Teksa KESH i eksporton tepricat e energjisë në tregjet e jashtme me çmim 10.47 euro/Mwh deri në 20.40 euro/Mwh, çmimi me të cilin ia shet këto teprica OSHE për mbulimin e humbjeve është më shumë se dyfishi, 51.57/ euro/Mwh.
Këtë krahasim e ka bërë Autoriteti i Konkurrencës, i cili ka dhënë një vlerësim pozitiv për marrëveshjen mes dy operatorëve (“Marrëveshjes për shitblerjen e energjisë elektrike ndërmjet shoqërive KESH SH.A. dhe OSHEE SH.A. për tepricat e energjisë elektrike, përfshirë tepricat në kushtet e prurjeve të mëdha me qëllim plotësimin e humbjeve të sistemit të shpërndarjes deri në 30 qershor 2016”), por i rekomanduar Entit Rregullator të Energjisë që koston që lindin nga kjo marrëveshje duhet t’i reflektojë në çmimet e pakicës.
Për periudhën 1 – 29 shkurt 2016, në kushtet e tepricave në prodhimin e KESH, energjia për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes u mundësua nga ky prodhim. Çmimi me të cilin KESH do të shesë energjinë e prodhuar do të jetë sa çmimi i energjisë në bursën hungareze HUPX, parashikimi aktual i të cilit është rreth 35-40 EUR/Mw në orë me profilin bandë.
Nga vlerësimi i marrëveshjes së amenduar, si dhe nga informacioni i administruar nga Autoriteti i Konkurencës rezulton se:
Gjatë muajit shkurt 2016, nga ana e OSHEE nuk është kryer procedura e tenderimit për blerjen e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, por është blerë nga KESH, bazuar në amendimin e marrëveshjes, për periudhën deri në 30 qershor 2016.
Gjatë kësaj periudhe është prodhuar energji elektrike nga KESH, në kushtet e të plotave (reshje) për shkak të kushteve atmosferike. Për të shmangur fenomenet negative që mund të ndodhin për shkak të kushteve atmosferike, KESH dhe OSHEE kanë rënë dakord që KESH të rrisë prodhimin e energjisë elektrike dhe OSHEE ta blejnë energjinë elektrike të prodhuar, për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, me çmimin e bursës hungareze HUPX.
Bazuar në të dhënat historike që disponojmë dhe analizës së çmimeve në këtë treg, për vitin e kaluar në kushtet kur prodhimi i energjisë elektrike u rrit për shkak të të plotave, çmimi i shitjes së energjisë elektrike, në tregun e parregulluar me anë të ankandeve nga KESH ra deri në 16.5 EUR/Mwh, ndërsa çmimi i blerjes së energjisë për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes nga OSHEE, me anë të procedurave të blerjes arriti deri 57.40 Euro/Mwh.
Referuar të dhënave të publikuara për shitjen e energjisë elektrike nga KESH, në ankandet e periudhës 17 – 29 shkurt 2016, rezulton se çmimi varion nga 10.47 Euro/Mwh deri në 20.40 Euro/Mwh, ndërsa çmimi mesatar i blerjes së energjisë elektrike nga OSHEE sha në procedurën e muajit janar 2016 ishte 51.57 EUR/Mwh.
Autoriteti, pasi e shyrtoi marrëveshjen vendosi “Të përjashtojë nga ndalimi marrëveshjen e shitblerjes së energjisë elektrike ndërmjet KESH dhe OSHEE për tepricat e energjisë elektrike në kushtet e prurjeve të mëdha, me qëllim plotësimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes deri në qershor 2016”.
Për procedurat e blerjes së energjisë për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, të cilat janë të ndryshme nga ato të pikës 1, duhet të zbatohen rregullat e garës së hapur.
Autoriteti rekomandon që ERE duhet të reflektojë në tarifat e energjisë elektrike për klientët fundorë kostot reale të blerjes së energjisë për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, duke reflektuar përfitimet që sjell marrëveshja ndërmjet OSHEE dhe KESH.