të paktën dy prej grave akuzohen si pjestare të grupit kriminal.

“[Ato] kanë pasur cilësinë e rekrutueseve të grave të tjera në këtë aktivitet kriminal,” tha Dibra.

Për avokatët që i mbrojnë këto çështje, gratë e përfshira në kultivimin e kanabisit janë viktima të varfërisë.

“Politikëbërja e keqe post-komuniste e ka varfëruar njeriun e ndershëm deri në atë pikë, sa ta detyrojë të jetojë në paligjshmëri për të garantuar jetesën e vet dhe të familjarëve në ngarkim,” tha Artan Simoni, avokat i caktuar nga gjykata për njërën prej të pandehurave.

Gratë e kanabisit

Kanabis-Tepelene-6

Tre dekada pas rënies së komunizmit, Shqipëria vazhdon të mbetet një vend prodhues i kanabisit në Europë dhe vend tranzit për aktivitetet e krimit të organizuar në trafikimin e drogëve të forta nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës. Vetëm gjatë vitit 2024, Policia e Shtetit asgjësoi qindramijëra rrënjë kanabisi në të gjithë territorin në kuadër të një operacioni të quajtur “Territori i pastër”.

Sipas Raportit të Kontrollit të Narkotikëve të Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2023, problemi i Shqipërisë me narkotikët nxitet nga korrupsioni, zbatimi i dobët i ligjit dhe papunësia.

Si shumica e aktiviteteve ilegale, kultivimi i kanabisit konsiderohet gjithashtu ‘punë për burra” në Shqipëri dhe thuajse 96% e të pandehurve i përkasin gjinisë mashkullore. Megjithatë, qindra gra nga zonat e varfra të Shqipërisë u përfshinë gjithashtu si “punëtore sezonale” në këtë industri gjatë viteve 2020-2024, pasi u rekrutuan nga grupet kriminale për pastrimin dhe paketimin e bimës narkotike.

Mes tyre, 106 gra dhe vajza u proceduan penalisht për veprën penale të prodhimit dhe kultivimit të bimëve narkotike mes viteve 2020 dhe 2024 në Shqipëri, sipas të dhënave që BIRN siguroi nga Policia e Shtetit. Në fund të vitit 2024, asnjëra prej tyre nuk ishte duke vuajtur dënimin në qeli.

Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjykoi dy grupe të strukturuara kriminale me qendër në Berat dhe Shkodër, që akuzohen se prodhuan qindra kilogramë kanabis falë punës së kryer nga gra të punësuara nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Një dosje e tretë u shqyrtua në fund të vitit 2023 nga Gjykata e Shkodrës, ku gjashtë gra, përfshirë një vajzë të mitur, u shpallën fajtore për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.

Sipas dosjeve gjyqësore, shumica e grave të rekrutuara nga grupet kriminale janë nga periferia e Tiranës apo e Krujës si dhe zonat rurale të qyteteve të varfra si Cërriku, Librazhdi apo Miloti. Ato janë gjithashtu të papuna, ose me punë të pakualifikuara dhe të keqpaguara.

Hetimet sugjerojnë se anëtarë të grupeve kriminale shpërndanin fjalë në këto komunitete se kërkonin punëtore me 30 – 50 mijë lekë dita për të mbledhur “sherebelë” apo “ullinj”.

Disa prej grave i thanë hetuesve se ato organizoheshin më pas me njëra-tjetrën dhe udhëtonin fillimisht drejt qendrës së Kamzës, ku i prisnin makinat e anëtarëve të grupit kriminal, të cilët i dërgonin drejt e në serra.

Në dëshmitë e tyre për Prokurorinë, një numër grash renditën si nxitjen kryesore kushtet e vështira ekonomike dhe papunësinë.

Gratë e akuzuara për kultivimin e kanabisit duke dalë nga Gjykata e Posaçme. Foto: Fatjon Gjinaj.
Gratë e akuzuara për kultivimin e kanabisit duke dalë nga Gjykata e Posaçme. Foto: Fatjon Gjinaj.

‘Punë të pista’

Denisa*, 44 vjeç, punoi për vite me radhë si dado fëmijësh në një lagje periferike të Tiranës përpara se të arrestohej në një srerë të vogël të improvizuar kanabisi në fshatin Bardhaj në rrethinat e Shkodrës në tetor të vitit 2022.

Vetëm pak minuta pasi zbriti në këtë fshat bashkë me tetë gra të tjera, ajo e gjeti veten të rrethuar nga dhjetra forca policie. Prokuroria e Posaçme e akuzon Denisën si pjesë të grupit kriminal me rolin e rekrutimit të grave të tjera, por ajo këmbënguli në një intervistë për BIRN me kushtin e anonimatit se ishte veçse e rekrutuar.

“Më akuzojnë për rekrutuese, por shumicën e grave i kam mikesha dhe shoqe,” u ankua ajo në hyrje të Gjykatës së Posaçme. “Më pyetën për prona, për makina dhe pasuri, por unë nuk kam asgjë pas shpirtit. Jetoj në kushte tepër të vështira ekonomike dhe e vetmja pasuri janë dy fëmijët e mi”.

Pas arrestimit në tetor 2022, Denisa kaloi 18 muaj në qeli përpara se të kalonte në masën e arrestit shtëpiak, Ajo nuk dallon shumë nga gratë e tjera me të cilat ndan bankën e të akuzuarve në seancat që zhvillohen në Prokurorinë e Posaçme; ajo i përket shtresës me të ardhura të ulëta; i shoqi punon me rrogë minimale si punëtor në ndërtim, ndërsa vetë ajo gjente punë me kohë të pjesshme si kujdestare fëmijësh për të rritur dy fëmijët e saj, sot adoleshentë.

Ajo thotë se u nis drejt Shkodrës nga premtimi për të fituar 3 mijë lekë në ditë “në mbledhjen e sherebelës”, por u arrestua sapo mbërriti në vendin e premtuar të punës, pa prekur ende gjë me dorë. Gjatë 18 muajve të kaluar në qeli, Denisa thotë se pengu i saj i madh ishin fëmijët.

“Kam lënë djalin 14 vjeç dhe vajzën 16 vjeç në moshën më delikate, ku u përballën me situata të pakëndëshme, pa asnjë mbrojtje dhe pa kujdesin tim,” tha Denisa.

“Më mirë do të ishte të mos merrja frymë sesa të dija gjendjen në të cilën ishin fëmijët e mi në atë periudhë,” shtoi ajo.

Ndryshe nga Denisa, Lumturia* nga Kurbini i tha BIRN se kur mbërritën pranë një shtëpie të braktisur në fshatin Bardhaj të Shkodrës, ato e mësuan shpejt që puna nuk kishte lidhje me sherebelën, por “me diçka tjetër”. Ajo thotë se u largua ende pa mbërritur policia, por u vetëdorëzua më pas dhe kaloi 5 ditë në qeli.

Nënë e tre fëmijëve dhe me anëtarë të sëmurë në familje, Lumturia thotë se kishte punuar për vite me radhë në mbledhjen e sherebelës në malet e Kurbinit për të siguruar të ardhura shtesë për familjen e saj. Gruaja pretendon se i tha jo punës me kanabisin.

“Kam ecur rreth 1 orë në këmbë dhe kam zbritur në Shkodër, ku jam nisur me autobus drejt Milotit, banesës sime,” thotë Lumturia duke iu referuar rrugës së kthimit.

“Unë shkova për djersën e ballit, për bukën e fëmijëve, jo për punë të pista,” shtoi ajo.

Skllavëri moderne

Gratë e përfshira në industrinë e kanabisit hetohen përgjithësit për veprat penale të kultivimit të bimëve narkotike apo prodhimit dhe shitjes së bimëve narkotike me dënime që variojnë nga tre deri në dhjetë vjet burg.

Edhe pse praktika gjyqësore ka qenë përgjithësisht e kursyer me dënimet me vuajtje në qeli, shumica prej tyre përballen me pasoja të kushtueshme ligjore dhe emocionale.

Dymbëdhjetë gratë e ndaluara në tetor 2022 në fshatin Bardhaj të Shkodrës udhëtojnë çdo dy javë në drejtim të Gjykatës së Posaçme në Tiranë për të qenë të pranishme në procesin gjyqësor, pavarësisht problemeve familjare apo vështirësive ekonomike.

Ato janë gjithashtu të privuara nga puna e ligjshme, sa kohë që dokumentet e tyre të identifikimit mbahen të bllokuara nga Prokuroria.

Lumturia i tha BIRN se udhëtimet e vazhdueshme fillimisht drejt Shkodrës dhe më pas drejt Tiranës e kanë varfëruar edhe më tej buxhetin e paktë të familjes së saj. Ajo thotë gjithashtu se situata e saj e paqartë ligjore e ka penguar që të gjejë një punë.

“Në seancat gjyqësore udhëtoj me furgona, paguaj 400 lekë vajtje-ardhje. Ku t’i marrim të ardhurat për të udhëtuar njëherë në dy javë që na thërrasin në Tiranë,” ankohet gruaja.

“Jam e papunë, sepse nuk të mban njeri në punë kur ti ke për të shkuar dhe paraqitur njëherë në javë apo njëherë në dhjetë ditë, jo po në Tiranë, jo po në Shkodër. Privati nuk të mban në punë,” shtoi ajo.

Prokurori i SPAK, Ened Nakuçi që po ndjek çështjen e Shkodrës thotë se gratë po gjykohen në të njëjtin proces në Tiranë për ekonomi gjyqësore, ndonëse pjesa më e madhe e tyre nuk dyshohen për lidhje me grupin kriminal.

“Të pandehurat akuzohen për bashkëpunim të thjeshtë, jo pjesë e grupit kriminal, sepse nuk ekziston qëndrueshmëria. Ato rezulton të kenë kryer veprime aktive në fund të aktivitetit kriminal,” tha Nakuçi, ndërsa shtoi se dosja nuk është ndarë pasi “nuk ka kuptim të zhvillohen dy procese”.

Disa prej avokatëve që mbrojnë gratë e implikuara në industrinë e kanabisit e kritikuan qasjen e Prokurorisë si të ashpër dhe të padrejtë.

Avokati Ardian Visha që mbron njërën prej grave që akuzohet për prodhim dhe shitje të bimëve narkotike në kuadër të grupit kriminal, i tha BIRN se atribuimi i kësaj akuze për kultivuesen e kanabisit ishte spekulativ.

“Ndëshkimi si anëtare grupi e punonjëseve me mëditje përbën teprim të dhunës shtetërore dhe këtyre njerëzve që janë në kushtet e kuazi nevojës esktreme,” tha Visha, duke e mbështetur argumentin në gjendjen ekonomike, integrimin e munguar social dhe edukimin e kufizuar për këtë kategori grash.

Edhe avokati i caktuar kryesisht nga gjykata, Arben Peçi e konsideron ekstreme akuzën e ngritur.

“Të pandehurat janë viktima të vështirësive ekonomike që po kalojnë në familjet e tyre,” tha Peçi, duke shtuar se ato kanë qenë të detyruara të punojnë. “Qoftë edhe duke u kontaktuar nga grupe kriminale në kuadër të një skllavërie moderne,” përfundoi ai.

*Emrat janë ndryshuar me kërkesën e grave për të folur në kushtet e anonimatit. 

Artikulli paraprakPresidenti Trump nënshkruan urdhrin ekzekutiv për rishikimin e politikave për ushtarët transgjinorë
Artikulli tjetërProkuroria italiane kërkon arrestimin e Boerit për korrupsion, mikut të Ramës që betonizoi gjithë Tiranën