Këshilli i Europës në krah të gazetares britanike: Shkruajti për lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar

Këshilli i Evropës (KiE) njoftoi sot se ndaj Alice Elizabeth Taylor, gazetares britanike të redaksisë sonë, po zhvillohet një fushatë shpifjesh.
Rasti i Zonjës Taylor u botua në faqen e KiE si “ngacmim dhe intimidim ndaj gazetarëve”, nën platformën që ngre alarmin për shkeljen e lirisë së medias, për mbrojtjen e gazetarisë dhe për sigurinë e gazetarëve.
Në vijim, Exit.al sjell të plotë tekstin e përkthyer të njoftimit të botuar nga Këshilli i Evropës.
“Një gazetare britanike, që punon në Shqipëri për potalin exit.al, është bërë shenjestër e një fushate shpifjesh pasi u shpreh për [televizionin] Russia Today më 23 shkurt 2019 në lidhje me protestat që kanë mbërthyer vendin.
Kohët e fundit Alice Taylor shkroi për manipulimin e votimeve, dhunës në protesta dhe për lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar dhe pastrimin e parave. Kur u pyet të komentonte për gjendjen e korrupsionit dhe zhvillimet e fundit në Shqipëri, Alice Taylor tha për Russia Today se akuzat për korrupsion mund të dokumentohen lehtësisht përmes provave që tregojnë lidhjet mes qeverisë aktuale, krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe trafikut të drogës. Në intervistën e saj, ajo vuri në pikëpyetje edhe ndershmërinë e zgjedhjeve të vitit 2017, të cilat konfirmuan Kryeministrin Edi Rama në një mandat të dytë.
Të nesërmen, dhjetëra portale vendore nisën të publikojnë foto dhe ta akuzojnë atë se ishte e lidhur me dhe paguhej nga Rusia, ose se portali i saj është i lidhur me partinë e opozitës. Edhe partneri i saj u godit në platformat e medias sociale.
Gjithashtu, gazetarja njoftoi se më 6 mars iu refuzua leja e saj e qëndrimit, pasi fillimisht i ishte miratuar para pak javësh.”
Ne kemi botuar disa shkrime për fushatën e shpifjes ndaj Znj. Taylor, si dhe për vendimin e autoriteteve shqiptare për të mos rinovuar lejen e saj të qëndrimit, pa dhënë ndonjë arsye për këtë.

“Exit.al”

Exit mobile version