Këshilla e shkrimtarit për Vetëvendosjen: Vihuni në shërbim të popullit, jo në sundim të tij

Publicisti i njohur Kim Mehmeti ka reaguar pas procesit zgjedhor të zhvilluar fundjavën e kaluar në Kosovë nga i cili doli fitues kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për të cilin thotë se ka mundësinë të bëjë tashmë për Kosovën dhe kombin atë për të cilën shqiptarët ëndërrojnë.

Pasi shpreh urimet e tij për gjithë procesin si dhe fitoren për “Vetëvendosjen”, Mehmeti thekson se VV i është dhënë mundësia të dëshmojë se çka e dallon partinë që i shërben popullit e shtetit nga ajo që i sundon ato.

“Dhe Lëvizja Vetëvendosje ka mundësinë të bëhet fytyra e mençurisë politike mbarëshqiptare, por vetëm nëse arrin që Kosovën ta bëjë atë që të gjithë e ëndërronim – shtet të mirë për qytetarët, e jo për politikanët”, shkruan mes të tjerave Mehmeti.

Reagimi i plotë:
Urime fitoren Kosovë! Edhe pse të njollosën me korrupsion, edhe pse të lënduan rëndë duke shkelur mbi ëndrrat e rinisë tënde, edhe pse të bënë të dukesh se nuk ia del ta jetosh lirinë, megjithatë ty të ka hije Pavarësia dhe do mbetesh gjithmonë ajo që ke qenë – boshti i patriotizmit shqiptar!

Dhe Lëvizja Vetëvendosje ka mundësinë të bëhet fytyra e mençurisë politike mbarëshqiptare, por vetëm nëse arrin që Kosovën ta bëjë atë që të gjithë e ëndërronim – shtet të mirë për qytetarët, e jo për politikanët.

Pra VV i është dhënë mundësia të dëshmojë se çka e dallon partinë që i shërben popullit e shtetit nga ajo që i sundon ato.

Dhe pa dyshim se kryetari i VV do i tregojë mbarë shqiptarisë se çka e dallon politikanin që i është përkushtuar idesë dhe të mirës kombëtare, nga ata që të mirën dhe fatin e popullit, e barazojnë me karrierën e tyre politike dhe me mirëqenien e vet personale!

Exit mobile version