Kërkoni falje dhe ju shpreh pendesë!

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vlerësoi me një ceremoni solemne 38 martirët e Kishës Katolike shqiptare, të cilët u lumnuan pak ditë më parë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku.
Në fjalën e tij para të ftuarve në Pallatin e Brigadave ku ishin të pranishëm autoritetet më të larta të shtetit, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, familjarët e 38 martirëve, ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në vendin tonë, klerikë dhe drejtues të Kishës Katolike shqiptare, përfaqësues të bashkësive fetare, etj., Presidenti Nishani u shpreh: “Pranimi me përunjësi i krimeve, jo i gabimeve, siç mund t’i quajë ndokush me dinakëri apo mendjelehtësi – dhe këtë e theksoj fort duke ju shikuar të gjithëve në sy, – të regjimit komunist, pendesa e vërtetë dhe kokulur, por mbi të gjitha, kërkesa e sinqertë për falje, drejtuar para të gjithëve familjarëve të viktimave të pafajshme për ato krime që janë kryer në ‘emër të popullit’, na ndihmon të gjithë si shoqëri shqiptare të shtrëngojmë radhët vëllazërisht e të ecim përpara pa pasur kurrë më frikë nga fantazmat e së kaluarës së errët diktatoriale.
Në cilësinë e kryetarit të shtetit e ndiej të domosdoshme, sepse në radhë të parë ma kërkon ndërgjegjja ime si qytetar, që me shumë përunjësi, t’u kërkoj një falje të sinqertë, në emër të shtetit që më ka zgjedhur të shërbej e të jem me devotshmëri simboli i unitetit të popullit: familjarëve dhe pasardhësve të viktimave të panumërta të diktaturës komuniste, edhe atyre që ende nuk u janë gjetur as eshtrat, t’i kërkoj falje edhe Kishës Katolike shqiptare, por edhe kujdo tjetër, që u prek deri në palcë nga djepi e deri në varr, që u vra pafajësisht, u përndoq deri në tri breza, u internua padrejtësisht, që u dëmtua fizikisht, materialisht, por më tepër shpirtërisht, që u cenua rëndë në dinjitetin e vet njerëzor dhe që u privua nga të drejtat thelbësore dhe universale të njeriut dhe që ndoshta vazhdon ende sot e kësaj dite të vuajë pasojat e tmerrshme e gati-gati të pariparueshme të atyre krimeve makabre, të cilave iu vesh përsipër padrejtësisht petku se po kryheshin në emër të shtetit dhe të ashquajturës ‘luftë klasash’!
Shteti shqiptar sot, ju kërkon sinqerisht dhe përunjësisht: Ndjesë! Ju kërkon falje dhe ju shpreh pendesë!”.
Me  Dekoratën e lartë të “Flamurit Kombëtar” u çmuan nga kreu i shtetit shqiptar: “Imzot Vinçenc Prennushi, OFM; Imzot Frano Gjini; Imzot Jul Bonati; Atë Mati Prendushi, OFM; Atë Serafin Koda, OFM; Atë Karl Serreqi, OFM; Atë Gjon Shllaku, OFM; Atë Gaspër Sumës, OFM; Atë Çiprian Nikaj, OFM; Atë Giovanni Fausti, SJ; Atë Bernardin Palaj, OFM; Atë Daniel Dajani, SJ; Dom Alfons Tracki; Dom Anton Muzaj; Dom Anton Zogaj; Dom Dedë Malaj; Dom Dedë Plani; Dom Dedë Maçaj; Dom Ejëll Deda; Dom Jak Bushati; Dom Lazër Shantoja; Dom Lekë Sirdani; Dom Luigj Prendushi; Dom Mark Xhani; Dom Mikel Beltoja; Dom Ndre Zadeja; Dom Pjetër Çuni; Dom Shtjefën Kurti; Dom Marin Shkurti; Dom Ndoc Suma; Dom Josef Markseni; Dom Josif Papamihali; Vëlla Gjon Pantalia, SJ; Marije Nikollë Tuci; Fran Mirakaj; Gjelosh Lulashi; Mark Çuni; Qerim Sadiku”.

Exit mobile version