KESH dhe qeveria shtyjnë afatet e shlyerjes së 30 miliardë lekë borxhe në banka

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka ristrukturuar afatin e kthimit të kredive në bankat tregtare në vend me gati 1 vit. Shumica e kredive të nënshkruara para vitit 2015 do të kishin përfunduar afatin e shlyerjes gjatë 2015.
Ministria e Financave, duke publikuar treguesit e borxhit për tremujorin e parë të 2006 ka publikuar afatet e reja të shlyerjes së detyrimeve të KESH ndaj bankave. Këto borxhe janë të garantuara nga qeveria e Shqipërisë dhe në rast se, KESH nuk ka mundësi t’i shlyejë me fondet e veta, pagesa e tyre bëhet nga qeveria shqiptare.
Kështu një kredi e prej 4.9 miliardë lekë e marrë në Raiffeisen Bank në gusht të vitit 2008 duhet të shlyhej ndaj bankave në korrik të vitit 2015, por qeveria dhe KESH kanë shtyrë afatin e shlyerjes për në shtator të këtij viti.
Gjithashtu një letër garanci e lëshuar për KESH në vlerën e 1.5 miliardë lekëve, ishte për t’u shlyer në Bankën Kombëtare Tregtare me dhjetor të 2015, por shlyerja e saj është shtyrë për në fund të 2016.
Një kredi e marrë në vitin 2012 nga KESH në vlerën e 5.6 miliardë lekëve e programuar për t’u shlyer në korrik të vitit 2015 e shtyrë për deri shtator të këtij viti.
Bankat e nivelit të dytë janë përfshirë në një proces ristrukturimi të kredive ndaj bizneseve për të shmangur një moskthim të tyre. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë shuma e ristrukturuar e kredive për vitin 2015 ishte rreth 24 miliardë lekë.
KESH dhe qeveria kanë arritur të ristrukturojnë rreth 30 miliardë lekë detyrime ndaj bankave tregtare në vend.

Exit mobile version