Këshilli i Ankesave apo Komiteti i Censurës?

Luçiano Boçi

Këshilli i Ankesave i AMA-s me ndryshimet e reja, pritet të shndërrohet në Komitet Censure mediatike, sipas një skeme perfide të menduar e që po aplikohet në detaje.
Deformimi i rolit të këtij Këshilli në quasi-gjykatë është evident, por Ramës pak i intereson një gjë e tillë.
Ka parashikuar dhe kundërshtitë, por nën rrogoz vazhdon të ndjekë qëllimin e tij për të ndëshkuar me hakmarrje ato që ‘ia kanë nxirë jetën e qeverisjen’.
Ndryshimet ligjore janë paraprirë e po vazhdojnë paralelisht me ndryshimet që prekin drejtpërdrejtë vendimmarrjen, të lidhura me përbërjen e këtij Këshilli, i cili do marrë fuqi ekstra.
Sipas përcaktimeve të reja ligjore, vendimet e Këshillit të Ankesave do të variojnë nga gjoba që shkojnë në 10 milion e deri në mbylljen e portaleve.
Në ligjin aktual për ‘Mediat audiovizive’ 97/2013, Këshilli i Ankesave, përbëhet nga 3 anëtarë, të cilët sipas përcaktimeve të nenit 20, pika 1 ai zgjidhen nga Bordi i AMA, me shumicë të cilësuar. Zgjedhja është midis konkurrentëve të vetëparaqitur, pa cilësuar apo kondicionuar atashimin politik të tyre.
Vetë Bordi ruan balancën, në momentin e zgjedhjes, me kandidatë të mbështetur nga maxhoranca e opozita.
Por aktualisht për shkak të lëvizjeve të koalicioneve politike, Bordi ka këtë konfigurim: 3 anëtarë të mbështetur nga PD, 2 nga PS dhe 1 nga LSI. Kryetari është i mbështetur nga mazhoranca. Mandatet 5 vjecare të tyre, sidomos ajo e z.Bregu, vlejnë deri në 2021, pavarësisht se në momentin e zgjedhjeve gëzonin mbështetjen politike.

Kësisoj vendimmarrja e Bordit, për anëtarët e Këshillit të ankesave mbetet në favor të opozitës aktuale ( PD + LSI), ose e bllokuar, megjithëse sipas një truku, të përdorur për ndarjen e rrjeteve frekuencore, vota e Kryetarit, përllogaritet dy, për të siguruar një shumicë ‘fake’.
Në këto rrethana plasi lufta, për zbatimin e skemës për kapjen e Bordit, si hap i domosdoshëm për kontrollin e plotë të Këshillit të Ankesave.
Rama e lancoi iniciativën e tij për ligjin antishpifje në tetor, për ta risjellë si debat dhjetë ditëshin e dytë të nëntorit (20 nëntor), ku dha lajmin për pasjen gati të një ligji për portalet.
Momenti u zgjodh sepse po në nëntor përfundoi dhe mandati 3 vjeçar i anëtarëve aktualë të Këshillit: Znj. Monika Stafa, kryetare (e dorëhequr pak para mbarimit të mandatit), Z. Urim Bajrami (i komanduar kryetar) dhe Z. Erald Kapri.
Pak para këtij draftimi, në 13 dhjetor, ‘për cudi’, AMA , nëpërmjet Kuvendit inicioi shkarkimin e z. Bregu për konflikt interesi, për shkak të një kotratë qeraje të lidhur në 2015, ndërkohë që ai është rizgjedhur në 2016, duke e kapërcyer në këtë kohë pengesën e konfliktit të interesit.
Në morinë e ngjarjeve të mëdha (në komision diskutohej paralelisht buxheti), kjo ‘gjë e vogël’ kaloi pa ndonjë zhurmë mediatike, me përjashtim të një kundërshtimi letërkëmbyes të znj. Mehmetaj.

Me shkarkimin e tij maxhoranca kërkon të fitojë anëtarin e humbur prej konfigurimeve të reja, për të dominuar më pas vendimmarrjen e cila të çon tek Këshilli i Ankesave.
Komisioni i Edukimit e Mjeteve të Informimit publik me një procedurë të dyshimtë, merr vendimit e shkarkimit për t’ia dërguar seancës, më 17 dhjetor, pikërisht ‘rastësisht’ po në këtë datë që AMA bën diskutimin e parë publik për ndryshimet e propozuara.
Në janar vendimi i shkarkimit pritet të marrë mbështetjen e maxhorancës dhe Z. Bregu do të zëvendësohet me një kandidat të mbështetur nga PS.
Pas kësaj Bordi kalon në raportin 4 me 3 në favor të maxhorancës dhe me votën e përllogaritur dy të kryetarit, siguron shumicën e cilësuar, për të zgjedhur më pas, njëanshmërisht persekutorët e medias si anëtarë të Këshillit të Ankesave.
Precedenti i vlerës së dyfishtë të Kryetarit është krijuar në momentin e ndarjes së rrjeteve frekuencore.
Madje dhe emrat me lidhje të ngushtë e specifike me PS, Rama tashmë i ka gati.
Pritet vetëm miratimi i ligjit dhe pas kësaj nis gjuetia e shtrigave për të goditur e mbyllur portalet antiqeveritare.

Rama duke kruar koken ne kuvend

Exit mobile version